1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mali i Zi pesë vjet pas pavarësisë - Jo vetëm histori suksesi

Në 3 Qershor 2006 Mali i Zi shpalli pavarësinë. Që nga ajo kohë shteti i ri i Ballkanit ka ecur përpara, si në drejtim të perspektivës së anëtarësimit në BE ashtu edhe të zhvillimit ekonomik. Por ka edhe probleme.

Kryeqyteti malazez Podgoricë.

Kryeqyteti malazez Podgoricë.

"Mali i Zi mund të vështrojë me kënaqësi atë që ka arritur në këto pesë vitet e fundit, pas pavarësisë",- shprehet Hansjörg Brey, ekspert për Ballkanin në Shoqatën e Evropës Juglindore në Mynih. Mali i Zi ka një qeveri të stabilizuar dhe nuk ka probleme të mëdha etnike.

Edhe për gazetarin malazez, Zoran Raduloviç pavarësia e Malit të Zi u zhvillua ashtu si pritej. Ai është angazhuar për pavarësimin e Malit të Zi, që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitin 1991. "Mendoj se ishte një hap i mirë. Nuk kam pritur ndryshime radikale. Megjithatë as nuk kam pritur që çdo të ngrijë, siç duken aktualisht zhvillimet në politikën malazeze", - thotë Raduloviç.

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Igor Luksic dhe ish kryeministri Gjukanovic.

Kryeministri i ri i Malit të Zi, Igor Luksic dhe ish kryeministri Gjukanovic.

"Nuk ndërroi pushteti" - Zhgënjim nga disa zhvillime në Malin e Zi

Raduloviç është i zhgënjyer që Mali i Zi edhe pas pavarësisë nuk ka një ndërrim pushteti. Raduloviç ka parasysh këtu, profesionistin e politikës, Milo Gjukanoviç, i cili që para shpërbërjes së Jugosllavisë ka pasur pozicione të ndryshme në partinë komuniste dhe në vitin 1991 u zgjodh kryeministër i Malit të Zi. Deri në vitin 2010, Gjukanoviç ishte, me disa ndërprerje kryeministër ose president i vendit. Për dy dekada me radhë ai i dha tonin politikës malazeze, por nga ana tjetër, akuzat për përzierje në pazare të pista kanë prishur imazhin e tij, ndër të tjera edhe prokuroria italiane ka zhvilluar hetime kundër Gjukanoviçit. Në dhjetor 2010 mori fund epoka e tij. Kryeministër i ri është kolegu më i ri i partisë së Gjukanoviçit, Igor Luksiq.

Vlerësime pozitive për unitetin partiak të Malit të Zi

Eksperti për Ballkanin, Hansjörg Brey e vlerëson pozitivisht situatën aktuale në Malin e Zi. Si shembull ai përmend unitetin që ekziston mes partive politike. Sepse si qeveria ashtu edhe opozita duan ta çojnë përpara anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

"Kur shoh kryeministrin e ri, Luksiq, shoh një gjeneratë të re politikanësh, të cilët shohin përpara dhe që janë të panjollosur nga konfliktet dhe mëkatet e së shkuarës."

Përparime në rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE - Luksic dhe Barroso.

Përparime në rrugën e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE - Luksic dhe Barroso.

Mali i Zi edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë qëndroi në një federatë me Serbinë. Kjo u reflektua në sanksione të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat godisnin regjimin e Millosheviçit. Në këtë kohë, Gjukaniviçi distancohet nga Millosheviçi.

Rrëzimi i Millosheviçit në vitin 2001 dhe ndryshimi demokratik në Beograd përforcuan udhëheqjen malazeze në qëndrimin për pavarësinë e Malit të Zi. Në vitin 2003 u bë edhe hapi i fundit. Republika e Jugosllavisë, që përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi, kaloi një bashkësi prej shtetesh, pa asnjë lloj detyrimi. Referendumi i 21 Majit i vitit 2006 dha edhe vendimin e fundit. Malazezët dhanë votën e tyre për të mos qëndruar më në një konfederatë me Serbinë. Në 3 qershor 2006 parlamenti i Malit të Zi shpalli pavarësinë.

Përpjekjet e Malit të Zi u mbështetën fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare. Malit të Zi iu hap perspektiva e anëtarësimit në BE, e cila ndikoi fuqishëm edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Autor: Mirjana Dikic/Lindita Arapi

Redaktoi: E.Xhani