1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mal i Zi: kundër Gjukanoviçit apo kundër NATO-s?

Protestat kundër qeverisë në Mal të Zi kalojnë në një raund të ri. Ato drejtohen kundër një kryeministri, i cili sundon që prej 24 vjetësh - por edhe kundër një anëtarësimi në NATO.

Për javë të tëra qëndruan në çadra demonstruesit opozitarë në Podgoricë. Ata drejtoheshin nga një parti pro-serbe, kundërshtare e fortë e NATO-s. Në fund të tetorit ata zhvilluan përleshje me policinë, kur ajo ndërhyri me ashpërsi të madhe kundër demonstruesve. Fotografitë tregonin policë të ndërhyrjes së shpejtë, që rrihnin një qytetar dhe shkatërronin veturën e tij. Gazin lotsjellës e ndieje edhe të nesërmen në rrugë, tregojnë demonstruesit.

Konotacion nacionalist

Por për se bëhet fjalë saktësisht? Përgjigja që merr varet tërësisht nga ai që pyet. Në një kohë kur organizatorët e protestës ngulin këmbë se kemi të bëjmë me një kryengritje të popullit kundër kryeministrit Milo Gjukanovic, që qeveris prej një çerek shekulli, kundër varfërisë dhe korrupsionit, qeveria thotë se protestat janë të drejtuara krejtësisht kundër anëtarësimit të afërt të vendit në NATO dhe drejtohen nga Serbia dhe Rusia. Gjithsesi, vendi i vogël në Adriatik me 600.000 banorët e tij është thellësisht i përçarë: në simpatizantë dhe kundërshtarë të Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet, në montenegrinas dhe serbë, në mbështetës dhe dënues të Aleancës së Atlantikut Verior.

Edin Koljenović

Edin Koljenović

Po, situata është komplekse, thotë edhe Edin Koljenovic. Aktivisti i ri - me mjekër të plotë të rregullt dhe me xhaketë pas trupit - i vëzhgoi protestat për OJQ-në, Aleanca Qytetare. "Ideja fillestare ishte që të përdorej e gjithë kënaqësia, që ka lidhje edhe me gjendjen ekonomike dhe sociale në vend", thotë ai dhe tregon bulevardin, ku protestojnë mijëra qytetarë. Por me kalimin e kohës demonstratat u bënë "shumë të njëanshme" - gjithnjë e më shumë flamuj serbë, simbole nacionaliste dhe këngë. Këtyre u shtohen fjalimet nxitëse të priftërinjve serbë-ortodoksë, të cilët ende nuk e kanë përtypur shkëputjen e Malit të Zi nga Serbia nëntë vjet më parë.

Slaven Radunovicit ikonografia i përshtatet shumë mirë. Së bashku me dy bashkëpunëtorë, deputetit të Demokracisë së Re Serbe i duhet të përgjigjet së shpejti në gjykatë. Në një fjalim gjatë demonstratave ai pati bërë thirrje për "përmbysjen me dhunë të regjimit kushtetues", thotë Prokuroria. Shumica në pushtet mezi pret sa t'ia heqë imunitetin parlamentar.

Slaven Radunović

Slaven Radunović

"Synimi i vërtetë i kësaj padije politike është që të përhapë frikë dhe t'i bëjë njerëzit e thjeshtë të respektojnë linjën e qeverisë", thotë përfaqësuesi i serbëve. Partia më e madhe me orientim serb në Mal të Zi është e detyruar për një akt balance: nga një anë ajo është qartësisht kundër anëtarësimit të vendit në NATO, si përfaqësuese e një të tretës së popullit, që e quan veten si etnike serbe dhe tradicionalisht me qëndrim prorus; por nga ana tjetër, brenda të ashtuquajturit Front Demokratik kësaj partie i duhet të bashkëpunojë edhe me parti të tjera, të cilat nuk e quajnë kaq të keqe anëtarësimin në NATO. "Prioriteti është largimi i Gjukanoviçit nga pushteti. Ai është pengesë për të gjitha reformat", thotë Radunovic.

Nën ombrellën e NATO-s

Gjukanoviçi, aktualisht kryeministër është në pushtet që prej vitit 1991. Prandaj Radunovici e quan "politikanin e fundit të kohëve sovjetike" dhe një shok të Erih Honeckerit. Por ajo që e dëshpëron opozitën më shumë: Gjukanovicç, i cili në zgjedhje merr gjithmonë shumicën e votave dhe prandaj mund të bëjë koalicione, është jo më shumë se 53 vjeç.

Draško Đuranović

Draško Đuranović

"Ai mund të qeverisë shumë, shumë gjatë", thotë Drasko Gjuranovicç kryeredaktor i gazetës së përditshme të afërt me qeverinë "Pobjeda". Megjithëse shumë qytetarë jetojnë në varfëri dhe Gjukanoviçi "ka në radhët e tij shumë zhele të korruptuara", opozita me "idetë e saj të budallallepsura" ia bën të lehtë jetën: "Qytetarët nuk arrijnë të dallojnë ndonjë politikan të ndershëm në radhët e opozitës. Kjo është edhe e vështirë, kur partitë që janë kundër pavarësisë së Malit të Zi bashkëpunojnë me ato që janë pro pavarësisë", thotë Gjuranoviç.

Atmosfera në Podgoricë është acaruar edhe më tepër, sepse po afrohet momenti i marrjes së një ftese nga NATO-ja. Konsiderohet shumë e sigurtë që Mali i Zi të marrë që në fillim të dhjetorit dritë të gjelbër nga Aleanca, para së gjithash pas raportit të balancuar të progresit të BE, i cili u prezantua të martën.

Të dielën, protestat vazhdojnë. Por aktivisti Edin Koljenovic mendon se energjia e qytetarëve dhe pakënaqësia e tyre janë konsumuar. Opozitës do t'i duhet me siguri që të presë datën e rregullt për zgjedhjet në vjeshtën e ardhshme. Dhe deri atëherë, Mali i Zi do të jetë ndoshta anëtari më i ri i NATO-s.