1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

"Maksimumi i mbrojtjes së të dhënave?" - Kritika ndaj regjistrimit të popullsisë në Evropë

Viti 2011 është viti i numërimit të të gjithë popullsisë evropiane. Mbrojtësit e të dhënave kritikojnë para së gjithash pyetjet që lidhen me prejardhjen e qytetarëve. Eurostati shprehet se garanton sigurinë e të dhënave.

default

Pamje simbolike e regjistrimit të popullsisë në Gjermani

Përgjatë vitit 2011 duhet që të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të kryejnë regjistrimin e popullsisë sipas rregullores së BE-së të vitit 2008. Në Gjermani regjistrimi i popullsisë fillon më 9. Maj. Regjistrimi i fundit i popullsisë është i vitit 1987. Që nga ajo kohë kanë ndryshuar shumë gjëra. Por përse është i nevojshëm një regjistrim popullsie në nivel evropian?

Kësaj pyetje askush nuk mund t'i përgjigjet më mirë se sa drejtori i përgjithshëm i autoritetit evropian të statistikave, Eurostat, Walter Radermacher. "Për atë që jeton në BE, që merret me politikë dhe i duhet të marrë vendime, është i nevojshëm posedimi i të dhënave të krahasueshme për të njëjtin nivel, që nënkupton t'i shohësh së bashku të dhënat franceze, finlandeze e gjermane për shembull, dhe ato të korrespondojnë me njëra-tjetrën."

Deutschland Bundesrat Volkszählung Fragebogen von 1987

Formulari i regjistrimit në 1987-n Asokohe pati mjaft protesta në Gjermani

"Masë maksimale sigurie"

Jo çdokush është i lumtur me regjistrimin e popullsisë. Në vitet 80-të në regjistrimin e atëhershëm në Gjermani ka pasur protesta dhe bojkote, Gjykata e Lartë Kushtetuese e hodhi poshtë formularin fillestar të regjistrimit. Përplasjet e atëhershme i dhanë hov të madh fushës së mbrojtjes së të dhënave. Këtë herë rezistenca është e vogël.

Jan Philipp Albrecht, eurodeputet i Të Gjelbërve ka rezerva para së gjithash "për faktin se disa të dhëna personale do të memorizohen për vite më radhë derisa t'u vijë dita të interpretohen.

Drejtuesi i Eurostatit, Radermacher nuk do t'ia dijë për shqetësime të tilla: "Këtyre njerëzve mund t'u përgjigjesh relativisht thjesht, që regjistrimi i ri është i lidhur me një masë maksimale sigurie", thotë Radermacher, krahasuar kjo me ekonominë private.

Walter Radermacher

Walter Radermacher, drejtuesi i Eurostatit

Çfarë duhet të dijë shteti për migrantët?

Gjermania në këtë çështje madje i tejkalon rregullat e vëna nga BE. Për shembull do të ketë pyetje për sfondin e migrimit. Por kjo është pozitive, mendon drejtuesi i Eurostatit. "Politikanët nuk mund të bëjnë politikë migrimi në verbëri. Ata duhet të dinë nga migrantët: Ku punojnë këta njerëz, çfarë kualifikimi kanë ata, punojnë në profesion të lirë apo jo, etj. Për planifikimin, për shkollat, politikën e migracionit këta janë të dhëna të pazëvendësueshme.

Radermacher nuk përjashton keqpërdorimin e tyre për qëllime armiqësore kundër të huajve, por bazë është që zotërohen të dhënat zyrtare, dhe nuk askush nuk do të grindet më për vërtetësinë e shifrave, por për pasojat e tyre."

Edhe politikani i Të Gjelbërve, Albrecht nuk ka parimisht probleme me statistikat, të cilat japin të dhëna të rëndësishme për njerëzit me sfond migrimi. Por kjo duhet të jetë anonime, mendon ai. "Kur ato lidhen me persoin, atëherë mendoj mund të ketë situata problematike, si për shembull, që kjo e dhënë të memorizohet diku në gjendjen civile, apo zyrën e tatimeve, aty ku ajo nuk ka pse të ekzistojë si e dhënë."

Jan Philipp Albrecht

Jan Philipp Albrecht, eurodeputet i Të Gjelbërve

Gjurmët e përditshme në internet

Regjistrimi i popullsisë është një sheshbetejë kur bëhet fjalë për ruajtjen e të dhënave. Por a nuk ka rrezik për të dhënat personale që ne përditë japim në internet? Albrecht flet në mënyrë të diferencuar: "Sot ne e marrim si të vetëkuptueshme që në mënyrë masive mblidhen të dhëna prej nesh në internet, në rrjete sociale, zyra regjistrimi, të dhënat e kontos sime dorëzohen edhe në SHBA."

Shqetësimi është i madh kur dyshohet në respektimin e të drejtave për mbrojtjen e të dhënave personale. Albrecht shpreson që edhe Parlamenti Evropian ta çojë përpara çështjen e ruajtjes së të dhënave.

Autor: Christoph Hasselbach/Lindita Arapi

Redaktoi: Eliana Xhani