1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Makroekonomistët e Allianz-ës: Paketat e kursimit nuk e dëmtojnë koniunkturën në Evropë

Sipas bindjes së Allianz-ës rënia e euros do të nxisë fuqishëm rritjen ekonomike në euro-zonë. Në këtë mënyrë mund të balancohen madje efektet koniunkturore frenuese të programeve të planifikuara shtetërore të kursimit.

default

Krye-makroekonomisti i Allianz-ës, Michael Heise

Kështu beson makroekonomisti drejtues i koncernit të sigurimeve, Michael Heise. Sipas tij, për rivendosjen e besimit të tregjeve tek euroja nevojiten reforma institucionale të Sistemit Monetar Evropian (BME).

Para së gjithash nga SHBA vijnë vazhdimisht akuza, se Evropa i konsolidon në kohën e gabuar buxhetet e saj, tepër herët. "Unë nuk kam problem me atë që pas pesë ose dhjetë vjetësh të bëhen përpjekje për balancimin e buxhetit", i tha për shembull ekonomisti amerikan dhe fitues i çmimit Nobel Paul Krugman gazetës gjermane Handelsblatt. "Pyetja është nëse me të duhet filluar kur ekonomia gjendet shtatë ose tetë për qind nën kapacitetin normal dhe norma e interesit të referimit është tek zeroja." Tani, u shpreh Krugman, nuk është koha për t'u shqetësuar për deficitet. Michael Heise, makroekonomisti drejtues i grupit Allianz, i sheh gjërat krejt ndryshe:

Makroekonomisti i Allianz-ës gjykon ndryshe nga Krugman-i

"Besoj se kritika ndaj konsolidimit në Evropë çon në qorrsokak. Falë zotit edhe në Toronto kritika u dobësua ca, tonet janë bërë më pajtuese. Për sa u takon financave shtetërore hapësira e euros gjendet në një krizë besimi, dhe prej saj nuk dilet duke marrë hua të tjera shtetërore për të krijuar kërkesë, por duhet konsoliduar besueshëm në planin afatmesëm, në mënyrë që tregjet të fitojnë sërish më shumë besim tek euroja."

Euro / Euromünzen / Hartgeld / NO-FLASH

Monedhë metalike euro

Pra politika e kursimit është e domosdoshme për të rivendosur besimin e tregjeve tek euroja, beson Heise. Dhe: Ai dhe kolegët e tij kanë llogaritur, që efektet frenuese të programeve të kursimit mbi koniunkturën në hapësirën e euros mbivlerësohen:

"Natyrisht që do të ketë efekt kufizues, veçanërisht në vendet jugore ose ato periferike, ku programet e kursimit janë dhe duhet të jenë masive për të dalë nga kriza. Atje kjo do të dallohet në koniunkturë, por në hapësirën e euros në tërësi programet janë ndërtuar shumë gradualisht dhe për plan afatmesëm, kështu që efekti koniunkturor nuk do të jetë shumë i madh, dhe mund të kompensohet nëpërmjet zhvlerësimit të euros, që kemi përjetuar ndërkohë."

Efektet e kursimit dhe rënia e euros balancojnë njëri-tjetrin

Planet e kursimit për shëndoshjen e buxheteve shtetërore do ta zvogëlojnë produktin e brendshëm bruto në hapësirën e euros me rreth 0,5 për qind sivjet dhe më pak se një për qind vitin e ardhshëm, thonë ekspertët, por në të njëjtën kohë kursi i dobët i euros e rrit kapacitetin ekonomik me një vlerë të përafërt. Marrë së bashku dy efektet balancojnë njëri-tjetrin, besojnë ekonomistët e Allianz-ës.

Citat Heise:

Në masë të madhe kjo i detyrohet zhvelrësimit të euros, që shoqërohet nga një shtysë koniunkturore, e cila me gjasa do ta rrisë eksportin e vendeve të euros në planin afatgjatë me deri katër për qind. Dhe natyrisht kjo është e mirë për koniunkturën."

Nevojitet reformimi i paktit të stabilitetit të euros

Megjithatë, për ta nxjerrë euron nga kriza e besimit, sipas mendimit të Heises nuk mjaftojnë programet e kursimit, duhen zbatuar reforma institucionale.

"Sipas meje, këtu bëhet fjalë për një pakt të ri stabiliteti dhe rritjeje. Ai duhet reformuar rrënjësisht. Para së gjithash është fjala për krijimin e institucioneve, që kanë të drejta kontrolli dhe ndërhyrjeje në politikën financiare të vendeve të veçanta, kur gjërat dalin jashtë kontrollit. Kur bëhen të dukshme kriza të tilla huash duhet të ketë një institucion, që mund të ndërhyjë me efekt, që mund të kërkojë masa ndryshimi nga vendet e veçanta, ose që mund të kërcënojë me sanksione shumë masive, deri tek dalja nga Bashkimi Monetar Evropian."

Autor: Rolf Wenkel / Elert Ajazaj

Redaktoi: Mimoza Cika - Kelmendi

  • Data 30.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O6Iz
  • Data 30.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/O6Iz