1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

'Make Me a German' – Cili është sekreti i gjermanëve?

Ky ishte titulli i një dokumentari të realizuar nga BBC. Një familje britanike u zhvendos në Nyrnberg për të bërë jetën e një familjeje të mesme gjermane. Qëllimi i saj: të zbulonte sekretin e suksesit të gjermananëve.

Familja britanike përbëhej nga Bee Rowalt, bashkëshorti i saj Justin që punon si gazetar dhe moderator për BBC dhe dy fëmijët e tyre. Ata morën me qira një shtëpi me çmim mesatar, një makinë me vlerë mesatare dhe me vete kishin dy fëmijët e vegjël (dy të mëdhenjtë qëndruan në Britani). "Ashtu siç ushqehet shtresa mesatare në Gjermani, edhe familja jonë në bazën e përditshme të menysë kishte mishin e derrit, birrën dhe patatet. Kjo padyshim ishte pjesa më e lehtë", shkruan në blogun e saj shkrimtarja dhe prezantuesja Bee Rowalt.

Latte macchiato Mütter

Justini filloi punë në një kompani të mesme dhe detyra e tij e re ishte ajo e përgjegjësit të lapsave ngjyrues në fabrikën e Faber-Castell. Punëdhënësi i ri i Justinit demonstroi se gjermanët udhëheqin edhe në prodhimin e një produkti të thjeshtë si lapsi. "Kush mund ta mendonte këtë!", shprehet Rowalt. Në punën e tij të re të organizuar në mënyrë perfekte, Justin kuptoi shumë shpejt se gjermanët vlerësojnë punën në ekip dhe kujdesen për gjërat deri në detaje.

'Si? Unë duhet të bëhem shtëpiake?'

Rowalt shkruan se e pati shumë të vështirë në fillim të pranonte kur regjisori i kishte thënë se duhet rrinte në shtëpi gjatë gjithë kohës, pra të bënte rolin e një femre shtëpiake. Kjo për faktin se femrat gjermane punojnë më pak se europianet e tjera. Rreth 2/3 e nënave gjermane nuk kanë një punë. Një gjë e tillë nuk ishte llogaritur nga Rowalti. Gjithsesi asaj i pëlqen fakti që Gjermania udhëhiqet nga një femër.

'Ishte një luftë. Një femër shtëpiake në një familje mesatare harxhon saktësisht katër orë e 11 minuta kohë për punët e shtëpisë. Dhe kjo përditë e jo vetëm njëherë në javë, siç kisha menduar në fillim. Unë nuk e arrita këtë kuotë. Isha një dështake totale", thotë Rowalt.

Kujdesi për fëmijët dhe parja e tyre si pengesë për karrierën

Në kopshtet britanike fëmijët mbyllen në klasa, ndërsa në Gjermani ata dalin dhe shijojnë natyrën. Prandaj shkrimtarja dhe prezantuesja Rowalt shkruan më tej se ishte me fat që kishte marrë vajzën e saj të vogël me vete. Elsa vajti në Waldkindergarten, në një kopsht, i cili kishte pranë një pyll. Gjatë gjithë stinëve të vitit fëmijët janë në kontakt me natyrën. "Elsës i pëlqeu menjëherë dhe ngjitej nëpër pemë më miqtë e saj të rinj, ndërsa unë mund të kujdesesha për djalin dy vjaçar Will dhe të pija një kafe me nënat e tjera", tregon Rowalt. Edukatorja e kopshtit i tha nënës britanike: "Fëmijët janë të shëndetshëm dhe të lirë, dhe po deshën të ngjiten në pemë, atëherë le ta gjejnë edhe rrugën si të zbresin prapë poshtë." Britanikes ky qëndrim iu duk sa shokues, aq edhe për ta admiruar.

Gjysëm gjermanen e habiti fakti që vetëm 2 përqind e femrave në gjermane janë në pozicione drejtuese në kompanitë e mëdha, ndërkohë që në Britani kjo shifër është 14 përqind. "Isha dhe jam e habitur se si një vend kaq i zhvilluar nuk ka gjetur të gjejë një ekuilibër mes punës dhe karrierës. Fëmijët nuk duhen parë si pengesë në karrierë. Ekonomia gjermane ndoshta do të ishte më e fortë nëse të dyja gjysmat e popullsisë do të punonin në mënyrë të barabartë."

Duke parë ndihmën sociale që jep shteti,Rowalt i pyeti disa nga nënat gjermane se pse nuk duhet të punojnë. Përgjigja ishte e komplikuar dhe faktorë të ndryshëm: kishte përftime sa i përket taksave dhe mbështetje nga shteti për fëmijët. "Për mua është pozitiv fakti që shteti kujdeset shumë për nënat dhe fëmijët, por nga ana tjetër nuk më pëlqen fakti që nënat që punojnë paragjykohen. Kjo më duket e trishtueshme. Nuk është e lehtë të menaxhosh një familje dhe të punosh njëkohësisht", vazhdon Rowalt.

Për Justinin pak më vonë, kjo ishte një gjë e mirë, sepse bashkëshortja e tij ishte në gjendje të kalonte më shumë orë më fëmijët. Gjithsesi ajo thotë se edhe si shtëpiake mësoi shumë gjëra nga komshijtë miqësore që i mbështesnin, shpjegimet e tyre për ligjet dhe rregullat e qetesisë të së dielës.

Të blesh tek supermarketet e lirë dhe të kursesh 10%

Në bisedat me komshijtë e tyre padyshim ishte edhe tema e suksesit ekonomik. Si mund të bësh shumë punë në pak kohë? Shumë e thjeshtë: pa telefon. Pa telefonata private në orar të punës dhe pa SMS. Facebook? Gjithashtu jo. Bee Rowalt mësoi të bënte pazar si gjermanët në supermarkete si Aldi dhe Lidl. Ajo kurseu si një gjerman, rreth 10% të të ardhurave mujore, ndërkohë që britanikët kursejnë vetëm 1%.

Ajo qortonte ashtu siç bëjnë gjermanët. "Në çdo orë të ditës shqisat e mia ishin në vëzhgim të ambjentit dhe njerëzve përreth meje. Mund t'i vija në dukje gjithkujt se i kishte hedhur gabim mbeturinat, se bënte shumë zhurmë, se kishte parkuar gabim apo kishte veshur keq fëmijët", shkruan Rowalt në blogun e saj.

Efikasiteti gjerman do të thotë ditë pune më e shkurtër

Efikasiteti gjermane është i njohur në gjithë botën dhe për shkrimtaren kjo është një nga gjërat më të mira. Kjo ishte fjala magjike që familja e bëri për vete gjatë qendrimit në Gjermani. Një koleg i Justin në fabrikën e lapsave e kishte shpjeguar kështu: "Përqëndohu vetëm në një gjë dhe bëhe mirë." Kolegët nuk flasin shumë me njëri-tjetrin gjatë orarit të punës, prandaj në Gjermani edhe dita e punës është me shkurtër, nëse krahasohet me Britaninë e Madhe.

Në këtë mëynyrë njerëzit kanë edhe më shumë kohë për familjet e tyre. "Çdo gjë ishte ndryshe nga një ditë e zakonshme në Londër. Me shaka i thashë Justinit, se do të dëshiroja që ai të vazhdonte të punonte për fabrikën e lapsave. Ne e lamë Gjermaninë me një ndjenjë simpatie. Pavarësisht se jetova si shtëpiake kam kujtime të mira dhe mora disa leksione të rëndësishme: Nëse ne britanikët i fikim celularët gjatë punës, ku i dihet, një ditë mund të bëhemi si gjermanët", përfundon Bee Rowalt.