1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Müller-Holtkemper: "Menaxhimi i zgjedhjeve të bëhet me ekipe të depolitizuara"

Në një intervistë ekskluzive për DW Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller -Holtkemper, bën vlerësimin e zgjedhjeve dhe çfarë duhet të ndryshohet në favor të përmirësimit të procesit në të ardhmen.

DW: Cili është vlerësimi juaj për procesin zgjedhor, për mënyrën se si u zhvillua fushata elektorale, dita e votimit dhe faza e numërimit të fletëve në kutitë e votimit pas 23 qershorit?

Müller -Holtkemper: Ta themi që në fillim se këto zgjedhje parlamentare janë më të mirat të zhvilluara ndonjëherë. Nuk mund të përsëris deri në detaj observimet paraprake që ka bërë misioni i OSBE/ODIHR-it, por ca gjëra ja vlen t'i them. Megjithëse zgjedhjet më të mira, por sigurisht që ka hapësira për përmirësime. Ja psh, deri më sot Komisioni Qendror i Zgjjedhjeve është i pakompletuar dhe punon vetëm me anëtarët e mazhorancës. Ky është një nga kufizimet e procesit zgjedhor. Mendoj se në të ardhmen një institucion i qëndrueshëm, jo politik, tërësisht profesional është i nevojshëm. Dita e votimit në pjesën më të madhe ishte e qetë, përjashto raste të veçuara të përdorimit për fat të keq të dhunës. Rasti më i rëndë u shënua në qytetin e Laçit. Për ne ushtrimi i dhunës nga kushdoqoftë është tërësisht i patolerueshëm. Procesi i numërimit të fletëve të votimit dukshëm është më i shkurtër në kohë se herët e mëparshme. Por në disa qendra të numërimit ka pasur vonesa dhe zvarritje dhe këtu mendoj se ka shume vend për përmirësime të performancës në të ardhmen. Që procesi të jetë edhe më i shpejtë, që të angazhohen dhe përcaktohen njerëz brenda afateve ligjore nga ana e partive dhe jo të ketë emërime dhe ndryshime të anëtarëve të komisioneve të numërimit në fazën kur puna është në vijim. Kjo i jep mundësi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që ta artikulojë më herët rezultatin final të zgjedhjeve dhe do të shmangë mundësitë për rritjen e tensioneve.

DW: Nuk kemi ende rezultat zyrtar, por i sigurtë është fakti se është votuar në shumicë për rotacion politik. Si i konsideroni qendrimet e partive kryesore dhe liderëve të tyre pas ditës së votimeve?

Müller -Holtkemper: Vërtet nuk kemi rezultat final, por vendet në Kuvendin e ri thuajse janë përcaktuar në pjesën më të madhe, për të nisur nga puna në fillimi të muajit shtator. Unë uroj që procesi i finalizimit të numërimit dhe shpalljes së rezultatit përfundimtar të jetë sa më i shpejtë. E rëndësishme është që deri më tani një hap i madh është bërë përpara. kryeministri Sali Berisha e ka njohur humbjen dhe tani me shprese do vijohet me kalimin e butë të pushtetit për tek ish opozita që vjen në qeverisje.

DW: Ju përmendët më parë aspekte kritike të procesit zonja Ambasadore. Duke pasur parasysh dhe raportin paraprak të ekipit të vëzhguesve ndërkombëtarë, cilat do të ishin gjërat që duan ndryshim në favor të përmirësimit të procesit zgjedhor në të ardhmen?

Müller -Holtkemper: Mendoj se në përgjithësi personeli që angazhohet me zgjedhjet, duke nisur nga anëtarësia e KQZ-së, e komisionerëve të numërimit të fletëve të votimit, apo me administratorë të tjerë - këta duhet të jenë njerëz shumë të kualifikuar. Kjo është çështje e trajnimit të tyre, por dhe e përgjegjësisë së atyre që emërohen. Menaxhimi i zgjedhjeve të bëhet me ekipe të depolitizuara . Po ju marr rastin e Gjemanisë. Kemi zgjedhje parlamentare në shtator të këtij viti dhe si çdo herë ato do organizohen nga Zyra e Statistikave. Unë si shumë të tjerë në vendin tim nuk njoh asnjë prej tyre, as dhe si portret. Sepse është një proces me tipare profesionale dhe teknike. Nuk ka mbledhje të tensionuara apo kriza, ndaj dhe nuk njoh askënd prej tyre.

DW: Nga mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet e 23 qershorit a është përmbushur kushti politik për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE?

Müller -Holtkemper: Por le të themi se një test është kaluar. Zgjedhjet janë një arritje e madhe. Do të shikohet dhe mënyra e procedimit dhe aktivitetit në jetën parlamentare, ndërkohë që janë dhe dy çështje varur për të cilat ka pasur dakordësi në mbledhjen e Këshillit dhjetorin e vitit të kaluar. Këto dy çështje janë lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Dua të them se në këto dy aspekte ka ende shumë për të bërë.