1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Mësimi i hidhur i Aleppos: Krimet e luftës ia vlejnë

Megjithëse luftimet ende po vazhdojnë, regjimi i Sirisë arriti në Aleppo me ndihmë ruse dhe iraniane një fitore ushtarake. Skandali është që bota i sheh duarlidhur masakrat, mendon Rainer Sollich.

Ali Larixhani ishte njëri ndër të parët që dërgoi urime për çlirimin e Aleppos. "Populli sirian" arriti atje një "sukses kundër terroristëve", deklaroi Presidenti i Parlamentit iranian në bazë të agjencive të lajmeve.

Në të vërtetë kemi të bëjmë me një vetëlëvdatë të pacipë: fitorja ushtarake e regjimit të Assadit nuk do të kishte qenë e mundur pa mbështetjen masive të milicëve shiitë iranianë dhe të financuar nga Irani, si të Hizbollave libanezë. Dhe më e rëndësishmja nuk do të kishte qenë fare e mundur pa pjesëmarrjen aktive të Rusisë në formën e sulmeve më brutale ndaj kryengritësve të armatosur dhe të popullatës civile.

Jetët e njerëzve nuk luajnë asnjë rol

Deri vonë luftohej dhe luftohet edhe më tej, edhe bombardimet në Aleppo vazhdojnë. Jetët e njerëzve për të dyja palët nuk kanë asnjë rëndësi. Puna është si të asgjësohet kundërshtari - pa pyetur për humbjet. Sipas OKB-së, në ditët e fundit kanë ndodhur masakra të tmerrshme. Dhe edhe kur fitimtarët të arrijnë ta marrin edhe bllokun e fundit të shtëpive, ekziston frika për akte të tjera mizore.

Fitorja ushtarake e Assadit është e pandalshme, për aq kohë sa ai mund të mbështetet te aleatët e tij. Sapo i gjithë Aleppo të ndodhet me të vërtetë nën kontrollin e regjimit, me siguri që Bashar al-Assadi do të vërë në shënjestër zonat e tjera që ndodhen nën kontrollin e kryengritësve në rajonin Idlib. Pra lufta do të vazhdojë dhe do të kërkojë edhe shumë viktima të tjera. Kush ose çfarë mund ta ndalë ende Assadin?

Rainer Sollich

Rainer Sollich

Perëndimi ose e ashtuquajtura "bashkësi ndërkombëtare" me siguri që jo! Kombet e Bashkuara dështuan krejtësisht, siç pranoi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së që po largohet, Ban Ki Moon. Bota e sheh masakrën në Aleppo si dhe në pjesën tjetër të vendit krejtësisht duarlidhur. Diplomacia vërtet që vazhdon në maksimum - por pas saj nuk fshihet gjë tjetër veç një pafuqie të madhe: askush nuk i ndihmon civilët në hall! Edhe me Presidentin e ardhshëm të SHBA, Donald Trump nuk do të ndryshojë asgjë.

Asgjë nuk bëhet më pa Rusinë ose Iranin

Krimet e luftës ia vlejnë - ky është mesazhi i hidhur i Aleppos. Dhe një mesazh i dytë thotë: në Siri nuk bëhet dot më asgjë pa Rusinë dhe Iranin. Në Irak, në Liban dhe në Egjipt qeveritë mund të kenë simpati për një "rend" të tillë të ri në rajon. Por Arabia Saudite dhe emirate të tjera në Gji si zor që ta pranojnë këtë dhe do t'i armatosin në përputhje me këtë aleatët e tyre. Pra masakrat do të vazhdojnë.