1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Mësimi i gjuhës shqipe edhe në diasporë

Gjithnjë e më shumë po rritet kërkesa për mësimin e gjuhës amtare për fëmijët e emigrantëve që përkohësisht qëndrojnë me punë jashtë vendit. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës po punon për sigurimin e mësuesve.

Një numër i konsiderueshëm i shoqatave që veprojnë në Evropën perëndimore edhe në mënyrë zyrtare kanë kërkuar nga Ministria e Arsimit që të mundësojë dërgimin e mësuesve në diasporë për ti mësuar gjuhën amtare fëmijëve të emigrantëve. Sipas disa të dhënave që i publikojnë shoqatat nga diaspora, numri i fëmijëve të emigranteve gjithnjë e më shumë kanë vështirësi për të komunikuar në gjuhën e prindërve të tyre. Ministria e Arsimit dhe Shkencës për vitin 2013 -2014 do të vazhdojë të organizojë mësim në gjuhën amtare për nxënësit nga Maqedonia që qëndrojnë përkohësisht në vendet e jashtme. Sipas ministrit të Arsimit Spiro Ristovski, për momentin janë angazhuar 16 mësimdhënës ku 13 prej tyre paguhen nga ministria, ndërsa të tjerët janë në procedurën e sigurimit të dokumentacionit, apo vizës përkatse për qëndrim në ato vende ku do të punojnë.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka për detyrë të organizojë mësim në gjuhën e tyre amtare për fëmijët e qytetarëve të Maqedonisë të cilët përkohësisht qëndrojnë në shtetet e jashtme. Për këtë qëllim përmes konkursit publik zgjidhen arsimtarë të cilët realizojnë veprimtarinë edukativo- arsimore në Maqedoni në shtetet e tjera, sipas programit arsimor të përpiluar nga Byroja për zhvillim të arsimit”, thotë ministri Ristonski.

Spiro Ristovski, ministri i Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni Author: Fatos Musliu, shot in Skopje, on September 14 th

Spiro Ristovski

Diaspora ka një numër të madh fëmijësh

Në listën e arsimtarëve vetëm në Gjermani janë siguruar 7 vetë, ku 4 prej tyre janë për gjuhën maqedonisht, ndërsa 3 janë të angazhuar për mësimin në gjuhën shqipe. Në Zvicër ka tre mësimdhënës, në Suedi nga viti 1981 mësimin në vazhdimësi e mban një arsimtar në gjuhën maqedonisht dhe turqisht, nga një arsimtar që realizon mësim në maqedonisht ka në Francë, Slloveni dhe Turqi.
Në të gjitha këto shtete, mësimin në gjuhën amtare e ndjekin 1.500 vetë nga Maqedonia që jetojnë në shtetet perëndimore, prej të cilëve 1150 janë fëmijë, ndërsa 350 janë të moshuar. Në Gjermani aktualisht vijonë mësimin 140 nxënës shqiptarë.

Procedura e hapjes së klasës

Shoqatat e mërgimtarëve vlerësojnë se numri i mësuesve shqiptarë duhet të rritet sepse interesimi për të mësuar gjuhën amtare nga fëmijët e emigrantëve është në rritje e sipër. Ministria e Arsimit është e gatshme tu përgjigjet të gjitha kërkesave nga ana e diasporës, thotë zv.ministri i Arsimit, Safet Neziri duke shpjeguar procedurat përkatëse. Diaspora po punon në drejtimin e çështjeve procedurale të mbledhjes së nënshkrimeve nga ana e prindërve për arsimin fillor në gjuhën shqipe. Kërkesa u dorëzohet klubeve shqiptare të cilat janë të regjistruara në ato shtete ku jetojnë dhe veprojnë punëtorët tanë. Të njëjtat i dorëzojnë në ambasada, ambasada pastaj i përcjell në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë dhe prej aty vijnë tek ne në Ministrine e Arsimit. Normalisht në çdo kërkesë të diasporës shqiptare, ne mundohemi të pergjigjemi pozitivisht, sqaron Neziri. Me angazhimin e klubeve dhe shoqatave nga diaspora për vitin shkollor 2013-2014 pritet të rritet edhe numri i fëmijëve shqiptarë që mësojnë në klasat në gjuhën shqipe.

Për të vijuar mësimin në gjuhën amëtare duhet të shfaqin interes vetë familjet, prindërit pasi nxënësit janë të mitur, shprehet ministri Spiro Ristovski. Sipas tij qytetarët e interesuar për vijimin e mësimit në gjuhën amtare duhet patjetër të paraqiten në përfaqësitë diplomatike në shtetin përkatës. Në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike qytetarët mund të shfaqin interesimin dhe në bazë të këtij interesimi formohem paralele të cilët ne i përzgjedhim në konkurs pubik që shpallet çdo vit”, shprehet ministri.

Die Mazedonische Botschaft in Berlin Deutschland

Ambasada maqedonase në Berlin

Alarm te mërgimtarët për mësimin e shqipes

Mësuesit e fëmijëve shqiptarë në diasporë thonë se kanë vështirësi për të mbledhur një numër sa më të madh të fëmijëve. Jusuf Bajraktari është arsimtar në Suedi. Ai thotë se në vendin ku punon ka 6 mijë fëmijë shqiptarë nga Shqipëria e Kosova, por fëmijët e familjeve nga Maqedonia janë shumë pak të interesuar për të mësuar gjuhën shqipe. E njejta situatë është edhe në Danimark ku madje ka disa fshatra të tëra me shqiptarë nga Maqedonia por interesimi për mësimin e shqipes është shumë i ulët. Bajraktari u bënë thirje kryetarëve të komunave në Maqedoni që të paktën gjatë periudhës së verës kur mërgimtarët qëndrojnë në vendlindje të informojnë mërgimtarët se në vendet ku ata jetojnë egzistojnë shkolla për mësimin e gjuhës amtare. “Mësimi i gjuhës amtare nga fëmijët e familjeve nga Maqedonia është tejet i mangët. Mërgimtarët duhet të alarmohen për rezikun e mosnjohjes së gjuhës amtare”, thotë Jusuf Bajraktari, arsimtar në Suedi.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës e ndjek punën e arsimtarëve në diaspora përmes raporteve mujore që duhet të dorëzohen në përfaqësitë diplomatike-konsulare. Nxënësit të cilët vijojnë mësimin në gjuhë amtare paisen me dëftesa në përfaqësitë diplomatike-konsulare.