1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mësimet nga shpëtimi i Qipros

Si mundi të ndodhë kjo? Çfarë ndikimi ka kriza për masat të mëtejshme të kursimeve? Dhe a janë të sigurta dopozitat bankare, nëse situata keqësohet shumë? Parlamenti Europian bëri një bilanc paraprak.

default

Pamje nga bankat në Qipro të përfshira nga kriza

Vendimet e Eurogrupit për shpëtimin e Qipros nga falimentimi shkaktuan një vorbull të madhe në muajin mars, e cila nuk është qetësuar ende plotësisht. Një lloj bilanci të shpëtimit të Qipros u përpoq të bëjë Komisioni Ekonomik dhe Monetar i parlamentit Evropian. Në dy seanca shefi i Eurogrupit Jeroen Dijsselbloem, komisioneri i Çështjeve Monetare të BE Olli Rehn dhe anëtari i bordit drejtues të BQE Joerg Asmussen iu përgjigjen pyetjeve të deputetëve në pozitën e përfaqësueves të "shpëtimtarëve".

Një vorbull të madhe pati shkaktuar në mars paqartësia në lidhje me pjesëmarrjen e depozituesve të vegjël. Fillimisht edhe investitorët me më pak se 100 000 euro do të jepnin një kontribut për shpëtimin e bankave të falimentuara, edhe pse depozitat deri në këtë shumë janë në fakt të siguruara në BE. Eurogrupi u tërhoq në fakt nga ky projekt, por dëmi ishte bërë ndërkohë. Çfarë quhet e sigurtë? Dhe kujt mund t'i besohet ende? Këto pyetje që atëherë nuk kanë të reshtur.

Frika për depozitat e kursimeve

Zyperns Parlament stimmt über Spar- und Hilfsprogramm ab

Pamje nga Parlamenti i Qipros

Dhe me sa duket presidenti i Eurogrupit Dijsselbloem nuk i ka qetësuar dot kritikët me fjalët e tij në parlament: "Ata, që kanë përfituar nga rreziqet, në të cilat kanë hyrë bankat, duhet të mbajnë edhe shpenzimet", tha holandezi. Bankat qipriote u kanë ofruar investitorëve një normë shumë më të lartë interesi se sa konkurrentët e tyre evropianë. Kjo ka qenë e shoqëruar me një rrezikshmëri më të lartë, siç është konstatuar tani. Dhe në qoftë se depozituesit e vegjël janë ngarkuar, atëherë kjo ka ndodhur përmes një takse. Sigurimi i depozitave natyrisht që vlen, dhe nuk ka të bëjë aspak me këtë.

Por, për shumë deputetë këto janë justifikime. Socialdemokrati gjerman Udo Bullmann tha se bashkimi monetar "kishte qenë në prag të humnerës." Askush nuk ka qenë në gjendje të përjashtojë mundësinë, se një pjesëmarrje të investitorëve të vegjël qipriotë në të gjithë Evropën Jugore nuk do të kishte shkaktuar një stuhi mbi bankat. Konservatori francez Jean-Paul Gauzes, duke iu drejtuar Dijsselbloem-it, foli për një fiasko. "Ju e keni dëmtuar imazhin e Evropës. Sot gjithnjë e më pak njerëz kanë besim tek Evropa."

Mungon një mbikqyrje evropiane për bankat

Dhe kjo nuk është e gjitha. Megjithë përpjekjet për shpëtimin, njerëzit në Qipro duhet të përgatiten për një kohë të gjatë me mangësi. Asmussen parashikoi se "ekonomia qipriote do të tkurret ndjeshëm, në këtë vit dhe vitin e ardhshëm së bashku me 13%." Vetëm në vitin 2015 ajo do të rritet përsëri, dhe vetëm atëherë, kur sektori bankar të jetë konsoliduar. Nëse e këmben tërësisht një model biznesi, tha Asmussen, kjo nuk ështe një gjë e lehtë.

Zypern Banken Öffnung

Hapja e bankës Ljubljanka në Qipro

Një nga pyetjet më interesante ishte, si mundi të krijohej në Qipro kjo situatë dhe përse zgjati aq shumë, derisa u realizua një plan shpëtimi. Për këtë tre përfaqësuesit e BE-së bënë indirekt përgjegjëse palën qipriote, e cila ka kontrolluar shumë pak bankat e saj. Prandaj një mbikëqyrje bankare mbarëevropiane është tani edhe më e rëndësishme. Ky ndoshta është mësimi kryesor, që nxjerrin nga kriza e Qipros të gjithë përfaqësuesit e BE dhe me to edhe shumica e deputetëve.

Presidenti i Komisionit të BE Jose Manuel Barroso u ankua në një takim në Bruksel të hënën (06.05.2013): "Në qoftë se do ta kishim patur mbikëqyrjen bankare, ndoshta do të ishte penguar një dramë e përmasave të Qipros." Prandaj kriza e Qipros duhet t'i përshpejtojë planet për mbikëqyrjen bankare.

Troika si kokë turku

Shpëtimi i Qipros nga falimentimi nuk ka shkatuar vetëm entusiazëm. Shumë njerëz dolën në rrugë kundër masave për kursime dhe reforma. Edhe disa pyetje kritike të kolegëve të tij parlamentarë e bëjnë politikanin gjerman Verner Langen (CDU) të mendojë se disa e shohin problemin te trojka. Kjo e zemëron Langen. "Unë dua të theksoj shumë qartë, se përgjegjësinë për dëshmtimet e kanë vendet e prekura. Nuk është trojka problemi, ajo është zgjidhja." Në këtë mënyrë në parlamentin evropian u rihap përsëri debati për politikën e konsolidimit të përgjithshëm, i cili zien momentalisht në Evropë.

Franca është vënë në krye të vendeve të jugut, që kërkojnë largimin ose të paktën lehtësimin e masave të kursimit, ndërsa Gjermania nuk heq dorë prej tyre. Anëtari gjerman i BQE-së Asmussen e quan opcion të gabuar, që të zgjedhësh mes kursimit dhe rritjes. Të dyja janë të nevojshme. Por një gjë është e qartë: "Konsolidimi i buxhetit do të mbetet, duke marrë parasysh nivelet e larta të borxhit në bashkimin monetar." Mos po abuzon gjermani me funksionin e tij evropian për të imponuar qöndrimet gjermane? Asmussen i doli pyetjes përpara : "Edhe pse kam një pasaportë gjermane, mandati im është evropian."