1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Mësime nga Letonia

Republika baltike ka miratimin përfundimtar të ministrave të financave të BE-së për futjen e euros dhe ka filluar që tani t'u japë mësime vendeve të tjera. Letonezët e shohin veten si nxënës shembullorë.

Letonia mund të fusë në qarkullim euron vitin e ardhshëm. Ministrat e Financave të BE-së i dhanë vendit dritën e gjelbër në takimin e tyre të martën (09.07.2013) në Bruksel. Ishte pengesa e fundit në rrugën e gjatë të Lituanisë drejt monedhës së përbashkët. Kusht për këtë ishte që disa të dhëna të rëndësishme financiare dhe ekonomike si defiçiti, borxhi dhe inflacioni, të ishin në nivelet e nevojshme për një kohë të gjatë. Kjo ka ndodhur dhe madje treguesit kanë qenë më të mirë nga sa kërkohej. Por e gjitha u bë e mundur falë një kure të fortë në Letoni, e cila u krye në formë aq radikale dhe të shpejtë sa ndoshta në asnjë vend tjetër evropian.

Edhe Lituania kërkon futjen e euro deri në 2015

Qendra e kryeqytetit letonez, Riga, kisha e Shën Petrit

Letonia: Pas kurës së fortë në kurs rritjeje

Tre shtetet baltike ecin kështu në të njëjtin drejtim: Estonia e ka tashmë euron, Letonia do ta ketë nga fillimi i 2014-s dhe Lituania, e cila prej fillimit të korrikut mban presidencën e radhës të Këshillit të BE-së, synon ta fusë sa më shpejt, ndoshta në 2015. Ministri lituanez i Financave Rimantas Sadzius, sheh në hyrjen së shpejti në eurozonë të vendit fqinj dëshminë se "modeli ekonomik evropian dhe projekti evropian jetojnë".

Kryeministri i Letonisë Valdis Dombrovskis kishte ardhur gjithashtu në Bruksel dhe prezantoi monedhat e ardhshme euro të vendit të tij. Ai rikujtoi atmosferën e disfatës që mbizotëronte jo shumë kohë më parë: "Para disa vitesh pati madje spekulime për një shpërbërje të eurozonës. Por siç e shohim ajo në të vërtetë po rritet."

Kush ngurron e ka më të vështirë më vonë

Euro është tërheqëse dhe me Letoninë eurozona po shtohet me një vend, i cili nuk do të ketë nevojë së shpejti për ndihmë të huaj. Përkundrazi, Letonia ka më shumë gjasa t'u japë ndihmë të tjerëve. Këtë anëtarët e deritanishëm të eurozonës e shohin natyrisht me kënaqësi. Por tani atyre u duhet të dëgjojnë edhe mësimet që ka nxjerrë Letonia nga politika e saj e konsolidimit.

Ministri i Financave Andris Vilks këshillon para së gjithash për shpejtësi dhe konsensus. Të rëndësishme janë "vendime të guximshme dhe të shpejta të politikanëve dhe një dialog shumë i mirë shoqëror. Ne duhet të sqarojmë për opinion publik në vendet tona se çfarë duhet bërë, për të pasur një ekonomi të qendrueshme dhe konkurruese." Kush pret shumë gjatë për të bërë ndërhyrjet e nevojshme, e përkeqëson situatën dhe tek popullsia ngjallet ndjenja e "lodhjes".

Vilks la mënjanë faktin që jo të gjithë letonezët janë për futjen e euros. Kjo ka të bëjë më shumë me lajmet e këqija nga eurozona se sa me vetë situatën e Letonisë; miratimi nga ekonomia është praktikisht unanim; veç kësaj me anëtarësimin në BE Letonia është obliguar të ndjekë këtë kurs, për këtë arsye një referendum është i panevojshëm, tha ministri. Vilks shtoi me krenari se letonezët me reformat e tyre vendimtare fillimisht ishin të parët dhe pra të vetmuar. Sot kur të gjithë duhet të kursejnë dhe reformojnë, një politikë e tillë është më e lehtë të pranohet.

Me humor të mirë në pushimin e verës

Pamje simbolike: pushues me akullore në breg të detit

Jo atmosferë krize para pushimeve të verës

Këto fjalë ishin kritikë thuajse e hapur për qendrimin e vendeve si Greqia, por askush nuk e thotë me fjalë të qarta. Ministrat e financave të hënën (08.07.2013) sapo i kishin premtuar Greqisë para të tjera nga programi i ndihmës, megjithëse raporti përkatës i Troikës nuk ishte plotësisht pozitiv. Aktualisht, pak para pushimit të verës - në Gjermani edhe pak para zgjedhjeve parlamentare - me sa duket askush nuk dëshiron të përhapë atmosferë të re krize. Shefi i eurogrupit Jeroen Dijsselbloem sheh "shumë përparim. Kemi më shumë qendrueshmëri në tregjet financiare, shumë më tepër besim tek euro." Megjithatë ka ende shumë për të bërë, për shembull sa i takonin unionit bankar, i cili duhet të sigurojë që shpëtimi i bankave të mos bëhet në kurriz të taksapaguesve.

Ministrja austriake e Financave Maria Fekter mendon se "shqetësimi më i madh për Evropën nuk janë bankat, por papunësia shumë e madhe tek të rinjtë." Për këtë ajo dëshiron "pak më shumë dinamikë". Edhe për këtë letonezët kanë një përgjigje: reformat e tyre po japin tani rezultate në rritje ekonomike dhe vende pune. Duket se nxënësit shembullorë nga verilindja e Evropës do të kenë shpesh këshilla për kolegët e tyre.