1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Më shumë ushtarë për Afganistanin - Parlamenti gjerman vendos shtimin e trupës

Parlamenti gjerman miratoi shtimin e trupave të Bundeswehr-it në Afganistan. Numri i ushtarëve gjermanë do të rritet nga 4500 aktualisht në 5.350.

Ushtar gjerman në Afganistan.

Numri i ushtarëve gjermanë do të rritet nga 4500 aktualisht në 5.350.

Debati për strategjinë gjermane në Afganistan dhe misionin e ushtrisë gjermane në Hindukush, nuk ishte zhvilluar shumë kur ndodhi skandali. Në pultin e oratorit ishte deputetja Christiane Buchholz, nga partia opozitare "E Majta", që refuzon misionin në Afganistan, e cila tha: "Takimi me të mbijetuarit më ka bërë të qartë një gjë, doni apo nuk doni ju ta pranoni: Gjermania merr pjesë në një luftë kundër popullsisë së thjeshtë në Afganistan."

Në këtë moment deputetët e grupit parlamentar të partisë "E Majta" u ngritën në këmbë duke mbajtur në duar kartona ku ishin shkruar emrat e viktimave të sulmit ajror të NATO-s, në Kundus. Rreth 142 afganë humbën jetën shtatorin e kaluar, kur një cisternë e grabitur nga talibanët u sulmua nga bombarduesit e NATO-s. Sulmi ishte kërkuar nga një komandant gjerman.

Deputetët e grupit parlamentar të partisë E Majta u ngritën në këmbë me banderola në duar.

Deputetët e grupit parlamentar të partisë "E Majta" u ngritën në këmbë me banderola në duar.

Presidenti i parlamentit gjerman Norbert Lammert nga partia qeveritare CDU, nuk e pranoi demonstratën e heshtur të të majtëve në parlament: "Ju lutem të ulni menjëherë banderolat. Të gjithë kolegët, që nuk e pranojnë këtë kërkesë janë të përjashtuar nga seanca."

Mesazh që mund të keqintepretohet në Afganistan

Pasi deputetët e majtë u larguan nga salla dhe debati vazhdoi pa praninë e tyre, fjalën e kërkoi politikani Hans-Christian Ströbele, nga Partia Ekologjiste në opozitë. Sipas tij, lajmi për ngjarjen në parlamentin gjerman do të shkojë në Afganistan: politikanët që donin të kujtonin në parlament viktimat shkaktuara nga një urdhër gjerman, u nxorrën jashtë sallës. "Unë nuk e dua këtë. Mendoj se ky do të ishte një sinjal krejt i gabuar për Afganistanin, një sinjal krejt i gabuar për botën për mënyrën se si trajtojmë ne viktimat e luftës, për të cilën jemi përgjegjës vetë ne deputetët dhe Gjermania."

Por Lammert nuk lëshoi pe. Në këshillin e të moshuarve në Bundestag, është rënë dakord që demonstrimet të mos lejohen në sallën plenare dhe shkeljet dënohen me përjashtim nga seanca. Pas ndërhyrjes së kryetarëve të grupeve parlamentare të majtët u lejuan të hynin për të marrë pjesë në votim. Me shumicë të qartë Bundestagu miratoi shtimin e trupave të Bundeswehr-it dhe zgjatjen e mandatit të ISAF-it. 428 deputetë votuan pro, 111 kundër dhe 46 abstenuan.

Ministri i Mbrojtjes, zu Guttenberg

Ministri i Mbrojtjes, zu Guttenberg nuk doli të flasë për të bërë reklamë për misionin.

Ministri i Jashtëm, Westerwelle dhe ai i Mbrojtjes, zu Guttenberg nuk dolën në pultin e oratorit për të bërë reklamë për strategjinë e re të qeverisë gjermane për Afganistanin. Në vend të tyre folën oratorë nga grupet parlamentare të koalicionit dhe kërkuan miratimin e zgjatjes së misionit në Afganistan.

Eksperti i Unionit CDU/CSU për politikën e jashtme, Andreas Schockenhoff, tha se misioni në Hindukush mund të përfundojë vetëm kur prej tij të mos burojë më asnjë rrezik për bashkësinë ndërkombëtare: "Ne do të dëmtonim sigurinë tonë, nëse do të tërhiqnim trupat para kohe. Afganistani nuk duhet të bëhet më një shtet i dështuar, në të cilin terroristët të veprojnë kundër nesh."

Nuk është koha për tërheqje

Kryetari i grupit të Partisë Socialdemokrate në opozitë, Frank-Walter Steinmeier, megjithë votat pro të socialdemokratëve i tërhoqi vëmendjen qeverisë: "Mos e keqkuptoni qëndrimin e SPD-së: vota jonë nuk është kredi besimi për këtë qeveri. Për fat të keq ajo nuk e ka merituar atë me punën e 120 ditëve të para."

Steinmeier theksoi se grupi i tij parlamentar e mbështet misionin në Afganistan, por kërkon një perspektivë të qartë tërheqjeje për Bundeswehr-in.

Autor: Bettina Marx/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM

  • Data 26.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MD8X
  • Data 26.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MD8X