1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Më shumë ushtarë gjermanë për misionet paqeruajtëse të OKB-së

Gjermania mund të zgjerojë angazhimin e saj në misionet ndërkombëtare. Tërheqja nga Afganistani krijon mundësi për një gjë të tillë, tha ministrja gjermane e Mbrojtjes, von der Leyen, në Nju Jork.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, i ka ofruar Kombeve të Bashkuara një angazhim më të fortë të Bundeswehr-it. Kjo vlen sidomos për aftësitë teknologjike dhe drejtimin e misioneve, tha Ursula von der Leyen pas një takimi me Zëvendës-sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Jan Eliasson në Nju Jork. Aktualisht aktive janë 17 misione paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara me rreth 97.000 ushtarë, policë dhe ekspertë ushtarakë.

Eliasson ka kërkuar nga Gjermania një angazhim më të fuqishëm, duke pasur parasysh edhe faktin e lirimit të kapaciteteve pas tërheqjes nga Afganistani. Misioni luftarak i NATO-s atje përfundon pas gjysëm viti. Kërkesa e OKB-së tani do të shqyrtohet edhe pse për misione konkrete nuk është diskutuar ende, tha von der Leyen. Gjermania ka kapacitete kyçe dhe aftësi, të cilat nuk i kanë kombet e tjera.

Misioni i trajnimit të Bundeswehrit në Somali

Misioni i trajnimit të Bundeswehrit në Somali

Të përfshirë në 17 misione ndërkombëtare

Kohët e fundit presidenti gjerman Joachim Gauck kishte kërkuar një angazhim më të fortë të Gjermanisë në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare dhe me atë rast nuk ka përjashtuar edhe përdorimin e mjeteve ushtarake. Në luftën për të drejtat e njeriut, ose për mbijetesën e njerëzve ndonjëherë është e nevojshme edhe kapja e armëve, ka deklaruar kreu i shtetit gjerman gjatë vizitës së tij në Norvegji.

Republika Federale është aktualisht e përfshirë me 4600 ushtarë në operacione ndërkombëtare të OKB-së, NATO-s, apo BE-së. Operacionet më të mëdha të OKB-së janë misioni i marinës për zhdukjen e kontrabandës së armëve në Liban (134 ushtarë) dhe misioni paqeruajtës në Mali, në të cilën marrin pjesë 85 ushtarë të Bundeswehrit.