1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Më shumë ujë se verë - Kompromise deri në mungesë konturesh

Marrëveshja e koalicionit mes CDU/CSU dhe SPD përmban aq shumë kompromise sa nuk duken fare konturet e partive, komenton Volker Wagener.

Detajet që dolën javët e fundit jashtë dhomave të negociatave kishin edhe diçka torturuese. SPD kërkonte përcaktimin e një page minimale, CSU këmbënguli për futjen e një takse për përdorimin e autostradave për të huajt, barra tatimore duhet të mbetet ashtu si është, dhe në asnjë mënyrë të mos rritet ishte thelbi i mesazhit të kancelares.

E pra, paga minimale do të vendoset edhe pse pak më vonë, edhe taksa për përdorimin e autostradave, kur dhe në çfarë forme e niveli mbetet të sqarohet, dhe taksat nuk do të rriten - të paktën tani për tani. Edhe për nënshtetësinë e dyfishtë u vendos të paktën diçka. Fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj nuk duhet që në të ardhmen të vendosin deri në moshën 23 vjeç se cilën pasaportë duan të mbajnë. Çfarë do të ndryshojë saktësisht, mbetet e paqartë! Kjo është shija e përzjerjeve të kompromiseve, neutrale, dhe si e holluar.

Këtë neutralitet shijeje partia social-demokrate SPD do t'ja paraqesë tani bazës së saj. Kjo është një risi në historinë parlamentare të Republikës Federale të Gjermanisë. 473.000 social-demokratë mund të votojnë dy javët e ardhshme me rrugë postare nëse janë pro apo kundër marrëveshjes së koalicionit. Votimi është i vlefshëm në qoftë se në të marrin pjesë 20 për qind e anëtarëve të partisë. Nëse Gjermania do të qeveriset pra nga një koalicion i përbërë prej të djathtëve dhe social-demokratëve kjo varet nga gjykimi i rreth 100.000 anëtarëve të SPD-së.

Rrezik nga një hakmarrje e vonuar e kundërshtarëve të Shrëderit

Kjo është dhe pjesa më interesante e përpjekjeve për koalicion. SPD-ja përjetoi nën kancelarin Gerhard Schrëder një shtysë modernizimi. Kështu të paktën gjykojnë ithtarët e politikës së tij të reformave, e cila e detyroi një pjesë të popullsisë të përballej me shkurtime të ashpra. E ashtuquajtura politikë e Agjendës 2010 goditi veçanërisht shtresat e dobëta sociale. Pra kryesisht ata njerëz që zgjedhin SPD-në ose janë afër saj. Kritikuesit e Shrëderit e quajnë këtë edhe sot "një kasaphanë sociale". Partia SPD ende vazhdon të lëpijë plagët që u shkaktoi vetë njeriu i tyre. Një pjesë e bazës së partisë është për ndryshimin e kësaj politike. Ajo mund t'ja heqë nga dora udhëheqjes së SPD-së marrëveshjen për të cilën u negociua me aq mundim, pak para nënshkrimit. Gjendja në bazë është rebele. Do t'i ngjante një magjije, nëse lideri i partisë Sigmar Gabriel, do të arrijë t'ia servirë partisë këtë marrëveshje koalicioni si të pranueshme.

Tashmë po flitet për zgjedhje të reja si opsion

Arkitektura e brishtë për nga përmbajtja e projektmarrëveshjes së koaliconit do të shembej prej një Jo-je të anëtarëve të SPD-së. 100.000 anëtarë të SPD-së do ta shkundnin dhe trondisnin republikën. Pasojat do të ishin një koalicion tjetër apo dhe zgjedhje të reja. Kaq shumë tension politik është i rrallë në Gjermani, në vendin e proceseve të rregulluara të jetës publike. Dhe të gjitha mundësitë janë interesante. Pas zgjedhjeve është vënë pak në dukje se krahas mundësisë për një koalicion me bazë të gjerë mes CDU/CSU dhe SPD, ekziston edhe mundësia e një shumice parlamentare të majtë. Kështu të Gjelbërit, partia e Majta dhe SPD mund të qeverisin së bashku, nëse duan. Është rënë dakord që kjo mund të bëhet pas katër vjetësh. Pra, pse jo që tani? Gjithashtu i mundshëm është edhe një koalicion mes CDU / CSU dhe Aleancës 90/Të Gjelbërve. Edhe ky projekt është në listën e këtyre partive. Në Hesen sapo filloi nga puna një aleancë e tillë, për herë të parë kjo në nivel landi.

Dhe në rast se asnjë nga këto nuk bëhet atëhere zgjedhje të reja. Po ato nuk janë pa rrezik. Angela Merkel nuk ka gjë kundër. Zemërimi i zgjedhësve për qëndrimin refuzues të SPD do të bënte që kjo parti të binte nën nivelin e 20% të votave - kjo do të qe një katastrofë për partinë e Willy Brandt-it në përvjetorin e saj të 150-të. Dhe Angela Merkel mund të bëhet përfundimisht mbretëresha e Gjermanisë. Kjo në rast se partneri i deritanishëm FDP-ja nuk do të hynte sërish në Bundestag prej mëshirës së zgjedhësve.

Deutsche Welle Volker Wagener Deutschland Chefredaktion REGIONEN

Volker Wagener, analist i DW-së për politikën e brendëshme

Po tjetër?

Në rast se Gjermaninë e sheh nga jashtë ajo nuk ofron ndonjë gjë për t'u shqetësuar. Asnjë prej pikave, për të cilat është diskutuar për javë me radhë, nuk i intereson vërtet botës së jashtme. Nisur prej të ashtuquajturave tema me rëndësi botërore Gjermania mbetet ajo që ishte edhe më parë: një vend me politikë të jashtme të kalkulueshme dhe solide në financa. Vendet në krizë dhe me borxhe e dinë se ç'do të thotë kjo. Përndryshe, do të jetë interesante për të parë se si Gjermania do ta organizojë kthesën e saj në politikën e energjisë të shpallur vetë pas Fukushimës. Por për këtë çështje, e cila mbetet një nga çështjet më të rëndësishme të viteve të ardhshme, shkruhet shumë pak dhe në mënyrë shumë të paqartë në marrëveshjen e koalicionit, e cila gjendet në momentin e provës.