1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Më shumë trupa amerikane në Evropën Lindore - përse?

Prej shkurtit 2017, SHBA duan të zhvendosin në Evropën Lindore një brigadë të blinduar. Që të kënaqen të gjitha palët, ushtarët duhet të ndërrohen pa pushim me rotacion.

Presidenti i SHBA, Barack Obama e pakësoi gjatë mandatit të tij në mënyrë të dukshme praninë e ushtarëve amerikanë në Evropë duke tërhequr nga Evropa dy nga katër brigadat e stacionuara. Këtë hap Uashingtoni e ka kthyer tani pjesërisht pas. Prej shkurtit 2017 SHBA do të mbajnë të stacionuar në Evropë një brigadë të blinduar luftarake, e cila pritet të ketë gjithsej 4200 ushtarë.

Që trupat e NATO-s demonstrojnë forcë në territorin e ish-Traktatit të Varshavës, në thelb nuk është e re. Aleanca e Atlantikut Verior krijoi dy vjet më parë operacionin "Atlantic Resolve", sepse shtetet e NATO-s në kufi me Rusinë kishte kohë që ndiheshin të kërcënuara. Në kuadër të këtij operacioni, ushtarët e NATO-s demonstrojnë praninë e tyre në Evropën Lindore dhe Qendrore. Vëmendjen e tërhoqi para së gjithash operacioni "Dragoon Ride", në të cilin një autokolonë ushtarake e SHBA me tanke me rrota përshkroi një distancë që nga shtetet baltike një distancë prej 1800 km deri në Bavari.

Prani e përhershme e SHBA

Kjo prani e përkohshme e njësive të NATO-s në territorin e ish-Traktatit të Varshavës tani zgjerohet me brigadën luftarake të SHBA. "Simbolika është e qartë. SHBA u sinjalizojnë shteteve në Lindje dhe në Evropën Qendrore me mjetet e tyre të rënda ushtarake: 'Po të ndiheni të kërcënuar, në rast nevoje ne do të jemi pranë jush. Dhe ne po krijojmë struktura, që të mundemi të mbërrijmë më shpejt'", analizon eksperti i sigurisë, Otfried Nassauer nga Berlin Information Center for Transatlantic Security. Në letër, angazhimi i amerikanëve duket masiv: 4200 ushtarët do të pajisen me 250 automjete të blinduara (midis tyre rreth 90 tanke Abrams, topa obus dhe automjete luftarake ) si dhe rreth 1.700 automjete shtesë.

Që brigada e re është një përgjigje për politikën ruse, për këtë kryekomandanti i NATO-s, gjenerali Philip Breedlove nuk lë asnjë dyshim: "Me këtë ne vazhdojmë strategjinë për t'i siguruar aleatët tanë të NATO-s dhe aleatët e tjerë për mënyrën tonë të fortë dhe të përshtatshme të veprimit përballë një Rusie agresive në Evropën Lindore", tha ai. Për këtë prani, SHBA shpenzojnë para. Në fillim të vitit, Presidenti Obama deklaroi se do t'i katërfishojë shpenzimet për mbrojtjen në Evropë në 3,4 miliardë dollarë.

Hyn parimi i rotacionit

Por megjithatë, kjo brigadë e tretë e ushtrisë amerikane në Evropë dallohet nga dy brigadat ekzistuese në Gjermani dhe në Itali. Për njësinë shtesë vërtet sillen pajisje moderne në Evropën Lindore dhe Qendrore, por nuk pritet të ngrihen kazerma të reja në Poloni, Rumani, Bullgari ose në shtetet baltike. Edhe një infrastrukturë të gjerë amerikane me familje ushtarësh të stacionuar në mënyrë të përhershme nuk do të ketë. Përkundrazi: trupat dhe pajisjet do të ndërrohen çdo nëntë muaj dhe brigada do të ndahet në njësi të vogla në vende të ndryshme. Duket se e gjitha do të fillojë me Bullgarinë, Lituaninë dhe Rumaninë. Midis këtyre vendeve ushtarët do të ndërrohen rregullisht në rotacion. Një pjesë e madhe e pajisjeve do të stacionohet në Gjermani, në Hollandë dhe në Belgjikë.

Me këtë mënyrë veprimi, SHBA duan që nga njëra anë të demonstrojnë aftësinë e tyre për të zhvendosur trupa në një kohë të shkurtër, por nga ana tjetër edhe të respektojnë Marrëveshjen NATO-Rusi të vitit 1997. Në të NATO shpreh detyrimin që të mos stacionojë "në mënyrë të vazhdueshme" "trupa substanciale ushtarake" në Evropën Lindore.

Reagimet nga Moska

Ambasadori i Rusisë në NATO, Alexander Grushko i kritikoi të enjten planet e SHBA. Në një pozicionim për DW ai foli "për një hap tjetër, i cili fikson kalimin e NATO-s në modele konfrontimi". Nga ana tjetër, nga Moska erdhën edhe sinjale më pajtuese. Shpresohet që në dy muajt e ardhshëm të zhvillohet një takim i Këshillit NATO-Rusi, i tha një diplomat agjencisë së lajmeve Interfax. Ky do të ishte takimi i parë i forumit që prej shpërthimit të krizës së Ukrainës dy vjet më parë.