1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Më shumë shtysa - jo vetëm masa kursimi

Ndërkohë që vazhdojë negociatat për këmbimin e obligacioneve shtetërore greke, Trojka ushtron trysni për reforma strukturore në vend. Kryeministri Lukas Papademos po has në gjithnjë e më shumë qëndresë nga radhët e veta.

Banka Kombëtare e Greqisë

Banka Kombëtare e Greqisë

Në Athinë thuajse askush nuk do të çuditej me zgjatjen e negociatave për reduktimin e borxhit grek. Pokeri dhe bllofi janë pjesë e biznesit, mendojnë shumë komentues dhe presin që negociatat e vështira të përfundojnë brenda mesit të shkurtit. Grekët i shqetësojnë shumë më tepër rekomandimet e ekspertëve të ekonomisë për daljen e mundshme nga Eurozona.

Thanassis Mavridis, një njeri i fjalëve të qarta i cili bën pjesë në publicistët grekë më me emër për tema ekonomike, nuk e mbështet aspak daljen nga euroja. Veç kësaj, sipas tij një dalje e Greqisë nga Eurozona duket se nuk është as në interes të kreditorëve ndërkombëtarë; ndryshe fuqitë e mëdha evropiane do ta kishin vënë atë prej kohësh në jetë, beson eksperti i ekonomisë. „Kush merret seriozisht me pacientin grek, di të peshojë argumentet pro dhe kundër dhe duhet të arrinte detyrimisht në përfundimin se një dalje nga euroja nuk është opsion për askënd", mendon Mavridis. Me gjithë mungesën e madhe të reformave, ai është optimist se me ndihmën e partnerëve evropianë Greqia mund ta kapërcejë krizën aktuale. Por vendi ka nevojë pikërisht për partnerë dhe jo gjykatës. Është e gabuar të përdoret Greqia si një shembull ndëshkimi, mendon eksperti athinas.

Duhen zgjidhur problemet e shkaktuara nga vetë grekët

Kështu mendojnë ndërkohë shumë grekë, para së gjithash ata me të ardhura të ulëta, të cilët që prej fillimit të krizës shohin të zhduken të ardhurat e tyre. Meqenëse prej dy vjetësh në vend nuk bëhet asgjë pa miratimin e ekspertëve të huaj të ekonomisë, duhet të lejohet edhe pyetja nëse Trojka bën gjithçka si duhet, thuhet vazhdimisht në shtypin grek.

Dhjetor 2011, Klaus Masuch i Bankës Qendrore Evropiane mbërrin në ministrinë e Financave të Greqisë për bisedime mbi paketën e spëtimit

Dhjetor 2011, Klaus Masuch i Bankës Qendrore Evropiane mbërrin në ministrinë e Financave të Greqisë për bisedime mbi paketën e spëtimit

Mavridis është i sigurt se kush kërkon t'i vijë vërtet në ndihmë Greqisë nuk duhet të dënojë në mënyrë të përgjithshme të gjithë qytetarët me taksa të reja, por të shtyjë klasën politike të vendit në ndërmarrjen e reformave dhe heqjen e sistemit klientelist që frenon gjithçka. Në parim nuk mund të mohohet se problemet në pjesën më të madhe janë krijuar nga vetë grekët.

Nëse nuk shkulet me rrënjë korrupsioni i përhapur gjerësisht në Greqi, të gjitha të tjerat nuk kanë asnjë kuptim, mendon Mavridis. Evropa mund të ndihmojë duke ushtruar trysninë e duhur, për shembull për largimin nga puna të mijëra personave të cilët që prej vitit 2006 e kanë marrë statusin e nëpunësit falë lidhjeve politike pa kaluar në asnjë proces përzgjedhjeje, kritikon publicisti athinas.

Pakënaqësi në rritje

Pakënaqësia me politikën shprehet edhe në sondazhet aktuale: partitë popullore janë nën 30 për qind, partitë e majta të protestës po dyfishojnë përkrahjen e tyre, madje një parti pirate sipas modelit gjerman është themeluar kohët e fundit në Athinë dhe po merr mjaft mbështetje.

Megjithatë loja për pushtet e politikanëve në Athinë vazhdon dhe ka vënë në pozitë të vështirë edhe qeverinë e emergjencës nën drejtimin e kryeministrit Lukas Papademos.

Të martën (24.1.) kryeministrit të përkohshëm iu desh të pranonte një dështim me peshë simbolike në parlament: një ligj i cili duhej të liberalizonte oraret e hapjes për farmacitë u kundërshtua pasi kryesisht deputetë socialistë, pjesëtarë të koalicionit qeverisës, votuan kundër ose abstenuan. Ministri socialist i Shëndetësisë Andreas Loverdos deklaroi më pas se do ta prezantonte sërish ligjin në parlament.

Jo vetëm masa kursimesh, po edhe nxitje e zhvillimit ekonomik

Janë në radhët të parë masa të tilla për stimulimin e konkurrencës që i nevojiten shumë vendit, mendon Jorgos Dukidis, profesor për informatikë ekonomike në Universitetin e Athinës. „Ekonomia greke nuk mund të mbështetet vetëm në pagat e ulëta, shumë më e rëndësishme është rritja e produktivitetit dhe konkurrencës përmes hapjes së tregjeve", shpjegon eksperti i ekonomisë. Kuadri ligjor për investimet private aktualisht nuk është i besueshëm, favorizon burokracinë dhe shkakton kosto të larta për sipërmarrjet. Kjo duhet të ndryshojë sa më shpejt, kritikon profesor Dukidis. Paragjykimet në veri të Evropës se grekët janë përtacë dhe me kualifikim të dobët janë të gabuara, shpjegon profesor Dukidis. Por duhen krijuar kushtet e nevojshme që njerëzit të njohin dhe shfrytëzojnë potencialin e tyre.

Nëse deri tani prioritet kanë pasur uljet e pagave dhe rritja e tatimeve, ka ardhur koha që në rend të ditës të vihen masa modernizuese për ekonominë greke. Edhe Trojka duket se ka ushtruar trysni në këtë drejtim. Mbetet vetëm që partitë bashkëqeverisëse greke të votojnë për reformat, për të cilat thonë prej kohësh se i mbështesin.

Autor: Janis Papadimitriu / E. Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj

DW.COM