1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Më shumë se nëntë milionë civilë në Siri kanë nevojë për ndihma

Në një kohë që bashkësia ndërkombëtare po përpiqet që të ulë në një tavolinë për bisedime palët në konflikt, gjendja e refugjatëve në Siri sa vjen e po përkeqësohet edhe më shumë.

Sipas të dhënave të Koordinatores së ndihmave humanitare të OKB, Valerie Amos, janë rreth 9,3 milionë njerëz që presin ndihma nga jashtë për të pasur mundësi që të mbijetojnë për shkak të luftës civile që zhvillohet në Siri. Ky numër kaq i madh përbën gati gjysmën e popullsisë prej 22 milionë banorësh të këtij vendi. Amos para Këshillit të Sigurimit në Nju Jork tha se 6,5 milionë njerëz janë larguar nga vendbanimet e tyre për shkak të bombardimeve dhe sulmeve me artileri. Ajo i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që të ushtrojë trysni ndaj palëve në luftë që të krijojnë kushte në Siri për depërtimin e organizatave humanitare në zona ku mund t'ju ndihmojnë njerëzve në nevojë.

Ndërkohë këtë të martë(05.11) në Gjenevë të Zvicrës diplomatët e rangut të lartë të SHBA-së dhe Rusisë së bashku me të dërguarin e posaçëm të OKB,Lakhadar Brahimi do të përgatisin bisedimet për paqe për Sirinë. Konferenca do të zhvillohet në fund të këtij muaji në Gjenevë. Planifikimi i konferencës po bëhet i komplikuar për shkak të kushteve të vendosura nga kryengritësit dhe udhëheqja e presidentit Assad në Damask. Kështu aleanca opozitare e madhe siriane, Koalicioni kombëtar sirian (NSC) nuk merr pjesë në bisedime, nëse nuk ka një afat kohor për tërheqjen nga posti të presidentit Baschar al-Assad. Presidenti sirian nga ana e tij kërkon dhënien fund të mbështjes nga jashtë për kryengritësit.