1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Më shumë se diskriminim - Aktivistët nga vendet e Ballkanit akuzojnë Francën për racizëm

Pas sulmeve kundër policisë në korrik presidenti francez Nicolas Sarkozy deklaroi se sjellja e romëve në Francë "përbën problem". Në dy javët më pas 40 kampe u zbrazën dhe 700 romë u riatdhesuan në Bullgari dhe Rumani.

default

Përveç kësaj qeveria franceze do të shpërbëjë pjesën më të madhe të kampeve dhe do të riatdhetsojë romët që kanë kryer vepra penale.

"Ky nuk është thjesht diskriminim, mendoj se këto janë veprime raciste të presidentit Sarkozy dhe qeverisë së tij." Kështu shprehet Dervo Sejdic nga qendra për informacion e romëve në Bosnje-Hercegovinë, dhe është i bindur se luftimi i kriminalitetit është për qeverinë franceze vetëm një pretekst, për të marrë masa kundër romëve si popull. Kriminelë ka kudo, edhe tek romët, thotë ai, por përgjithësimi nuk është i lejuar.

Kriminaliteti ka bazë sociale

Dhe kriminaliteti i romëve ka në radhë të parë rrënjë sociale: "Ballkani është pjesa më e varfër e Evropës dhe romët ndodhen në nivelin më të ulët. Nëse në ngulimet e paligjshme të romëve ka kriminelë, vetëm këta persona duhen ndjekur penalisht."

Por aspektet sociale të problematikës së përgjithshme janë zhvendosur në sfond në atmosferën e ndezur rreth dëbimit të romëve. Është bërë një gabim: shpërbërja e kampeve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme është kthyer në një problem etnik duke mos qenë i tillë, thotë sociologu i njohur rumun Nicolae Gheorghe, prej vitesh i ngarkuari për romët i OSBE-së: "Është "etnizuar" një problem i cili e ka zanafillën në situatën sociale të këtyre njerëzve. Një strategji për përmirësimin e situatës duhet të vlejë shprehimisht edhe për romët, por jo vetëm për ta."

Dervo Sejdic, Zarije Seizovic dhe Jasna Baksic-Muftic

Dervo Sejdic, Zarije Seizovic dhe Jasna Baksic-Muftic

Integrim në vendin e origjinës

Dhe kjo strategji nënkupton para së gjithash një gjë: integrimin social të romëve në vendet e tyre të origjinës: "Është shumë e thjeshtë: njerëzit kanë nevojë për një burim të ardhurash, ata kanë nevojë për vende pune. Romët dhe joromët nga shtresat në nevojë të shoqërisë dhe me kualikim të ulët duhet të kenë mundësi shkollimi ose punësimi. Një shtresë e gjerë e popullsisë në Rumani është skualifikuar nga ekonomia dhe nuk ka më vend në shoqëri."

Në diskutimin për riatdhesimin e romëve përkrahësit japin shpesh argumentin, që romët janë me gjasë të paaftë të integrohen në një shoqëri. Kjo përshtatet me klishenë për njerëzit gjithnjë në lëvizje, të cilët me karroca me kuaj lëvizin nëpër katër cepat e vendit, por jo patjetër me realitetin, thotë aktivisti bullgar rom Rumian Russinov: "Kjo nuk është e vërtetë. Që gjatë komunizmit Bullgaria ka arritur më shumë në krahasim me vende të tjera të Evropës Juglindore, sa i takon integrimit të romëve. Dhe më shumë se Evropa Perëndimore. Nga rreth 800.000 romët në Bullgari, pothuajse gjysma janë të integruar në shoqëri."

Roma në Marsejë

Roma në Marsejë

Pesha politike është e vogël

Sintit dhe romët janë sot pakica më e madhe etnike në mbarë Evropën, numri i tyre vlerësohet në 8 deri 12 milionë. Megjithatë pesha e tyre politike është e vogël, pasi shpesh shoqatat e veçanta të romëve janë në konflikt me njëra-tjetrën. Kjo është edhe pasojë e historisë, shpjegon Rajko Djuric, një shkrimtar rom nga Serbia dhe president prej shumë vitesh i Unionit Ndërkombëtar të Romëve: "Romët janë të shpërndarë në të gjithë Evropën. Dhe kështu një popull që jeton në shumë vende dhe është përndjekur për shekuj me radhë e që ka përjetuar edhe Holokaustin, e ka thuajse të pamundur të gjejë fuqinë për t'u bashkuar dhe për të themeluar një parti politike."

Një familje rome dërgohet nga Franca në Rumani

Një familje rome dërgohet nga Franca në Rumani

Pa lobi dhe të stigmatizuar nga paragjykime të shumta, romët shpesh vihen në shënjestër të forcave politike të ekstremit të djathtë në Evropën Lindore. Vitet e fundit ka pasur sulme ndaj familjeve rome në Sllovaki, në Hungari apo Rumani. Dëbimet nga Franca mund të hedhin sërish benzinë në zjarr, thotë Rumian Russinov: "Unë shpresoj që shembulli francez nuk do të pasohet nga të tjerë. Nga shtete apo struktura raciste që ekzistojnë tashmë. Në Bullgari për shembull disa parti politike dhe medie të tilla kanë ngritur tashmë zërin dhe e quajnë "legjitim" racizmin e tyre. Ky është rreziku më i madh.“

Dhe në këtë drejtim do të kenë nevojë për ndihmë në radhë të parë vendet e Evropës Juglindore. Të vetme ato nuk do t'ia dalin mbanë të integrojnë romët dhe të ruajnë të drejtat e tyre si pakicë etnike, shprehet me bindje Rajko Djuric: "As Rumania, as Bullgaria e aq më pak Serbia nuk mund t'i zgjidhin këto probleme pa ndihmën e BE-së dhe pa kontrollin e tij. Ky proces duhet të vëzhgohet dhe shoqërohet në mënyrë të vazhdueshme nga BE-ja dhe institucione të tjera ndërkombëtare, ndryshe gjithçka është e mundur."

Autor: Zoran Arbutina/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 22.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PIyR
  • Data 22.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PIyR