1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Më shumë se 40 të vdekur nga atentate në Pakistan

Një atentator vetëvrasës shkaktoi të hënën e Pashkëve vrasjen e mbi 40 vetëve në qytetin Timargarah në veriperëndim të Pakistanit. Pak pas këtij atentati u sulmua edhe konsullata amerikane në Peshavar.

Një djalë i plagosur pas atentatit në Timargarah.

As fëmijët nuk kursehen - një djalë i plagosur pas atentatit në Timargarah.

Ngjarja që ndodhi të hënën e Pashkëve (5.4.), drejtohej kundër partisë nacionaliste të pashtunëve Awami, e cila është kundër talibanëve. Kjo parti ndjek një kurs politik jofetar dhe mbështet ofensivën ushtarake kundër radikalëve islamikë në kufi me Afganistanin. Sipas njoftimeve të televizionit shtetëror në mitingun ku ndodhi shpërthimi ishin mbledhur qindra pasues të kësaj partie, të cilët donin të festonin ndërrimin e parashikuar të emrit të kësaj provice në Veriperëndim të Pakistanit, që banohet kryesisht prej pashtunëve. Emri i vjetër Timargarah, që ekziston që prej periudhës koloniale britanike, do të zëvendësohet me emrin Khyber-Pakhtunkhwa.

Dhunë edhe në Peshavar

Vetëm pak orë pas shpërthimit në Timargarah u regjistruan disa shpërthime në afërsi të konsullatës së SHBA në Peshavar. Prej bombave, që shpërthyen rreth 20 metra larg ndërtesës së konsullatës gjetën vdekjen të paktën pesë vetë dhe u plagosën shumë të tjerë.

Pamje nga dëmet e shkaktuara pas shpërthimit në konsullatën e SHBA-së në Peshavar.

Sulm kundër konsullatës së SHBA-së në Peshavar.

Njoftohet se bombat ishin aktivizuar prej 8-10 personash që ishin veshur me uniforma të ushtrisë pakistaneze dhe për këtë arsye kishin mundur t'i afroheshin ndërtesës së konsullatës. Sipas reporterit të dpa-së, forcat e sigurimit të konsullatës dhe atentatorët kishin zhvilluar edhe këmbime të forta zjarri.

Ish-inspektori i policisë Afzal Shigri tha në një intervistë për programin anglisht të televizionit Al-Xhazira, se megjithëse sulmi arriti të zmbrapset me sukses ai është i shqetësuar: "Shqetësuese është se ata arritën të kalonin disa prej pikave të kontrollit, dhe të tilla ka edhe përgjatë brez të jashtëm të sigurisë. Mendoj se hetuesit duhet të shikojnë nëse ata kanë kontakte me forcat lokale dhe të gjejnë gjurmët e këtyre lidhjeve."

Shtëpia e Bardhë i dënoi ashpër sulmet ndaj konsullatës amerikane në Peshavar, qyteti më i madh në veriperëndim të Pakistanit.

Numri i atentateve në rritje, gjithnjë e më shumë viktima civile

Megjithëse qeveria pakistaneze ka vënë sërish nën kontroll shumë pjesë të këtij rajoni, talibanët që rrinë të fshehur në malet përreth vazhdojnë të kryejnë sulme ndaj Peshavarit dhe qendrave të tjera.

Peshavari në veriperëndim të Pakistanit, pranë kufirit më Afganistanin.

Peshavari në veriperëndim të Pakistanit, pranë kufirit më Afganistanin.

Gjatë dy viteve të fundit prej atentateve në Pakistan kanë gjetur vdekjen më tepër se 3000 vetë. Shumica e sulmeve janë kryer prej atentatorëve vetëvrasës nga radhët e talibanëve. Objekt i sulmeve kanë qenë kryesisht ushtarët, policët dhe ndërtesat shtetërore. Por muajt e fundit në shenjestër të islamistëve radikalë janë gjithnjë e më tepër edhe civilët.

Autor: Hans Ziegler / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 06.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MnyT
  • Data 06.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MnyT