1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Më shumë para për refugjatët

Kancelarja Angela Merkel dhe krerët e 16 landeve gjermane diskutojnë për valën e refugjatëve. Azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit kanë pak shanse për t'u fituar statusin e të përndjekurit politik.

Landet gjermane dhe komunat ndjehen të mbingarkuar valën refugjatëve. Në pesë muajt e parë të vitit 2015 në Gjermani kanë ardhur 140.000 azilkërkues, tendenca është në rritje. Në përgjithësi, autoritetet gjermane llogarisin këtë vit me rreth 450.000 azilkërkues. Kjo shifër do të jetë dy herë më shumë se vitin e kaluar. Shpenzimet për mbajtjen dhe përkujdesin shëndetësor për këta njerëz po i çojnë 16 landet gjermane dhe komunat që strehojnë refugjatë në limitet e tyre financiare.

Në një takim në Berlin kancelarja gjermane Angela Merkel u siguroi kryeministrave të landeve mbështetje të shpejtë "për zgjidhjen e mirë të këtij problemi të jashtëzakonshëm". Qeveria federale gjermane do të vërë brenda një afati të shkurtër një miliardë euro shtesë dhe në aspekt afatgjatë do të angazhohet financiarisht më të fortë se më parë.

Për sistemin federal në Gjermani një gjë e tillë është si një "revolucion", tha kryeministri i landit Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff. Deri tani rreth 90 për qind të shpenzimeve për azilkërkuesit i mbajnë landet dhe komunat.

Përveç kësaj, qeveria federale do të ndihmojë për përshpejtimin e procedurës së azilit dhe integrimin social të refugjatëve me "perspektivë të mirë për të qëndruar". Merkel theksoi se duhet bërë dallim midis "atyre që kanë ikur prej luftës dhe terrorit dhe kanë të drejtë për strehim dhe mbrojtje, dhe atyre që nuk e kanë një të drejtë të tillë."

Vendim më i shpejtë për kërkesat për azil

Mospasja e të drejtës për azil ka të bëjë kryesisht me azilkërkuesit nga vendet e Ballkanit, të cilët përbëjnë këtë vit thuajse gjysmën e atyre që kanë ardhur si refugjatë në Gjermani. Ata kanë pak shanse për t'u njohur si të përndjekur politikë, përqindja e njohjes së statusit të azilantit politik për ta është nën një për qind. Këta azilkërkues pritet të dëbohen më shpejt nga Gjermania.

Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina janë klasifikuar kohët e fundit me ligj si vende të sigurta, dhe për qytetarët e këtyre shteteve vlejnë procedurat e përshpejtuara të azilit. Përpjekja e landit të Bavarisë, që qeveriset nga CSU-ja, për ta shpallur edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi si vende të sigurta, nuk arriti të miratohet për shkak të rezistencës së landeve që qeverisen nga socialdemokratët SPD, të Gjelbërit dhe E Majta.

Kohëzgjatja e procedurës së azilit në Gjermani ishte vitin e kaluar mesatarisht shtatë muaj. Kjo synohet të reduktojë gradualisht. Për këtë, në Entin Federal për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) do të punësohen rreth 2.000 punonjës shtesë. Por ata përveç kërkesave të reja kanë edhe një mal prej më shumë se 200 000 rastesh të vjetra.

Luftë shkaqeve të emigrimit me më shumë ndihmë për zhvillimin

Përveç qeverisë, me problemin e shtimit të fluksit të refugjatëve u mor edhe Bundestagu. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha në një deklaratë qeveritare në lidhje me samitin e ardhshëm të Bashkimit Evropian, se sipas të dhënave të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët që nga fillimi i vitit rreth 100.000 vetë janë përpjekur për të ardhur në Evropë përmes Mesdheut.

"Tragjeditë që kanë ndodhur aty, na kanë prekur të gjithëve," tha Merkel. Ajo falënderoi ekipet e dy anijeve gjermane që kanë shpëtuar brenda disa javësh rreth 4.000 vetë prej avarive detare.

Merkel tha se për t'i luftuar në mënyrë më efektive shkaqet e emigrimit dhe të dëbimit Gjermania vitet e ardhshme dëshiron të vërë në dispozicion të ndihmës për zhvillimin edhe 8,4 miliardë euro më tepër. Në të njëjtën kohë duhet të forcohet bashkëpunimi me vendet e origjinës dhe të tranzitit të refugjatëve për të zvogëluar stimujt për migracionin e parregullt.