1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Më shumë kohë për reformat në Bundeswehr

Ministri i Mbrojtjes Thomas de Maizière dhe kancelarja gjermane Angela Merkel u thanë ushtarëve se reforma në ushtri ka ecuri të mirë. Shumë ushtarakë nuk pajtohen me optimizmin e tyre.

"Ripozicionimi i ushtrisë po lëviz me shpejtësi," tha ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maiziere, duke shprehur kënaqësinë e tij për ecurinë e reformave. Në konferencën e përvitshme të ushtrisë gjermane, Bundeswehr, e cila mbahet në Strausberg afër Berlinit, (22.10), ai pranoi se përmirësimet nuk mund të ndjehen ende, por se gjërat po lëvizin në drejtimin e duhur.

Kancelarja Angela Merkel madje e përshkroi Bundeswehr si një shembull edhe për reformat në fusha të tjera të shoqërisë gjermane. Por ajo dhe de Maiziere nuk arritën të prezantojnë raportin e plotë dhe të përkohshëm për riorientimin e ushtrisë gjermane.

Reforma është e pashmangshme

Panorama e sigurisë ndërkombëtare ka ndryshuar në mënyrë dramatike në 15 vitet e shkuara. Konfliktet janë bërë më të shumëllojshme dhe kërkojnë përgjigjen e duhur nga forcat e armatosura gjermane. De Maiziere tha se në të ardhmen, forcave të armatosura do t´u duhet të marrin përsipër më shumë përgjegjësi në mbarë botën. Merkel la të kuptohet se Mali, në Afrikën Perëndimore, me shumë mundësi do të jetë dislokimi i radhës. Është e papranueshme, tha ajo, që terroristët atje kanë gjetur një strehë të sigurt dhe se popullata civile vazhdon të vuajë. 

Ushtarët gjermanë pothuajse janë të përfshirë në operacionit e stabilitetit në Ballkan, në konfliktet e armatosura në Afganistan si dhe në sigurimin e vijave bregdetare të Somalisë. Sipas planeve të ministrisë së Mbrojtjes, rreth 10 mijë ushtarë do të vazhdojnë t´u përgjigjen me shpejtësi, fleksibilitet dhe për periudha afatgjata krizave dhe konflikteve në zona të ndryshme. Që nga viti 2010, ministria ka shkrirë kompetencat përkatëse në forcat e armatosura dhe ka eleminuar duplikimet. Vetëm numri i autoriteteve komanduese është reduktuar nga 42 në 25.

Zgjerime në programet e kursimit

Nga pikëpamja e mungesës së fondeve të buxhetit, detyrat e reja shohin të nevojshëm një program drastik me masa shtrënguese. Vendimi u mor për mbylljen e 31 zonave ushtarake deri në vitin 2017 dhe reduktimin e madhësisë së hapësirave për 90 të tjera. Projektet ushtarake do të kenë miliarda euro shkurtime. Do të blihen vetëm 140 avionë të rinj, dhe jo 177. Numri i helikopterëve luftarakë është përgjysmuar, me vetëm 40 të tillë. Por kursimet e mëdha do të bëhen me personelin.

Nga 500 mijë ushtarë gjatë Luftës së Ftohtë, tashmë nuk do të ketë më shumë se 183 mijë. Kjo jo domosdoshmërisht nënkupton se do të ketë shkurtime në radhët e ushtarëve. Që nga koha kur Gjermania pezulloi rekrutimet, në korrik të vitit 2011, forcat e armatosura përbëhen vetëm nga vullnetarë. Kjo njihej gjerësisht si një lëvizje e ndjeshme në ato kohëra, sepse vetëm një në pesë meshkuj të rinj rekrutohej çdo vit dhe sepse grumbullimi i rekrutëve të vlefshëm po zvogëlohet me pakësimin e popullsisë.

Pakënaqësi dhe kritika ndaj reformave

Por zvogëlimi dhe ristrukturimi i Bundeswehr ka çuar gjithashtu në frustrim dhe ndonjëherë edhe kaos. Kjo është vërejtur nga Komisionieri i Parlamentit për Forcat e Armatosura, Hellmüt Königshaus. Detyra e tij është të dokumentojë gjendjen shpirtërore në radhët e ushtrisë dhe të jetë personi i kontaktit për kritikat dhe shqetësimet.

Königshaus ankohet se ushtarëve u është dhënë informacion i paktë rreth reformave dhe ndonjëherë ata nuk e dinë se ku do të shërbejnë javën pasuese. Trupat pretendojnë se urdhrat e dhëna "nga lart, poshtë" nuk marrin parasysh këndvështrimet e tyre.

Në të njëjtën kohë, është bërë gjithnjë e më shumë e vështirë për të tërhequr rekrutë në ushtri, thotë ai. Numri minial vjetor prej 5 mijësh rekrutësh duhet të arrihet patjetër. Jo shumë kohë më parë, numri i kërkuar ishte 15 mijë. Për momentin, një karrierë ushtarake duket e pasigurt dhe një zgjedhje aspak tërheqëse për shumë të rinj.