1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Më shumë forca të specializuara me Blue Card

Ka dy muaj që në treg është Karta blu (Blue Card). Ajo u mundëson forcave të kualifikuara një rrugë të thjeshtë në tregun gjerman të punës dhe fitimin e shpejtë të së drejtës së qëndrimit.

Ajo i përngjan shumë letërnjoftimit të ri gjerman dhe Dautmammet Rejepov e mban atë me krenari në duart e tij: Kartën blu. Turkmeni ka ardhur në gusht në Hamburg nëpërmjet punëdhënësit të tij, gjigantit energjitik RWE. "Kompania ka një projekt kërkimor në vendlindjen time". Dhe natyrisht që i riu turkmen dëshironte të marrë pjesë në të.

Për Kartën blu (Blue Card) ai nuk kishte dëgjuar deri me ardhjen e tij në Gjermani. Por tani ai është shumë i kënaqur që atij iu mundësua aq shpejt për të marrë një leje qëndrimi në Gjermani. Ai që mëson mirë gjuhën gjermane dhe ka një kontratë të përhershme të punës ka mundësi që pas dy vitesh të marrë edhe lejen e përhershme të qëndrimit. Për Rejepov-in, vetëm 30 vjeç, kështu ka një "motivim ekstra" për të mësuar shpejt gjermanisht.

Fushat më të kërkuara

Dautmammet Rejepov dhe gruaja e tij Enesh Bashimova

Dautmammet Rejepov dhe gruaja e tij Enesh Bashimova

Por nuk është vetëm kjo që e gëzon ekspertin për gazin natyror dhe naftën. Marrjen e vendimit për të qëndruar në Gjermani ia bëri edhe më të lehtë fakti se ai kishte të drejtë të sjellë me vete edhe gruan e tij Enesh Bashimova. Edhe ajo ka marrë një leje qëndrimi me të cilën gëzon edhe të drejtën e punës. Ndryshe nga rastet e bashkimit familjar për emigrantët me kualifikim të ulët, asaj nuk iu desh të dëshmojë se ka njohuri për gjuhën gjermane.

Që nga gushti, ekziston Karta blu në Gjermani - dhe të paktën në Hamburg ajo ka zgjuar interesim të madh: qyteti port ka lëshuar tashmë 163 karta të tilla. Në nivel federal nuk ekzistojnë ende të dhëna. "Sidomos shumë u janë ndarë indianëve", thotë Birte Steller nga Qendra 'Welcome'. Ekspertët që duan të fillojnë një punë në Gjermani ndihmohen këtu në çështjet kyçe, Kartën Blu dhe jetën praktike. Sektorët me kërkesat më të mëdha përfaqësojnë ekonominë e Hamburgut: "Porti, aviacioni, sektori i anijeve, energjia e rinovueshme dhe lojërat kompjuterike", thotë Steller.

Frika nga Karta Blu

Në foto, Birte Steller

Në foto, Birte Steller

Steller e ka parë që në fillim me sy kritikë Kartën blu. Ajo kishte frikë se kuoata e vendosur minimale e të ardhurave prej 35.000 - 45.000 euro do të nxiste kompanitë gjermane që të marrin punëtorë nga jashtë në vend se ata t'i kërkojnë njëherë në vendin e tyre. Megjithatë, është shumë herët për të bërë një bilanc, zbut pak Steller qëndrimin e saj kritik: "Kjo pritet të shihet tani, ndoshta edhe pagat në përgjithësi janë të ulëta", thotë ajo.

Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Punësimit në Nuremberg, tetë për qind e kompanive nuk kanë arritur që gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 të plotësojnë të gjitha vendet e lira të punës për fuqi të kualifikuar. Kjo ishte me të vërtetë më pak se në vitin paraprak, por në përgjithësi nuk mund të flitet për një trend. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve ende arrin të plotësoj nevojat me punëtorë të kualifikuar por shumica nuk llogarisin që kjo gjendje të vazhdojë, shkruajnë shkencëtarët. Një arsye për këtë është plakja e shoqërisë. Sidomos në kompanitë më të vogla mund të jetë një problem nëse një vend i punës mbetet bosh për një periudhë më të gjatë, thuhet më tej.