1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Më shpejt në shtetet Shengen

Komisioni Evropian planifikon lehtësime në aplikimet për viza për joevropianët. për të lehtësuar tërheqjen e turistëve dhe sipërmarrësve. Europarlamentarët gjermanë reagojnë në mënyra të ndryshme.

Cecilia Malmstrëm buzëqesh e kënaqur. "Ka ardhur koha që diçka të ndryshojë", tha Komisionerja e BE-së për sigurinë të martën (1.4.2014) në Bruksel gjatë prezantimit për rregulla të thjeshtuara vizash për hyrjen në shtetet e Shengenit. Reforma e planifikuar parashikon disa gjëra: p.sh. shkurtimin e afatit, që u duhet autoriteteve për të vendosur për dhënien e një vize nga 15 në 10 ditë; udhëtarët do të marrin rregullisht viza të shumëfishta për tri vjet; kërkesat në të ardhmen do të jenë të mundura edhe online.

Një tjetër risi parashikon që pikat kufitare në të ardhmen të japin viza afatshkurtra. Sipas nenit 33 të projektligjit kjo duhet të nxisë turizmin. Por pikërisht kjo pikë shkakton zemërim tek europarlamentarja konservatore nga grupi i Partisë Popullore evropiane (EVP), Monika Hohlmeier: "Procedurat e shpejta në kufi mund të bien lehtë pre e përpjekjeve për manipulim", tha ajo në intervistë me DW.

Në kufijtë e BE do të ketë së shpejti procedura, që përshpejtojnë dhënien e vizave Shengen

Në kufijtë e BE do të ketë së shpejti procedura, që përshpejtojnë dhënien e vizave Shengen

Normalisht kontrolli i të dhënave më të rëndësishme të një aplikimi për vizë zgjat tri ditë." Hohlmeier beson se rregulli nuk do të nxisë turizmin por kriminalitetin. "Nga momenti që dikush hyn në zonën e Shengenit, i ka dyert dhe portat e hapura." Që tani ka shumë të ashtuquajtur "overstayer", të cilët qendrojnë në BE më gjatë nga sa lejohet. Thjeshtimet në rregullat për vizat do ta nxisin këtë më shumë.

Të gjelbrit i shohin pozitivisht ndryshimet e reja

Ska Keller ka tjetër mendim: "Lehtësimi i regjimit të vizave prek në radhë të parë ata, që udhëtojnë për biznes dhe turistët", tha politikania e gjelbër në bisedë me DW. Ndryshe nga Hohlmeier ajo është e kënaqur me projektligjin: " Këto janë propozime shumë të mira, për të cilat kemi pritur për një kohë të gjatë". Ndryshimet do të kenë efekt pozitiv para së gjithash në ekonomi. Këtë e beson edhe kritikja Hohlmeier: "Parimisht një përpunim transparent dhe i shpejtë i vizave në mbarë Evropën është pozitiv për ekonominë", thotë ajo. Autoriteti i BE-së llogarit me rreth 130 miliardë dollarë të ardhura shtesë për hotelet, restorantet dhe dyqanet. 1,3 milionë vende të reja pune do të ketë në sektorin e turizmit.

Ska Keller: Rëndësi ka që ndryshimet t'u sjellin diçka njerëzve.

Ska Keller: "Rëndësi ka që ndryshimet t'u sjellin diçka njerëzve."

"Sipas këndvështrimit tonë e rëndësishme është para së gjithash që ndryshimet t'i sjellin diçka njerëzve, të cilët udhëtojnë për në BE dhe deri tani u duhej të kapërcenin pengesa të mëdha", thotë politikania e gjelbër Keller. Këtë e bën për shembull një vizë, me të cilën një udhëtar mund të qendrojë një vit në Shengen, gjatë të cilit në një shtet të kësaj hapësire vetëm 90 ditë brenda një gjysmë viti. "Por edhe sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, për të cilin kanë nevojë deri tani qytetarët e vendeve jashtë BE-së, është një barrë e madhe, e cila tani do të hiqet", gëzohet Keller. Një barrë, e cila për shumë udhëtarë deri tani ka qenë shumë e madhe, siç vërteton me shifra komisionerja Cecilia Malmstrëm: "17 milionë njerëz kanë paraqitur kërkesë për vizë në BE vitin e kaluar", tha ajo. Më shumë se gjashtë milionë e gjysmë kanë hequr dorë nga një udhëtim në Evropë për shkak të procedurës së vizës." Komisioni i BE-së, tha Malmstrëm, pret nga thjeshtimet një "rritje, duke bërë më të thjeshtë udhëtimin në Evropë".

Turistët nga vendet jo anëtare të BE do ta kenë më lehtë në të ardhmen.

Turistët nga vendet jo anëtare të BE do ta kenë më lehtë në të ardhmen.

Kritika: liri në kurriz të sigurisë

Për Ska Keller ndryshimet duhet të ishin bërë prej kohësh: "Procedura e vizës është aktualisht shumë e komplikuar dhe një sfidë e madhe njerëzit, që kalojnë këtu pushimet, apo duan të vizitojnë dikë. Çdo hap, që e lehtëson atë, është shumë i mirëpritur."

Rregullat e reja do të vlenin për 22 shtetet e BE-së, të cilat aplikojnë plotësisht politikën e Shengenit për vizat. Britania e Madhe do të ishte kështu e përjashtuar. Që prej vitit 1985 shtetet e Shengenit i kanë hequr hap pas hapi barrierat në kufijtë e tyre. Në 14 qershor 1985 vendet e Unionit ekonomik të Beneluksit, Gjermania dhe Franca ranë dakord në afërsi të komunës Shengen në Luksemburg që të hiqnin dorë nga kontrollet reciproke të kufijve. Ndërkohë në hapësirën Shengen bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, të cilët nuk janë anëtare të BE-së. Qytetarët joevropianë shpesh për udhëtime në zonën Shengen duhet të kalojnë procedura të gjata, të komplikuara dhe të shtrenjta për marrjen e një vize. Ky detyrim është hequr për qytetarët e disa vendeve ndër të tjera të SHBA, Kanadasë, Brazilit, Argjentinës dhe Autralisë. Për këto vende aktualisht vlen rregulli, që mund të hyjnë pa vizë në Shengen dhe të qendrojnë atje maksimalisht 90 ditë brenda 180 ditëve.

Monika Hohlmeier: Nuk duhet lejuar mbështetja e turistëve në kurrizin tonë.

Monika Hohlmeier: "Nuk duhet lejuar mbështetja e turistëve në kurrizin tonë."

Parlamenti Evropian dhe shtetet e BE-së duhet të vendosin tani për miratimin e rregullave të reja. Ky proces do të fillojë në vjeshtë pas zgjedhjeve evropiane. Politikania e CSU-së Monika Hohlmeier nuk beson se projektligji do të miratohet në formën aktuale: "Në veçanti neni 33 nuk duhet të kalohet në asnjë mënyrë nga shtetet anëtare", thotë ajo. Sipas saj kërkesat e Komisionit nuk janë të balancuara. "Krahas lehtësimit të vizave duhet të hyjë edhe një sistem elektronik për leje udhëtimi, si për shembull sistemi Esta në SHBA dhe sistemi 'smart borders', me një regjistër hyrjesh dhe daljesh", thotë Hohlmeier. Sistemi "smart borders", i cili regjistron automatikisht, se kush hyn dhe kush largohet nga vendi, nuk është gati para pesë vjetësh. "Nuk mund të ketë nxitje të turizmit në kurriz të sigurisë tonë", thotë Hohlmeier.