1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Më pak vepra penale nga refugjatët

Sa krime në Gjermani kryehen prej refugjatëve? Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë nga janari deri në mars ka pasur një rënie të konsiderueshme nga më parë.

Gati një e treta e 69.000 krimeve të kryera nga refugjatët janë vjedhje, të ndjekura nga deliktet ndaj pronës dhe rastet e falsifikimeve (28 për qind). Në vendin e tretë renditen "deliktet që lidhen me ushtrim dhune dhe krimet kundër lirisë personale". Krimet seksuale përbëjë një për qind të të gjitha veprave. Statistikat për periudhën janar deri në mars përfshijnë edhe nëntë vrasje. Tetë prej të vrarëve ishin refugjatë, një viktimë ishte gjerman.

Të dhënat janë prej rasteve që janë duke u hetuar nga policitë e landeve dhe organet federale të ndjekjes penale, pra ato kanë të bëjnë me numrin e padive apo të hetimeve - por jo të dënimeve. Veprat penale klasifikohen në përputhje me veprat e të dyshuarve.

Nëntorin e kaluar, Policia Federale për Krimet (BKA) botoi me urdhër të ministrit të Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere për herë të parë një raport për gjendjen e krimeve në kontekstin e fluksit të refugjatëve. Me këtë raport synohej t'u pritej rruga pretendimeve dhe thashethemeve, se për shkak të refugjatëve po ndodhin shumë më tepër krime. "Në mënyrë që ekstremistët të mos nxisin emocione me thashetheme dhe gjysmë të vërtetave, ne duhet t'u kundërvihemi atyre me fakte," deklaroi në atë kohë de Maizière.

Thomas de Maiziere

#bbig#

Rënia e numrit të veprave penale

Që nga janari 2015 në Gjermani janë regjistruar më shumë se 1.2 milion refugjatë. Matur me përqindjen e tyre brenda kësaj shifre algjerianët, marokanët, tunizianët, serbët dhe gjeorgjianët dalin në tremujorin e parë "qartë në pah" si të dyshuar për krime. Kurse ndër sirianët, afganët dhe irakianët, që përbëjnë grupin më të madh në mesin e refugjatëve, numri i të dyshuarve, është "në mënyrë të konsiderueshme nën mesataren" në krahasim me përqindjen e tyre në numrin e përgjithshëm të refugjatëve, siç thuhet në gjuhën e autoriteteve gjermane.

Nga ana tjetër është rritur numri i informatave për anëtarë dhe simpatizantë të organizatave terroriste islamike jashtë vendit të cilët jetojnë në Gjermani. Në lidhje me këta të ashtuquajtur "persona të rrezikshëm" raporti nuk përmban jo shifra konkrete.

Numri i përgjithshëm i krimeve të kryera nga emigrantët në tre muajt e parë të vitit 2016 ka rënë me më shumë se 18 për qind. "Shumica dërrmuese e emigrantëve nuk kanë kryer asnjë krim", thuhet në raport. Megjithatë raporti i publikuar vetëm në një version të shkurtuar - raporti i plotë me shifra të detajuara është klasifikuar për përdorim të brendshëm.

Në nivel të lartë: dhuna ndaj refugjatëve

Raporti merret gjithashtu me krimet kundër refugjatëve. "Në nivel të lartë" vazhdojnë të jenë krimet e motivuara politikisht kundër strehimoreve të refugjatëve - në tremujorin e parë të vitit 2016 ka pasur gjithësej 345 krime të tilla. Gjatë viti 2015 numri i tyre ishte 1,027. BKA mendon se në të ardhmen në shënjestër të veprave të tilla penale do të jenë"vetë azilkërkuesit". Në këtë kuadër pritet të ketë edhe krime kundër politikanëve.