1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Më pak mbështetje për ekonominë shqiptare

Transfertat monetare të emigrantëve drejt Shqipërisë po bien nga viti në vit. Nëse në vitin 2007 ato zinin rreth 14 për qind të Prodhimit Kombëtar, gjatë këtij viti kuota nuk arrin as 5 për qind.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Emigracioni është një nga faktorët kryesorë me ndikim të drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik e social të Shqipërisë në 23 vitet e fundit. Rreth 30 për qind e popullatës ka zgjedhur largimin nga vendi, për një jetë më të mirë dhe dy destiancionet më të preferuara mbeten dy fqinjet anëtare të BE-së, Greqia e Italia, por emigrim ka dhe në vende të tjera europiane, në SHBA, Kanada etj. Duke zgjidhur problemet ekonomike personale në vendin pritës, kontributi i tyre vlen si mbështetje për familjet dhe të afërmit e tyre në vendlindje, të ardhura që gjenerojnë dhe sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.

Gjatë një aktiviteti të OJQ Hope for the Future

Gjatë një aktiviteti të OJQ "Hope for the Future"

Pas vitit 2008, në kuadër të krizës globale dhe në mënyrë specifike në vendet pritëse, dërgesat e tyre në Shqipëri, remitancat, kanë ardhur duke u rrudhur. Në bazë të shifrave zyrtare që ka publikuar Banka Kombëtare në Tiranë për 9 muajt e parë të vitit 2013 përllogaritet një rënie e remitancave në rreth 28 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. E përkthyer në vlerë kjo rënie është baraz me një fond prej 136 milion euro më pak të dërguara nga emigrantët pranë të afërmëve të tyre në Shqipëri. Se çfarë efekti negativ japin remitancat për ekonominë e vendit, kuptohet nga fakti që në vitin 2007, para fillimit të krizës financiare globale, ato arritën kulmin në një kuotë prej 900 milion euro, ose ishin rreth 14 përqind të Prodhimit Kombëtar. Për vitin 2013 shifra, sipas ekspertëve, pritet të jetë nën kuotën 5 për qind.

Rënia e kontributit të emigrantëve, impakt ekonomik e social

Presidenti i dhomës britanike të tregëtisë dhe industrisë në Shqipëri, Zenel Hoxha, mendon se rënia e kontributit të tyre ka dhe efekte të tjera. “Shpesh herë shifrat janë një nga mënyrat për të evidentuar një fenomen, ndërkohë që pasojat janë ato që duhet të identifikohen, në mënyrë që të mund të adresohen. Remitancat kanë qenë dhe mbeten burimi i vetëm i të ardhurave për shumë e shumë familje në nevojë. Rënia drastike e tyre ka ulur ndjeshëm konsumin duke thelluar më shumë varfërinë deri në kufijtë e ekstremes, pra, nxjerrë në pah shumë probleme sociale, si dhe një rritje të krimit në familje dhe shoqëri”, thotë Hoxha për DW.

Në foto, Zenel Hoxha

Në foto, Zenel Hoxha

Fenomenin e kthimit në vendlindje të emigrantëve, kryesisht si shtrëngim nga përhapja e krizës në vendet pritëse, Zenel Hoxha e shikon nga si një element pozitiv për komunitetin e biznesit. “Për arsye se ata sjellin me vete-nëse nuk kanë kursime të mjafta- njohuri dhe edukatë pune që gjeneron biznes. Konkretisht, nuk gjejnë një mjedis të përshtatshëm për të zhvilluar biznes, pasi nuk ka kushte tërheqëse që t'i përkrahin ndërkohë që edhe ato pak kursime që kanë janë të detyruar t'i përdorin për riintegrimin e tyre në shoqëri”.

Mbështetje për riintegrimin e të kthyerve në vendlindje

Kthimi i emigrantëve në vendlindje është një proces i vështirë social, ekonomik dhe psikologjik, sidomos për ata që në vendet pritëse kane hyrë ilegalisht dhe kanë qëndruar e punuar pa dokumentacion të rregullt. Për këtë kategori të kthyerish prej vitit 1999 kontribuon dhe organizata joqeveritare “Shpresë për të Ardhmen”, e cila ka si objektiv ndihmën dhe lehtësimin e procesit të riintegrimin të tyre.

Irena Dono, drejtore e organizatës thotë për DW se emigrantëve të kthyer u ofrohet një paketë shërbimesh që përmban mundësinë për të fituar një profesion pranë bizneseve të vogla ose të mesme, për një periudhë nëntëmujore; lehtësim punësimi; mbështetje financiare për ndjekje studimesh të larta dhe mbështetje financiare për kurse trajnimi.

Në foto, Irena Doro

Në foto, Irena Doro

“Shërbime të tjera, të cilat janë të domosdoshme për emigrantët e kthyer, përveç dhënies së informacionit për situatën dhe mundësitë që ekzistojnë në vend, janë këshillimi psiko-social, këshillimi ligjor dhe ndihmë financiare për raste të veçanta. Një komponent i veçantë i programit tonë është riintegrimi social ku përfshihen: Takimet periodike të quajtura “Shtëpia e Hapur”, që janë takime të lira, të hapura e ku të rinjtë bashkohen me njëri-tjetrin, shkëmbejnë eksperiencat e jetës dhe kalojnë disa orë të këndshme në shoqërinë e njëri-tjetrit. Ato shërbejnë për të socializuar të rinjtë me njëri-tjetrin, për të krijuar miqësi të reja dhe për t'i nxjerrë nga rutina e jetës së përditshme, por ka edhe takime ku diskutohen gjithashtu një sërë temash, të përgatitura sipas një kalendari të caktuar nga punonjëset sociale. Programi përfshin edhe aktivitete riintegruese kulturore, sportive dhe aktivitete të tjera të kohës së lirë”.

Irena Dono shton se rritja e ndërgjegjësimit për rrezikun e emigrimit të paligjshëm është komponent tjetër që është zhvilluar më shumë në vitet kur kishte fluks të madh. Ky komponent përfshin organizimin e takimeve me të rinj të shkollave të mesme të qyteteve të ndryshme të vendit. “Opinionet e të rinjve për rrezikun e migrimit të paligjshëm janë vjelë jo vetëm nga bisedat-debat, por edhe nga pyetësorët e shpërndarë për këtë qëllim”, thotë për DW Irena Dono nga organizata joqeveritare “Shpresë për të Ardhmen” në Tiranë.