1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Më lehtë është të fillosh luftën, se sa të arrish marrëveshje për paqen

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih u bisedua edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministrat Thaçi e Daçiq shpalosën qëndrimet e tyre për perspektivën e raporteve mes dy vendeve, shkruan shtypi gjermanofolës.

Gazeta Die Presse në shkrimin me titullin "Më vështirë është të arrish marrëveshje për paqë, se sa të fillosh luftën", shkruan se kryeministrat e Kosovës Hashim Thaçi dhe Serbisë Ivica Daçiq kanë paraqitur qëndrimet e tyre, se si mund të afrohen qëndrimet mes palëve, të cilat kanë luftuar mes vete në vitin 1999. Në prill të vitit 2013 ata kanë nënshkruar në Bruksel marrëveshjen për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. "Në fillim kemi menduar, nëse do t'i shtrëngojmë dorën njëri tjetrit dhe kemi pasur probleme për shkak të gjërave elementare. Ndërsa sot është krejt normale që një kryeministër i Serbisë me homologun e tij të ulet në një podium të përbashkët dhe për shumë gjëra, ndonëse jo për të gjitha, të ketë mendime të njëjta", deklaroi Daçiq. Ndërsa kryeministri i Kosovës tha, se "shumë më vështirë është të arrish marrëveshje për paqën, se sa të fillosh një luftë: "Popujt e vendeve tona nuk janë mësuar, që ne të nënshkruajmë marrëveshje dhe t'i zgjidhim problemet me marrëveshje. Në vendet tona ne me siguri që do të kishim më shumë mbështetje, sikur të mos e nënshkruanim ndonjë marrëveshje të përbashkët".

Die Presse shkruan se "Statusi i Kosovës mbetet çështja më kontestuese. Beogradi ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ndërsa kryeministri i Kosovës në këtë konferencë shumë herë e përsëriti se "statusi i Kosovës është i zgjidhur se kjo çështje nuk mund të rihapet. Ndërkohë që kryeministri i Serbisë nuk u largua i zemëruar nga takimi, por rrinte i qetë.

Në një bisedë për "Presse Online" Daçiq tha: "Shikoni, procesi ende nuk ka përparuar sa duhet, sepse palët edhe më tej kanë mendime të ndryshme dhe po kërkojnë zgjidhje, të cilat do të ishin të pranueshme për palën tjetër".

Gatishmëria për vazhdimin e dialogut

Në faqen zyrtare të Konferencës së Sigurisë në Mynih shkruhet se "kryeministrat Thaçi dhe Daçiq sërish e kanë konfirmuar gatishmërinë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve dhe i kanë ofruar popullit shqiptar dhe serb paqe dhe prosperitet".

Në panelin, ku si moderatore ishte shefja e diplomacisë evropiane Chaterine Ashton, u tha se "Evropa është shumë e rëndësishme për Prishtinën dhe Beogradin". Ashton ka bërë të ditur se Thaçi dhe Daçiq kanë mbajtur deri tani 21 takime me më shumë se 220 orë bisedime për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Në faqen e KSM thuhet po ashtu se Daçiq i ka bërë thirrje serbëve, "që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat do të mbahen këtë vit, ndërsa Thaçi u ka bërë thirrje serbëve për bashkëpunim".

Në këtë faqe thuhet se "debati për ardhmërinë e Kosovës është shndërruar në një shembull të diplomacisë së mençur".

Roli i Gjermanisë

Gazeta Sächsische Zeitung komenton qëllimet e Gjermanisë për një angazhim më të madh në arenën ndërkombëtare. "Ai, që mendon për një angazhim më të fuqishëm, do të duhej t'i analizojë së pari misionet e tanishme, ku merr pjesë. Në Kosovë ka pasur një sukses modest, ndërsa në Somali dhe Afganistan ka dështuar misioni. Qeveria gjermane shumë rralë e ka bërë të qartë se cili është qëllimi i saj në këto misione. Shumë pak njerëz kanë besuar në pohimet se paqja në Gjermani ruhet në Hindukush. Nëse Gjermania do të marrë më shumë përgjegjësi, atëherë duhet të kërkojë më shumë të drejtë të flasë në tryezat e rëndësishme politike. Për një vend të përhershëm të Gjermanisë në KS të OKB, deri tani nuk ka folur askush", shkruan gazeta.

Me tone të ngjashme shprehet edhe Neue Westfälische, e cila shkruan: "... në Evropë ka një lloj kënaqësie me zhvillimet në Kosovë, por në anën tjetër kërcënon rreziku i luftës civile në Ukrainë, që mund të shndërrohet në një problem shumë të madh për Evropën dhe Rusinë".

Me këtë problematikë merret edhe WAZ, i cili rikujton pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në misionet jashtë vendit: në Kosovë (dikur 8500 ushtarë gjermanë, e tani 780, me 27 të vdekur), në Afganistan (3200 ushtarë, 54 të vdekur), në Afrikë... Ata, që duan të kenë sukses në politikën e jashtme dhe të sigurisë, duhet t'i përgjigjen pyetjes: cilat janë interesat e përfshirjes së Gjermanisë në këto misione? Çfarë mund të ofrojë diplomacia e çfarë ushtarët? Në Afganistan misioni ka dështuar. Ndaj për një rol më të rëndësishëm duhet të ekzistojë edhe një koncept më i qëndrueshëm".