1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shqipëria 1990

Më kanë mbetur në kujtesë brohorimat, shpëtimi, dhe era e keqe.

Kujtime të Dr. Peter Platiel, mjeku që u kujdes për 3.200 shqiptarët në ambasadën gjermane në Tiranë, në korrik 1990.

Dr. Peter Platiel në bisedë me Deutsche Welle-n.

Dr. Peter Platiel në bisedë me Deutsche Welle-n.

Pas shumë zvarritjesh të qeverisë shqiptare Dr. Peter Platiel, asokohe mjek pranë MPJ gjermane, u nis më 4 korrik 1990 për në Tiranë. Misioni i tij përkujdesja për 3.200 shqiptarët që gjendeshin në territorin e ambasadës gjermane në Tiranë. Gjëja e parë që më bëri përshtypje, kujton sot Dr. Peter Platiel ishin bunkerët, që dukeshin si "puçrra të përhapura ngado që hidhje sytë. Një pamje absurde, kisha dëgjuar për to, por t'i shihje me sytë e tu ishte diçka krejt tjetër".

Refugjatë në ambasadën gjermane në Tiranë, korrik 1990.

Refugjatë në ambasadën gjermane në Tiranë, korrik 1990.

Ky nuk ishte misioni i parë i tij në një ambasadë "të pushtuar" nga refugjatët. Para rreth nëntë muajsh ai kishte qenë në Budapest dhe në Pragë për t'u ardhur në ndihmë mijëra qytetarëve të ish-RDGJ që kishin hyrë në ambasadën e RFGJ në Hungari dhe në ish-Çekosllovaki. Por misioni dhe situata në Tiranë ndryshonte shumë nga ajo në Pragë: "E para, edhe pse si në Budapest edhe në Pragë kishte shumë më tepër refugjatë se sa në Tiranë, ata flisnin gjermanisht, kurse në Tiranë kishte me sa më kujtohet vetëm nja pesë vetë që flisnin anglisht. E dyta, si spitalet e Pragës dhe të Budapestit na mbështetën mjaft mirë, kurse në Tiranë kjo nuk u lejua, madje nuk u lejuan as medikamentet e dërguara nga Gjermania me korier diplomatik."

Gjendja në ambasadë, kujton Dr. Peter Platiel, ishte mjaft e rëndë, strukturat higjenike ishin katastrofale, një grup njerëzish hynin, të tjerë dilnin, personel mjeksor ndihmës nuk kishte dhe punonjësve të ambasadës iu desh të ndihmonin. "Kryesekretarja e ambasadës u bë pas disa ditësh një ndihmësmjeke e shkëlqyer" - thotë Platiel.

Refugjatë në ambasadën gjermane në Tiranë, korrik 1990.

Refugjatë në ambasadën gjermane në Tiranë, korrik 1990.

"Muri i ambasadës ishte i mbluar me copa xhami dhe kishim raste që kishin nevojë për ndërhyjre kirurgjikale. Ata që mjekoja shtriheshin nëpër kartonë. Shumë herë vizitat mjeksore vazhdonin deri në mesnatë. Jam ndeshur me gjithfarë sëmundjesh, kolika veshkash, kriza azmatike, diare. Madje patëm një rast që na erdhi një nga refugjatët që kishte një frakturë të femurit dhe kishte edhe temperaturë të lartë. U përpoqa por nuk munda ta ndihmoja më dot në ato kushte dhe e dërguam në spital, se ndryshe do të kishte vdekur. Po nuk e di se ç'u bë më tej me të, pyetëm disa herë me këmbëngulje, por nuk na ktheu njeri përgjigje, nuk besoj se kjo histori ka përfunduar mirë."

Për shkak se njerëzit i kryenin nevojat personale ku të mundeshin dhe ambasadës i ishte prerë uji kishte rrezik të shpërthente ndonjë epidemi me diare, e cila do të kishte pasoja vdekjeprurëse sidomos për 50-80 fëmijët që gjendeshin aty. Në ato kushte, kujton mjeku, fëmijët mund të ishin dehidratuar, mund të ishin tharë brenda 4-5 orësh. Për fat kujton ai dy herë në ditë vinte një makinë uji, që shpëlante të pëgërat.

Struktura higjenike katastrofale.

Struktura higjenike katastrofale.

Rasti më i vështirë ishte ai i një gruaje shtatzënë. "Kur filluan dhimbjet e lindjes fillova të dridhesha nga brenda, se nuk kisha me vete medikamente për dhimbjet e lindjes. Dhimbjet më pas pushuan dhe unë dhe zëvendësambasadori Daum, dolëm në Tiranë për të kërkuar medikamente. Nga pas na ndiqnin njerëz të Sigurimit. Gjithësesi i gjetëm medikamentet që donim dhe kur më në fund ajo lindi, u lehtësova. Ishte vajzë. Nuk e kam parë më që atëhere, por mbaj mend që një nga punonjësit e ambasadës bënte shaka dhe thoshte se do t'ia vinin emrin Platiela, sipas mbiemrit tim."

Edhe pse ditët e misionit në Tiranë ishin të shkurtra, kujtimet për Dr. Peter Platiel janë të shumta: brohoritjet pas ndeshjes Gjermani : Argjentinë, ku Gjermania fitoi 2:1; era e tmerrshme e fekaleve që vinte kudo, njerëzit që sado e vështirë që bëhej gjendja në oborrin e ambasadës nuk donin të ktheheshin në vendin e tyre, ku dukej se kishin humbur çdo lloj shprese; provokimet nga ana e punonjësve të Sigurimit të Shtetit një tension i vazhdueshëm gjatë gjithë atyre ditëve.

"Gjithësesi për mua në fund e gjitha ishte si një çudi, se si ne ia dolëm t'i regjistronim, fotografonim dhe t'i pajisnin me dokumente udhëtimi 3200 vetë. Kur më në fund të gjithë refugjatët u larguan nga ambasada tensioni mori fund. Nga ato ditë më kanë mbetur në kujtesë këto gjëra: brohorimat, shpëtimi, dhe era e keqe."

Autorë: Vilma Filaj-Ballvora / Pandeli Pani

Redaktoi: Eliana Xhani


  • Data 27.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PpQq
  • Data 27.10.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PpQq