1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Më e mira do të ishte një proces në Hagë" - Urdhërarresti kundër Gadafit

Udhëheqësi i revolucionit libian Gaddafi është i dyti kryetar shteti, kundër të cilit Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) ngre urdhërarresti. Në këtë mënyrë rritet shpresa për një fund të shpejtë të diktaturës së tij.

default

Vendimi i gjykatës së Hagës është konsekuent dhe një fitore për të drejtat e njeriut. Në mes të majit kryeprokurori i ICC Luis Moreno-Ocampo lëshoi urdhërarrestin. Moreno-Ocampo paraqiti ndër të tjera dëshmi, që Gaddafi kishte urdhëruar personalisht sulme ndaj civilëve të paarmatosur. Regjimi i pushtetmbajtësit Muammar al Gaddafi, sipas hetimeve të kryeprokurorit, ka dhënë urdhër për të qëlluar demonstruesit paqësorë në vende të ndryshme. Arrestimet, torturat, deri tek vrasjet kanë qenë për vite me rradhë mjetet e pushtetmbajtësit. Në se përdhunimet masive, një akuzë monstruoze kundër sistemit të Gadafit, mbanin gjithashtu vulën e regjimit të tij despotik, nuk është e qartë. Për këtë organizatat për të drejtat e njeriut nuk kanë qenë deri tani në gjendje të japin dëshmi bindëse.

Presioni ndaj Gadafit rritet

Dhe megjithatë: Akuzat të mbështetura në prova kundër Gadafit dhe njerëzve të besuar të tij bazohen në analizat e më shumë se 1200 dosjeve dhe në marrjen në pyetje të më shumë se 50 dëshmitarëve. Ato duhet të bëjnë të mundur dënimin e udhëheqësit të vetëshpallur të revolucionit sipas normave të vlefshme ndërkombëtare.

Në qoftë se procesi do të zhvillohet ndonjëherë. Sepse urdhërarresti është i zbatueshëm politikisht, vetëm nëqoftëse rebelët fitojnë. Prej gati tre vjetësh ekziston një urdhërarrest i ICC kundër presidentit sudanez Al Bashir për genocid. Por ai është ende në pushtet. Me urdhërarrestin ndërkombëtar rritet presioni ndaj Gaddafit, për t'u larguar nga Tripoli. Urdhërarresti ushqen shpresën se sistemi i tij, që po tregon ndërkohë të gjitha shenjat e erozionit, do të shkatërrohet plotësisht. Siç duket, rebelët janë duke përgatitur një betejë vendimtare për të marrë Tripolin.

Daniel Scheschkewitz

Daniel Scheschkewitz

Ngushtohen rrugët e arratisjes

Rrugët e mundshme të Gaddafit për të ikur në vende të huaja janë ngushtuar me vendimin e gjykatës të Hagës. Numri i vendeve, që do ta pranonin dhe ku ai do të ishte i mbrojtur nga zbatimi i ligjit ndërkombëtar, është ngushtuar. Uganda për shembull, ku Gaddafi ka pasuri të shumta dhe kontakte të mira, bie si vend i mundshëm emigrimi, sepse ky vend bashkëpunon me gjykatën e Hagës. Ndryshe qëndrojnë punët me Sudanin, një vend fqinj i Libisë, prej të cilit Gaddafi rekruton pa fund mercenarë dhe ku ai mund të vendosej. Kudo që të shkojë Gaddafi dhe të besuarit e tij të ngushtë, nga një gjë duhet të ruhen vendet e koalicionit ushtarak ndërkombëtar kundër Gadafit: që të zgjedhin për të një vend emigrimi, që e mbron nga një proces i Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Atëherë do të vihej në lojë kredibiliteti, gjithsesi i dëmtuar, i perëndimit.

Dënimi i tij mësim historik

Një proces para gjykatës së Hagës do të ishte më e mira edhe për Libinë postrevolucionare. Mund ta mbronte vendin nga linçimi politik dhe nga lufta civile. Një dënim ligjor i krimeve, qoftë edhe jashtë vendi, do të ishte sigurisht më i dobishëm për vendin dhe zhvillimin e tij demokratik se sa një proces spektakolar politik. Në Hagë Gaddafit do t'i kërkohej llogari me mjetet e shtetit juridik për shkeljet e të drejtave të njeriut. Në vend të hakmarrjes, hulumtimet serioze dhe ligji i së drejtës ndërkombëtare do të çonin në një dënim të drejtë. Ky do të ishte një sinjal për të gjithë tiranët e kësaj bote dhe mund t'i shërbente një ditë si mësim Libisë së çliruar.

Autor: Daniel Scheschkevitz

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM