1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Më e lirë, më e vogël, më e mirë? - E ardhmja e Bundeswehrit

Bundeswehri, ushtria gjermane po përjeton reformën më rrënjësore të 50 vjetëve të fundit: kazerma mbyllen, vende pune shkurtohen në mënyrë masive. Ç'pamje ka e ardhmja e Bundeswehrit?

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Komuna Seeth në veri të Gjermanisë ndodhet në një peizazh idilik, në provincën e landit të Shlesvig-Holshtajnit. Aty jetojnë rreth 700 vetë, po kaq ushtarë dhe punonjës civilë punojnë në kazermën Stapelhormer. Punojnë akoma, sepse për pak vite kjo kazermë do të mbyllet. Kazerma Stapelhormer është një prej më shumë se 30 kazermave të Bundeswehrit, të cilat ndodhen në listën për t'u mbyllur nga ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere.

Për rajonin, ky mesazh është një shok: familjet e atjeshme mund të shpërngulen, dyqane dhe qendra artizanatesh mund të mbyllen, të cilat deri tani kishin përfituar gjithmonë nga fuqia blerëse e ushtarëve. Madje edhe kopshtet dhe shkollat duhet të mendojnë si do t'u vejë puna. Se çfarë do të ndodhë me territorin e kazermës, kjo nuk dihet. Reforma e Bundeswehrit shkon më larg, se c'mund të duket në vështrim të parë.

Rrethuar nga miq

Krahas kazermave që do të mbyllen në mënyrë të plotë, në mënyrë drastike do të reduktohen edhe 90 qendra të tjera. Landet federale, Bavari dhe Schleswig-Holstein preken në mënyrë të veçantë. Kështu, nga harta ushtarake do të fshihen edhe shkolla me emër e oficerëve të aviacionit në Fürstenfeldbruck të Bavarisë si dhe komanda e flotës së marinës në Glücksburg. Detyrat e këtyre qendrave do të zhvendosen në vende të tjera. Deri në vitin 2017, struktura e re do të ketë përfunduar.

"Çdo mbyllje dhe çdo reduktim është i dhimbshëm", u shpreh ministri i Mbrojtjes Thomas de Maiziere (CDU). Pjesërisht kemi të bëjmë me prerje të thella në linjat tradicionale ushtarake. Megjithatë, ky hap reformues është i pashmangshëm. "Bundeswehri nuk ekziston për shkak të kazermave në vende të ndryshme, por detyra e tij është që ta kryejë detyrën mirë dhe me kursim."

Detyra e Bundeswehrit megjithatë ka ndryshuar në dekadat e fundit: Gjermania është e rrethuar me miq, prandaj mbrojtja e vendit nuk është në qendër të detyrave konkrete. Andre Wüstner nga Shoqata e Bundeswehrit mendon se Bundeswehri duhet të shndërrohet tani më shumë se kurrë thjesht në një ushtri ndërhyrjeje. Njëkohësisht ai paralajmëron duke pasur parasysh angazhimet ushtarake në tri kontinente dhe në det të hapur: "Ne operojmë në nivelin e vijës së kuqe dhe kufitë e Burn-out të forcave të armatosura. Bundeswehri po ristruktrohet dhe në thelb po bëhet më i vogël. Por nëse do të bëhet më i aftë për detyrat e tij në këtë mënyrë - këtë do ta shohim vetëm pas disa vitesh."

Zgjidhje ndërkombëtare?

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen kërkon një "mbrojtje inteligjente". Kur është puna për të shpenzuar para, rruga më e mirë është "kur bashkëpunojnë shumë shtete, në vend të zgjidhjeve të veçuara nacionale". Por nga kjo pikë, Bundeswehri vazhdon të jetë shumë larg. Shoqata e Bundeswehrit ankohet se vendet e eurozonës koordinohen shumë pak me njëra-tjetrën kur vjen puna për të reformuar ushtritë e tyre.

Në një hapësirë kohore prej 20 vjetësh, mendon Christian Mölling nga Fondacioni Shkencë dhe Politikë, Bundeswehri mund të bëhet një ushtri nacionale " e cila të kontribuojë me pjesë të vogla nacionale në një të madhe të përgjithshme. Një ushtri, e cila të mos jetë as në gjendje, as të dëshirojë të kryejë e vetme një operacion të madh." Problemet financiare, sipas Mölling, do të çojnë në bashkëpunim më të madh ndërkombëtar.

Autor: Klaus Jansen/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti