1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësuesit e Shqipërisë dhe modeli gjerman i qytetarisë

Arben Muka6 Nëntor 2015

Me mbështetjen e qeverisë gjermane, mësues nga 13 shkolla të mesme nga rajone të ndryshme të Shqipërisë po trajnohen për të nxitur tek nxënësit rolin dhe përgjegjësinë si qytetarë në komunitetin e tyre dhe në shoqëri.

https://p.dw.com/p/1H12E
Tirana albanische Jugend politisches Engagement
Fotografi: Arben Muka

Një prej organizatave joqeveritare në Shqipëri, Legal Information and Study Team, ose LIST është duke bashkëpunuar me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve për ngritjen e një platforme të pazakontë: është fjala për një platformë të plotë për edukimin ligjor dhe qytetar për nxënësit në klasën e 9 dhe te 10. Synimi është forcimi i vlerave të një shoqërie demokratike, bazuar në respektin për të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Për nismëtarët dhe mbështetësit e këtij projekti, edukimi ligjor e qytetar qëndron në themel të garancisë që brezi i tanishëm dhe brezat e ardhshëm të jenë të përgatitur e të gatshëm për të marrë përsipër rolin dhe përgjegjësinë e tyre si qytetarë në komunitetin e tyre dhe në shoqëri. Sipas njërës prej aktivisteve të LIST, Bertiana Fregjaj në këtë periudhë ndryshimesh të shpejta dhe të paprecedente, edukimi ligjor e qytetar është një nga mbrojtjet më të mira kundër elementëve të dhunës, racizmit, ekstremizmit, ksenofobisë, diskriminimit dhe intolerancës dhe shërben si mekanizëm parandalues.

Produkte me nivel të lartë të cilësisë dhe dobishmërisë

“Ne synojmë që të përfshijmë nxënësit në diskutime të organizuara mbi konceptet e të drejtës publike dhe private si shteti, shteti i së drejtës, demokracia, të drejtat e njeriut etj. Uljen e kriminalitetit tek të rinjtë dhe forcimin e bashkëpunimit mes të rinjve, mësuesve, prindërve dhe agjencive ligjzbatuese. Të përgatisim dhe botojmë materiale edukuese për këto grupmosha me qëllim përfshirjen e tyre në kurrikulat e ardhshme të arsimit për të rinjtë. Përmes trajnimit të një grupi mësuesish të aftë të përcjellim më tej njohuritë dhe aftësitë e tyre tek nxënësit, por edhe tek kolegët e tyre duke zgjeruar grupin e përfituesve”, thotë Fregjaj për Deutsche Welle-n.

Qendra LIST po bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit që produktet të jenë në një nivel të lartë të cilësisë dhe dobishmërisë, Një grup ekspertësh janë ngarkuar për përgatitjen e një manuali, që do të ofrojë një informacion të plotë mbi një sërë temash si shteti i së drejtës, format e pushtetit, demokracia, ligji, përgjegjësia penale dhe civile, mosha për përgjegjësi penale, dhuna në familje, diskriminimi, një sërë të drejtash të njeriut, vullnetarizmi, shoqëria civile, media, financat etj. Ky manual do të shërbejë për trajnimin e mësuesve, që japin lëndën qytetari në nivelin e arsimit parauniversitar, thotë Bertiana Fregjaj nga LIST.

Nora Malaj: projekti pritet të ketë impakt tek të rinjtë
Nora Malaj: projekti pritet të ketë impakt tek të rinjtëFotografi: DW/A. Muka

“Mësuesit e përzgjedhur nga 13 shkolla të mesme të shpërndara në të gjithë territorin e vendit do të grupohen dhe trajnohen nga grupi i ekspertëve në disa trajnime të veçanta. Në vijim, grupi i ekspertëve do të mbikqyrë mësuesit tek zhvillojnë disa orë mësimi mbi këto tema në klasa të hapura. Manuali do të printohet në numër të mjaftueshëm për t'u shpërndarë tek mësuesit e lëndës së Qytetari-së së bashku me materiale të tjera promovuese për nxënësit”.

Zëvëndësministrja e Arsimit, Nora Malaj, mendon se projekti shumë shpejt do të ketë impakt në radhët e të rinjve dhe mësuesve të tyre. Ne nuk duam që kjo gamë e gjerë tematike të trajtohet në ambjentet shkollore në mënyrë spontane dhe pa vëmendje, shprehet ajo për Deutsche Welle-n.

“Nëse mësuesit strukturojnë tema dhe çështje mbi edukimin ligjor dhe qytetar, duke i trajtuar ato me natyrshmëri kjo do të tërheqë të rinjtë në diskutime dhe perceptime të drejta, do t'u japë zë propozimeve dhe ideve që ata kanë për dinamikën e zhvillimeve në komunitet dhe në shoqëri, duke ju dhënë impulse proaktiviteti. E rëndësishme është zgjerimi i hapësirave për të rinjtë në trajtimin e aktuales dhe perspektives.”

Modele dhe ekspertiza arsimore të provuara në realitetin gjerman

Malaj vlerëson mbështetjen e qeverisë gjermane për këtë projekt, sepse sipas saj është një ndërhyrje në një aspekt ku arsimi parauniversitar ka nevojë. “Është vazhdë dhe e projekteve të tjera ‘në vendin dhe kohën e duhur' si arsimi profesional, sistemi dual i mësimit shqip-gjermanisht që aplikohet në gjimnazin ‘Sami Frashëri' në Tiranë etj. Këto janë modele dhe ekspertiza të provuara në realitetin gjerman, të cilat ne po i përshtasim në kushtet tona, duke pritur një ndikim të fuqishëm jo vetëm në sektorin e arsimit, por dhe në sektorë të tjerë. Janë referime përvojash që e orientojnë arsimin shqiptar drejt modernizimit dhe eficencës, në përmbushje të interesave të të rinjve dhe familjarëve të tyre.”

Zëvëndësministrja e Arsimit Nora Malaj, ka besim se bashkëpunimi me institucionet gjermane të arsimit do të jetë dhe më intensiv, me projekte dhe programe që do të përfshijnë më shumë shkolla nga të gjjtha rrethet e vendit.