1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Mësimi gjuhës shqipe për migrantët në Gjermani

Vilma Filaj-Ballvora12 Janar 2016

Mësimi shqip në Gjermani i ka fillimet në vitet `70, me ardhjen e emigrantëve të parë nga ish-Jugosllavia. Shkolla e parë u hap në „Paul Gerhardt-Schule” në Euskirchen, Etleva Mançe jep mësim shqip në këtë shkollë:

https://p.dw.com/p/1HbU5
Schüler und Schülerinnen der Herkunftsspracheunterricht Albanisch Euskirchen und Wesseling während einer Schulveranstaltung
Etleva Mançe me nxënësit gjaë një eventi në shkollën „Paul Gerhardt" në EuskirchenFotografi: Etleva Mance-Gerbi

DW: Si është i organizuar Mësimi Plotësues për gjuhën amtare të fëmijëve emigrantë në Gjermani?

Etleva Mançe: Mësimi i Gjuhës Amtare (Mutterspracheunterricht) doli si nevojë pas viteve `60-të me ardhjen e emigrantëve të parë në Gjermani. Në fillim u mendua që fëmijët duhet të mësonin gjuhën e tyre, ta lexonin dhe ta shkruanin atë, mbasi kjo do t`ju duhej kur të ktheheshin përsëri në vendlindjen e tyre. Por sot jemi shumë larg kësaj, pasi këta fëmijë tashmë jetojnë në brezin e dytë e të tretë këtu, dhe shumë larg asaj që ata mund të kthehen një ditë andej nga kanë ardhur prindërit apo gjyshërit e tyre. Në Mësimin e Gjuhës së Prejardhjes (Herkunftsspracheunterricht) siç quhet sot, nxënësit mësojnë gjuhën, kulturën dhe traditat nga ata rrjedhin. Është vërtetuar edhe shkencërisht, fëmijët që rriten në dy gjuhë, kanë probabilitetin për të qenë më të sukseshëm dhe të aftë për të mësuar edhe gjuhë të tjera të huaja. Kush e flet bukur dhe ka një fjalor të pasur në gjuhën e nënës mëson shpejt dhe ka rezultate të mira edhe në gjuhën gjermane. Nxënësve ju jepet mundësia të mësojnë gjuhën e nënës nga klasa e 1-10. Në fund të klasës së 10(9,G8) ata që kanë ndjekur rregullisht mësimin e japin dhe provim. Nota është ekuivalente për një notë jo kaluese të gjuhës së huaj (anglisht/frengjisht etj).

Është menduar edhe për fëmijët e emigrtantëve të ardhur me vonesë në Gjermani, për nxënësit që kanë bërë shkollën fillore në vendlindje. Si fillim që këta të koncetrohen në mësimin e gjuhës gjermane, ju jepet mundësia, në vend të një gjuhe të huaje të japin provim gjuhën e nënës. Kjo notë zëvendëson notën e gjuhës së huaj dhe ju jep mundësinë e kualifikimit në sistemin shkollor gjerman, përfshirë këtu maturantët dhe maturantët e specializuar apo me kaulifikim(Fachabitur). Ky provim është i pavaruar nga mësimi i rregullt i gjuhës së nënës. Tezat e provimit përgatiten në rang landi nga një grup pune, mbi bazën e plan-programeve dhe kurrikulave të mësimit plotësues të gjuhës së nënës.

Kush e financon atë?

Në disa lande ku më i madhi është landi i NRW (Rinie Verior - Vestfalia) financohet dhe organizohet nga institucionet gjermane. Ndërsa në ato lande ku nuk financohet nga institucionet gjermane ka një përpjekje për ndihmë dhe mbështetje nga institucionet e shteteve përkatëse dhe konsullatat, kjo sipas marrveshjeve ndërshtetërore.

Me çfarë programesh mësimore mësohet konkretisht gjuha shqipe?

Progarmet mësimore janë të përcaktuara sipas referencë-kompetencave të mësimit të gjuhës amtare standardeve evropiane. Mbi këtë koncept janë hartuar edhe kurrikulat e gjuhës shqipe, që janë të zbatuara në programet dhe tekstet mësimore. Mungesa e teksteve tashmë është një shqetësim i harruar për mësimdhënësit e gjuhës shqipe, kemi një larmi duke filluar nga Abetarja, fletore pune me autorë S.Thaçin, R. Hamitin S.Gashin. Sot ne kemi tekste të disa niveleve, për Mësimin Plotësuses të Gjuhës Shqipe, ku autorë janë edhe mësimdhënës të gjuhës shqipe në diasporë, me koordinatorët z. Nuhi Gashi në MASHT në Kosovë dhe Prof. Dr. Basil Schader në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Cyrih. Këto tekste janë të një kualiteti bashkohorë, hartuar sipas plan-programeve të mësimit të gjuhës amtare të standarteve evropiane. Janë nga tekstet më të mira deri tani, dhe si ai fëmija i vogël që është akoma në rritje dhe zhvillim, edhe këto tekste janë në rrugën e përsosmërisë. Së shpejti del edhe libri i metodikës për mësuesit, kjo do ta lehtësojë edhe më shumë punën e mësimdhënësve.

Etleva Mance
Etleva MançeFotografi: DW/V. Filaj-Ballvora

A ka medota për mësimin e gjuhës të licensuara nga Ministria e Arsimit të landit përkatës?

Ne punojmë me programe mësimore nga landi i NRW. Në Gjermani, por edhe në një pjesë të madhe të vendeve të BE-së ka plan-programe të njëhsuara për gjuhën amtare. Landi i NRW ka një kurrikul për mësimin e gjuhës amtare. Këto janë të ndara në tri nivele, të ciklit të ulët, pasohet me kl. 5-6, dhe përfundon me nivelin e klasës 7-10. Përveç kësaj ne i nënshtrohemi edhe kualifikimeve metodike, didaktike dhe pedagogjike nga landi i NRW për licensimin e mësimdhënies.

A është i shtrirë Mësimi Plotësues i Gjuhës Shqipe në të gjitha landet e Gjermanisë?

Mësimi i gjuhës shqipe është i shtrirë pothuajse në të gjithë Gjermaninë. Përqëndrimi më i madh i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe është në landin e NRW. Shtrirjen e shkollave shqipe e tregon dhe mbajtja e konkurseve në vite, ato janë mbajtur pothuajse në të gjithë Gjermaninë. Por në pjesën më të madhe ky mësim bëhet mbi bazën vullnetare, me ndihmën dhe mbështetjen e konsullatave si dhe të institucioneve të shtetit të Kosovës, nga MASHT dhe Ministria e Diasporës.

Afërsisht sa është numri i nxënësve që mësojnë gjuhën shqipe në orët plotësuese, në mbarë Gjermaninë si dhe në landin NRW?

Ky numër duhet të ishte edhe më i mirë. Në landin e NRW që kemi dhe përqëndrimin më të madh të emigrantëve është rreth 10% e fëmijëve shqipfolës, ndërsa në qytetet ku mbahet ky mësim rreth 30%. Nuk kemi shifra të sakta për të gjithë Gjermaninë, por mendohet tek 2%, dhe nëqoftëse do të bënim një tabelë sipas vendeve të origjinës, nga Shqipëria numri është shumë shumë i vogël, nuk bëhet fjalë për shifra.

Sa janë të interesuar emigrantët, që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin plotësues dhe pse?

Interesi dhe dëshira e prindërve që fëmijët e tyre të flasin gjuhën amtare dhe të ndjekin Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe është i madh. Por vetëm kjo nuk mjafton. Qëllimi ynë është që nxënësit tanë të lexojnë dhe shkruajnë një gjuhë të standarteve dhe nivele të larta, që jo vetëm ta kuptojnë por edhe ta flasin bukur dhe rrjedhshëm gjuhën e nënës. Dhe kjo kërkon durim dhe këmbëngulje nga të gjtha palët, si nga prindërit edhe nxënësit.

A kanë vërtetë interes fëmijët, që rriten këtu për mësimin e gjuhës shqipe?

Unë jam vetë nënë, tani femijët e mi i marrin vetë vendimet për jetën e tyre. Por mendoj se prindërit janë ata që duhet t`u tregojnë drejtimin fëmijëve. Kjo fillon që në moshë të vogël, duke i orintuar ata se si të kalojnë kohën e lirë: para TV, lojëra elektronike apo të jenë aktivë. Është ajo “lufta” e përditshme që bën familja, shoqëria dhe rrethi ku ne jetojmë me përmbushjen e kohës së lirë të nxënësve. Nga ana tjetër detyra jonë si mësues është që ta bëjmë sa më interesante dhe kualitetative orën e mësimit, vetëm kështu rritet interesi i nxënësve për mësimin e gjuhës amtare. Kënaqësia më e madhe për mua është kur shikoj fëmijë që i sjellin prindërit, ndonjëherë edhe pa dëshirën e tyre, por në fund të mësimit kur ikin thonë duke buzëqeshur - „Më pëlqeu, unë do të vij përsëri në shkollën shqipe!“, dhe unë jam e sigurt që ata nuk do ndjehen më inferior kur të shkojnë për pushime në vendlindje.

Cili është qëllimi i KASH-it (Këshilli i Arsimtarëve të Shqipes në Gjermani) dhe çfarë funksioni ka konkretisht ky këshill?

KASH-i është një organ profesional me qëllim edukativ dhe arsimor në të cilin mund të marrin pjesë të gjithë arsimtarët e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe. Qëllimi i shoqatës është të bashkojë të gjithë arsimtarët shqiptarë nga ana profesionale dhe të bashkërendojë punën e tij edukative dhe arsimore me programin mësimor të institucioneve në Kosovë, Shqiperi dhe institucioneve Gjermane. KASH-i në këto 25 vjet ka mbajtur lidhje të vazhdueshme profesionale me instutucionet shtetërore me qëllim që t'ia përshtasë punën e tij edukative dhe arsimore parimeve moderne shkencore. Ai ka organizuar gara të ndryshme të karakterit mësimor, sportiv, kulturor dhe shkencor si dhe ekskursione me karakter pedagogjik dhe informues. Puna 25 vjeçare e KASH-it është mbështetur te mësimi i gjuhës amtare i ruajtjes së identitetit duke i dhënë përparësi integrimit sa më të natyrshëm në jetën dhe shoqerinë gjermane. Është një institucion i vullnetit të mirë, i ndërgjegjes kulturore të një komuniteti, të një shtrese intelektuale, që në këtë rast, identifikohet me një shkollë, para së gjithash, përmes mësimit ndërtohet e zhvillohet struktura e brendshme kulturore-identitare e nxënësit.