1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Më shumë nuk mund të pritej

Peter Stützle10 Tetor 2012

Vizita e kancelares Merkel në Athinë nuk solli rezultate të prekshme. Megjithatë ajo ishte kuptimplotë dhe e rëndësishme.

https://p.dw.com/p/16N4F

Angela Merkel bëri mirë që e pranoi pa vonesë ftesën e bërë pak kohë më parë nga kryeministri grek Antonis Samaras për një vizitë në Athinë. Kancelarja iu përgjigj ftesës edhe pse pikërisht Samaras jo shumë kohë më parë e pati zemëruar keq atë. Atëherë ai ishte ende kryetar i opozitës dhe sabotonte të gjitha përpjekjet për reforma të qeverisë pararendëse. Megjithëse shumë grekë e bëjnë Angela Merkelin bashkëpërgjegjëse për situatën në vendin e tyre dhe disa madje e krahasojnë me pushtuesit nazistë, ajo nuk ngurroi të udhëtonte drejt Athinës.

Vizita ishte një sinjal i rëndësishëm i solidaritetit me grekët. Këtë Angela Merkel e shprehu në mënyrë të shkëlqyer me atë çfarë tha publikisht në Athinë. Por më shumë nuk kishte dhe nuk mund të kishte. Është përgjegjësia e qeverisë dhe e parlamentit grek të zbatojnë reformat dhe ta bëjnë vendin sërish të besueshëm për kredidhënësit. Është detyra e Trojkës së përbërë nga FMN, Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni i BE-së të vlerësojnë këto reforma. Vetëm pasi të paraqiten rekomandimet e Trojkës mund të kërkohet nga Merkel të flasë. Atëherë ajo së bashku me kryetarët e tjerë të shteteve dhe qeverive duhet të vendosin për mjete të reja ndihme për Athinën dhe kancelares i duhet të bindë parlamentin në Berlin.

Në foto, Peter Stützle
Në foto, Peter StützleFotografi: DW/Vincent Mosch

Në këtë sfond vizita e Merkelit në Athinë ishte edhe një sinjal për gjermanët: grekët nuk meritojnë që politikanë dhe medie të lëndojnë ndjenjat e tyre me vërejtje të papeshuara. Në këto kohë të vështira ata meritojnë më shumë solidaritet dhe mbështetje, por vetëm nëse arrijnë të krijojnë vetë kushtet në të cilat ndihmat nga jashtë t'u vijnë vërtet në ndihmë.