1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lustrimit në Serbi i skadon afati

Ligjit për lustrimin në Serbi i ka kaluar afati sot (11.06.2013). Ligji nuk ka ndryshuar ndonjë herë gjatë periudhës sa ishte në fuqi. Shumë analistë thonë se Serbia nuk e ka shfrytëzuar këtë shans.

"Tek ne të gjitha janë të mundshme. Ky ligj është i njohur për faktin që është miratuar, por kurrë nuk është zbatuar", thotë për Detusche Wellen Zoran Ivosheviq, ish gjykatës i Gjykatës Supreme në Serbi dhe anëtar i grupit i cili e ka hartuar këtë ligj pas rënies së Millosheviqit nga pushteti. Ligji për përgjegjësinë për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, ose siç quhet ligji për lustrimin shfuqizohet sot (11.6.), pas 10 vitesh në fuqi.

Ligji më i papërfillur

Profesori Vladimir Vodineliq thotë se ky ka qenë ligji më i "vdekur", prej të gjitha ligjeve që janë miratuar në Serbi, pas ndryshimeve demokratike në vitin 2000. Ai në fakt nuk është zbatuar kurrë si duhet. "Kjo nuk është e zakonshme, sepse ligjet nxirren për t'u aplikuar, ndërsa ky ka qenë rezultat i një kompromisi politik“, mendon Vodineliq.

Kurrë nuk është krijuar sipas ligjit as Komisioni për lustrimin në Kuvendin e Serbisë. Komisioni është dashur të konstatojë nëse njerëzit që tani janë në pushtet kanë shkelur të drejtat e njeriut në të kaluarën. Ligji parashikonte që askush të mos mund të kandidojë për ndonjë post të lartë në institucionet e shtetit, nëse komisioni nuk ka konstatuar se a ka shkelur të drejtat e njeriut në të kaluarën. Zoran Ivosheviq mendon se ky ka qenë një rast shumë i mirë që njerëzit dhe opinioni serb të përballet me të kaluarën. "Sikur ky ligj të zbatohej në mënyrë të denjë, me siguri që disa njerëz nuk do të kishin mundur të ushtronin detyrat e tanishne në strukturat më të larta të shtetit. Ndaj është e qartë që pengesa më e madhe e zbatimit të këtij ligji ka qenë mungesa e vullnetit politik", pohon ai.

Serbisches Parlament Hauptsitz Belgrad Serbien

Selia e parlamentit serb në Beograd

Ligj i dështuar

Ivosheviq pohon se ligji nuk është zbatuar as në sektorin e gjykatave dhe drejtësisë, sepse ka gjykatës anëtarë të qeverisë dhe njerëz në funksione të larta për të cilët ka dyshime serioze lidhur me të kaluarën e tyre. Sipas tij, në gjykata ka njerëz të cilët kanë shkelur të drejtat e njeriut në të kaluarën. Ligji për lustrimin ka ofruar mundësi për spastrimin e gjykatave por kjo nuk është shfrytëzuar.

"Ka pasur dhe ka gjykatës të cilët e kanë mbështetur procesin e vjedhjes së votave nga regjimi i Millosheviqit. Ata me siguri që nuk është dashur të mbeten në pozitat e tyre", thekson Ivosheviq. Ndërsa Vodineliq rikujton se në Serbi nuk janë hapur kurrë as dosjet e shërbimeve sekrete dhe dosjet e policisë nga e kaluara. "Ky ka qenë një shans i mirë për zgjedhësit në Serbi që të kenë më shumë njohuri për personat që kandidojnë për funksione të larta politike dhe shtetërore. Por ne zgjedhësit kurrë nuk do ta dimë deri në fund se kush janë këta persona dhe cila ka qenë e kaluara e tyre", nënvizon Vodineliq.

Sipas tij, Serbia e ka humbur edhe një shans për të zbardhur një pjesë të kaluarës së saj. Ndërsa për gjeneratat e reja mbetet mesazhi se Serbia e kësaj kohe nuk i zbaton ligjet e miratuara në kuvend.