1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

NRS-Import

Lunacek: Jam shumë e lumtur për hapjen e procesit të liberalizimit të vizave

Kosovarët më nuk do të kenë ndjenjën se janë të izoluar, ndërsa Beogradi nuk do të duhej të pengojë Kosovën në këtë rrugë, thotë në intervistë për DW raportuesja e PE për Kosovën, Ulrike Lunacek.

default

Deutsche Welle: Zonja Lunacek çfarë do të thotë konkretisht për Kosovës hapja e dialogut për liberalizimin e vizave? Në Prishtinë është paraqitur ky si një fitore shumë e madhe...

Ulrike Lunacek: Jam shumë e lumtur që më në fund është hapur ky proces dhe që komisarja Malström ka shkuar edhe vetë në Prishtinë për të hapur këtë proces. Populli kosovar po pret për më shumë se një vit që të realizohen premtimet për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave. Në Kosovë muajt e fundit është krijuar një përshtypje e fuqishme se Kosova është përjashtuar nga proceset e integrimeve evropiane, që Kosova është izoluar dhe trajtohet ndryshe nga të tjerët. Prandaj jam shumë e lumtur që është hapur kjo rrugë.

Kosovarët pra tani mund të thonë se është hapur rruga për të dalur nga vrima e zezë, ku gjendeshin për më shumë se një vit, në krahasim me vendet e rajonit?

Ulrike Lunacek: Po, unë shpresoj se kjo rrugë me të vërtetë do të jep rezultate. Komisarja Malmström tani duhet të paraqesë një Road-Map dhe më pas kosovarët janë ata të cilët duhet të realizojnë kushtet e parapara. Shpresoj që qeveria e Kosovës do t'i realizojë shpejt këto kushte. Besoj se megjithatë e gjitha do të zgjatë rreth dy deri në tri vite, sikur edhe në rastin e vendeve të tjera të rajonit. Pra varet se sa shpejt qeveria e Kosovës i realizon kushtet, por me rëndësi është që rruga është hapur.

Ulrike Lunacek, raportuese e PE për Kosovën

Ulrike Lunacek, raportuese e PE për Kosovën

Për shumë qyetarë nuk është e qartë se çfarë do të thotë Road-Map. Mund të shpjegoni më konkretisht se cilat kushte duhet plotësuar deri në liberalizimin e vizave?

Ulrike Lunacek: Ka shumë detaje teknike të cilat duhet plotësuar, si për shembull: kontrolli i kufijve, pasaportat biometrike dhe mundësia e identifikimit të plotë të personave në dokumente, regjistrat e popullatës dhe çështje të tjera. Është shumë me rëndësi që të dihet se personi që udhëton me një dokument nuk është ndonjë person tjetër. Një çështje tjetër e rëndësishme është edhe rregullimi i regjistrave civilë, që në një vend si Kosova, ku para 12 vitesh ka pasur luftë, me siguri nuk është proces tepër i lehtë. Kosova edhe më tej vuan nga mungesa e dokumentacioneve të duhura që kërkon edhe realizimin e marrëveshjeve me Serbinë për kthimin e tyre. Vendet tjera të rajonit e kanë kaluar këtë rrugë, prandaj Kosova mund të merr shembull tek vendet tjera dhe t'i plotësojë kushtet. Unë pres që Malström ta paraqesë sa më parë këtë Road - Map dhe që qeveria të fillojë menjëherë me realizimin e kushteve.

Kjo do të thotë që Kosova edhe në këtë proces do të përballet me vështirësitë e 12 viteve të fundit që ka pasur me Serbinë. Pra Beogradi mund të frenojë apo të ngadalsojë edhe këtë proces?

Ulrike Lunacek: Në qoftë se Beogradi dhe Presidenti Tadiq duan të fitojnë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, atëherë patjetër duhet të plotësojnë këto kushte. Shpresoj se BE-ja do të shtojë presionin ndaj Beogradit që me të vërtetë të realizojë marrëveshjet e arritura në dialog me Kosovën. Kjo do të ndihmonte edhe rrugën e Serbisë drejt BE-së. Pra topi është në gjysmëfushën e Serbisë.

Mendoni se qeveria dhe institucionet e Kosovës janë në gjendje të realizojnë këto kushte?

Ulrike Lunacek: Institucionet e Kosovës kanë dëshmuar kohët e fundit se janë në gjendje të realizojnë premtimet e dhëna dhe marrëveshjet e nënshkruara, si për shembull: riatdhesimin e personave të kthyer nga vendet evropiane në Kosovë. Shumë shpejt janë gjetur zgjidhje për vendstrehimin e tyre, integrimin në shoqëri, në sistemin shkollor dhe shëndetësor... Me mbështetjen e disa vendeve të BE-së janë arritur rezultatet e duhura. Mendoj se kur ekziston vullneti, të gjitha mund të realizohen.

Intervistën e zhvilloi Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama