1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lunacek: Heqja e vizave për kosovarët varet prej qeverisë së ardhshme

Bashkimi Evropian pret që zgjedhjet në Kosovë të jenë të lira dhe demokratike dhe pa manipulime, pohon raportuesja e PE për Kosovën, Ulrike Lunacek. Ajo flet edhe për dialogun me Serbinë dhe heqjen e vizave.

default

Ulrike Lunacek

DW: Çfarë rëndësie kanë këto zgjedhje për Kosovën?

Lunacek: Janë të një rëndësie të madhe, sepse janë zgjedhjet e para parlamentare prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Janë këto zgjedhjet e para, që në nivel kombëtar organizohen prej institucioneve vendore. Për ne është me rëndësi se kush do të fitojë shumicën dhe a do të jetë në gjendje t'i zbatojë kërkesat e Bashkimit Evropian, e jo vetëm të nxjerrë ligje të reja. Ligje ka mjaft, por këto ligje nuk janë zbatuar në shumë pika.

DW: A ka ndonjë rëndësi për Bashkimin Evropian se cili subjekt do të fitojë shumicën në këto zgjedhje?

Lunacek: Po me siguri që ka rëndësi, sepse nga këto zgjedhje varet se kush do të ketë shumicën në parlament dhe kush do të krijojë koalicionin e ardhshëm qeveritar. Ne shpresojmë se, siç thuhet, letrat do të përzihen nga e para dhe që qeveria e ardhshme vërtetë të angazhohet për zbatimin e gjërave, që kërkohen në raportin për Kosovën, siç janë lufta kundër korrupsionit, respektimi i rregullave për dhënien e tenderave dhe më shumë transparencë në këto fusha. Kosova ka nevojë edhe për një opozitë e fuqishme, e cila e kupton seriozisht rolin e vet. Shpresoj se kërkesat e Bashkimit Evropian do të realizohen. Me rëndësi është se sa do të jetë pjesëmarrja në zgjedhje dhe a do të ketë përpjekje për manipulimin e zgjedhjeve, siç ka pasur në të kaluarën. Këto janë sfidat më të mëdha për të dielën. BE dhe unë si raportuese për Kosovën i bëjmë thirrje kosovarëve dhe në veçanti serbëve dhe minoriteteve të tjera, që të dalin të votojnë dhe të kenë kujdes që vota e tyre të numrohet. Shanset për zgjedhje të lira tani janë më të mira se sa më parë, por ende ka nevojë për monitorim të fuqishëm, në mënyrë që askush të mos votojë dy herë, apo atje, ku kanë votuar pak njerëz në kuti të hedhen fletëvotimet e atyre, që nuk kanë votuar.

"Dilni dhe votoni për vendin dhe parlamentin tuaj!"

DW: Beogradi ka kërkuar prej serbëve që të bojkotojnë edhe këto zgjedhje. A është kjo kërkesë e kuptueshme, apo ka ardhur koha që serbët e Kosovës të marrin fatin e tyre në duart e veta?

Lunacek: Bashkimi Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë një sugjerim shumë të qartë edhe për serbët: ju lutem shkoni dhe votoni, sepse fjala është për vendin dhe parlamentin tuaj! Në këto zgjedhje marrin pjesë tetë parti politike serbe. Në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit, do të shtohet numri i pjesëmarrësve serbë në zgjedhje. Ata gjithnjë e më shumë po marrin fatin e tyre në duart e veta - në Kosovën e pavarur. Ndërsa në veri të Ibrit, për fat të keq, ndonëse do të ketë edhe vendvotime mobile, kam frikë se presioni është tepër i madh dhe pjesëmarrja do të jetë e vogël. E di që ka njerëz, që janë të interesuar për pjesëmarrje në zgjedhje dhe shpresoj se do të kenë kurajo qytetare dhe nuk do të kenë frikë të votojnë.

Dialogu me Serbinë

DW: Pas zgjedhjeve pritet të fillojë dialogu mes Serbisë dhe Kosovës. Çfarë prisni Ju nga ky dialog dhe për cilat çështje do të bisedohet?

Lunacek: Nga ky dialog pres që palët në nivelin e qeverive të ulen pranë tavolinës dhe të diskutojnë çështjet, që rëndojnë qytetarët në jetën e përditshme, si tregtia, njohja dhe mosbojkotimi i Kosovës prej Beogradit në CEFTA, rregullimi i kushteve për mbështetje transparente të serbëve prej Serbisë, në mënyrë që kjo të mos bëhet në forma të fshehta... Në këtë proces duhet të futen edhe organizata të shoqërisë civile, të paktën deri në një pikë të caktuar, sepse ato tani më kanë filluar një dialog. Me rëndësi është që palët të tregojnë vullnet për bisedime sy më sy, pa ndërmjetësimin e UNMIK-ut, por me Bashkimin Evropian si moderator. Ato duhet të bisedojnë për përmirësimin e gjendjes, por me rëndësi është që të theksohet se këto nuk janë negociata për statusin, apo ndonjë shkëmbim territoresh.

DW:Pikërisht këtu qëndron edhe problemi kryesor, sepse pala serbe shpreson edhe hapjen e çështjes së statusit. Sa reale është kjo shpresë?

Lunacek: Kjo shpresë nuk është reale, ajo është plotësisht joreale. Edhe Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se kjo çështje nuk do të rihapet, edhe pse Kosovën ende nuk e kanë njohur pesë vende anëtare të BE-së. Komisioni Evropian dhe zonja Ashton e kanë bërë shumë të qartë se për këtë nuk do të bëhet fjalë.

Kosovarët dhe vizat

DW: Me 23 dhjetor do të hiqen zyrtarisht vizat për udhëtim në hapësirën Shengen edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, që do të thotë se Kosova mbetet vrima e vetme e zezë në këtë rajon. Edhe sa kohë do të jetë kështu?

Lunacek: Sikur të pyetësha unë, apo Parlamenti Evropian, ky problem më nuk do të ekzistonte dhe qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtonin pa viza. Për fat të keq disa vende anëtare, në veçanti ministrat e tyre të brendshëm, thonë se nuk duhet bërë asnjë hap më shumë. Unë kërkoj prej Komisionit dhe Këshillit të Evropës që me Kosovën menjëherë të fillojë dialogu për këtë çështje. Aktulisht në Kosovë gjendet një mision ekspertësh të dërguar nga zonja Malstrëm, për të verifikuar gjendjen. Qëllimi i misioni është, siç më ka siguruar zonja Malstrëm, që vendet anëtare të binden se Kosova ka bërë mjaft dhe i ka miratuar ligjet e duhura për riatdhesim dhe riintegrim, që është kusht për fillimin e dialogut. Fillimi i këtij dialogu dhe liberalizimi i vizave është me rëndësi dhe i domosdoshëm në veçanti për të rinjtë me orientim evropian, sepse nuk duhet të lejojmë që ata të kalojnë në ndonjë pozicion radikal, apo ekstrem. Nëse duam që këta të rinj edne të jenë në rrugën e integrimit evropian, atëherë dialogu është i domosdoshëm dhe duhet të fillojë sa më shpejt.

DW: Deri në liberalizimin e vizave Kosova duhet t'i plotësojë edhe disa kushte. Cilat prej tyre kanë mbetur ende pa u plotësuar?

Lunacek: Dialogu është vetëm fillimi, që nuk do të thotë se menjëherë do të vijë edhe liberalizimi. Duhet të plotësohen kushtet, si përpilimi i regjistrave funksionalë civilë dhe krijimi i kushteve për dhënien e pasaportave biometrike. Por kushti i parë i përcaktuar prej BE-së, me të cilin unë dhe ekologjistët në Parlamentin Evropian nuk jemi dakord, është: riatdhesimi i azilkërkuesve dhe migrantëve, të cilët jetojnë në mënyrë jolegale në këto vende. Për krijimin e kushteve për kthimin e tyre qeveria e Kosovës ka marrë këtë vit gjysmë milioni euro. Për vitin e ardhshëm janë ndarë edhe 3,5 milionë euro tjera. Kjo ndoshta nuk mjafton, që do të thotë se ka nevojë për ndihma të tjera prej Bashkimit Evropian.

DW: Deri kur pritet plotësimi i këtyre kushteve dhe kur do të hiqen vizat për kosovarët?

Lunacek: Unë nuk jam e gatshme të flas për data të caktuara. Kjo varet prej qeverisë së re, se sa shpejt do t'i zbatojë këto kërkesa. Ndërsa ne europarlamentarët duhet të bindim qeveritë tona që udhëtimi i lirë dhe pa viza i qytetarëve të Kosovës është i mirë dhe domosdoshëm.

Zonja Lunacek, kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar këto ditë se vizat do të hiqen shumë shpejt, ndoshta edhe në pranverën e vitit të ardhshëm. Sa reale janë këto premtime?

Lunacek: Deklaratat e tij i kam kundërshtuar edhe gjatë qëndrimit në Kosovë. Askujt nuk i është premtuar. Këtë nuk e ka bërë askush në Bruksel, sepse nuk është reale. Kjo varet prej qeverisë së ardhshme, se sa shpejt do t'i kryejë detyrat e saj. Sa më shpejt i kryen, aq më lehtë do të jetë edhe për ne të bindim BE dhe Këshillin e Evropës, sepse disa gjëra ende mungojnë. Teknikisht kjo mund të realizohet, le të themi, për një apo dy vite. Por është e qartë se obligimet duhet të kryhen, sepse vetëm premtimet nuk mjaftojnë.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Angelina Verbica

  • Data 09.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QUBs
  • Data 09.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QUBs