1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lulzim Basha: Sot kemi lazaratizimin e Shqipërisë

Ne e duam vetingun, por jo të kryer nga drejtorët e kryeministrit, por nga institucionet kushtetuese, kundërshton në intervistën e tij për DW, kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha zërat për bllokim.

Albanien Lulzim Basha Vorsitzender der Demokratischen Partei (DW/L. Arapi)

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në intervistë për DW me gazetaren Lindita Arapi

DW: Vetingu ka ngecur, mazhoranca ju akuzon se jeni bllokues, nuk e doni ju vetingun?

Lulzim Basha: Për Partinë Demokratike çështja është e thjeshtë. Ne kemi votuar pro vetingut më 22 korrik, pro formulës që SHBA dhe BE sollën bashkarisht në Tiranë dhe që është në përputhje me qëllimin tonë të vetëm, që vetingu të bëhet i pakapur nga politika. Atë duhet ta bëjnë institucione të pavarura dhe jo kryeministri. Ne jemi pro vetingut e largimit të çdo gjyqtari të korruptuar nga sistemi, ne jemi kundër vetingut të kapur nga kryeministri.
Ju bëtë publike gabime përkthimi në draft. Nuk e dinit ju cilin draft kishit në dorë, ose ndryshe nuk ishte verifikuar që në fillim se cili ishte drafti përfundimtar?
Çështja e përkthimit është një çështje mes Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias. Tashmë është bërë publike, unë e di se palët kanë komunikuar dhe kanë shkëmbyer versionet zyrtare dhe ne presim që si Komisioni i Venecias ështu edhe Gjykata Kushtuetuese të hedhin hapat përkatës sipas përgjegjësive që kanë. Kjo është në dorën e Gjykatës Kushtetuese, unë nuk mund të flas në emër të Gjykatës Kushtetuese, janë ata që do të marrin vendimin sipas procedurave ligjore që kanë.
Mazhoranca në mënyrë të njëanshme kaloi një ligj për vetingun në kundërshtim me kushtetutën siç kishim rënë dakord bashkarisht. Mazhoranca theu konsesusin, e ç'është më e rëndësishme, ligji është antikushtetues. E përsëris, PD është pro vetingut, pra pro pastrimit të sistemit nga të korruptuarit, nga gjyqtarët e korruptuar, nga ata që marrin tendera pranë qeverisë, nga socialistë, por edhe demokratë të korruptuar.
Pse është antikushtutues ligji sipas jush?
Ligji që zoti Rama ka kaluar pa konsesusin e opozitës është antikushtetues, sepse vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve sipas këtij ligji, në vend që ta bëjnë institucionet kushtetuese, të mbështetura e të ndihmuara nga Bashkimi Europian do të bëjnë drejtorët e kryeministrit. Për këtë arsye ne i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
A nuk mendoni se po bllokoni negociatat me këtë, më 15 dhjetor është afati i fundit për këtë shans, ndryshe pritet shtyrja edhe me një vit ndoshta?
Qëndrimi ynë ka qenë që Shqipërisë duhet t'i hapen negociatat, edhe në kushtet, kur kjo qeveri nuk ka realizuar asnjë nga pesë prioritetet. Siç është bërë e qartë nga personalitete politike të Bashkimit Europian, ne mendojmë se hapja e negociatave do të ndihmonte si një trysni shtesë në zgjidhjen e problemeve kryesore, luftën kundër krimit, luftën kundër drogës, korrupsionit, zbatimit të ligjit për dekriminalizimin, zgjedhjeve të lira e të ndershme. Por ky vendim nuk është në dorën e shqiptarëve, është në dorën e vendeve anëtare të BE-së. Një gjë është e qartë: Shqipëria ka shumë punë për të bërë për të pesë prioritetet. Sfidë mbi sfidat, siç e kujtoi edhe kancelarja Merkel gjatë prononcimit të shkurtër për shtyp, para takimit me kryeministrin, mbeten zgjedhjet e vitit të ardhshëm, për të cilat Shqipëria duhet të plotësojë të gjitha kushtet e rekomandimet e OSB-ODHIR-it dhe të trajtojë në veçanti problemin dramatik të shitblerjes së votës.
Ju e shprehët këtë shqetësim në zgjedhjet lokale. Ku e bazoni këtë?
Nuk është shqetësim i shprehur vetëm nga ne, por edhe nga OSBE-ODHIR-i, pra nuk është thjesht shqetësim i opozitës, por ndërkombëtar, mbarëkombëtar. Shitblerja e votës, ngritja e një sistemi të perfeksionuar për shitblerjen e saj, përdorimi i personave me rekorde kriminale për të kërcënuar e intimiduar votuesit janë konstatime faktike të raportit të OSBE-ODHIR-it, për zgjedhjet e vitit 2015. Këtu nuk kemi të bëjmë me mosplotësim standartesh, këtu kemi të bëjmë me kthim pas në kohët më të errëta të rënies së standarteve në zgjedhje në Shqipëri. Dua të përsëris thirrjen time ndaj mazhorancës për të zhbllokuar komisionin ad-hoc për reformën zgjedhore, për të miratuar propozimet që PD prej majit i ka depozituar kundër shitblerjes së votës, për transparencën e financimit të përtive politike, për garantimin e lirisë së medias e mbulimin proporcional të përtive politike, për mospërdorimin e resurceve shtetërore për fushatë, jemi më vonë se kurrë më parë, e kjo sinjalizon mungesën e vullnetit.
Një problem tjetër është shtrirja e gjeografisë së kanabisit në të gjithë Shqipërinë. Ju e keni akuzuar qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në Kolumbi. Qeveria kundërshton duke theksuar numrin e lartë të aksioneve të policisë. Pse ky masivizim i drogës në vend?
Shqipëria është kthyer në vendin më problematik për mbjelljen e kanabisit, marijuanës, por edhe për trafikimin e drogës, rezultatet e këtij viti tregojnë një rritje masive të këtyre drogave, në kanalin Lindje - Perëndim. Problemi i kanabisit nuk ka lindur këtë vit, por ai është pesëfishuar e më shumë këtë vit. Nuk ka shqiptar që të besojë se kjo mund të ndodhte pa implikimin e segmentëve të politikës, policisë. Ka pasur investigime të medias, që tregojnë se si segmente të policisë janë të domosdoshëm për të garantuar kultivimin, e trafikimin e kanabisit e se kjo ndodh me mbështetje e mbrojtje politike nga lart.
Kundërshtarët tuaj politike do t'iu thonë, se edhe në kohën tuaj lulëzoi Lazarati…e ishim ne që e shkatërruam atë…
Dhe ne e përshëndetëm, mos harroni, se kur u bë aksioni u gjetën stok 100 tonë drogë tre-katër vjeçare, kjo tregon që ata nuk arritën të nxirrnin dot drogën falë përpjekjeve tonë, falë rrethimit e vendosjes së një regjimi që e bëri shumë të vështirë nxjerrjen e drogës nga Lazarati. Por ajo që ndodhi pas kësaj është Lazaratizimi i gjithë Shqipërisë. Sot me përjashtim të Lazaratit, drogë gjendet kudo, e kjo nuk ka ndodhur thjesht si neglizhencë e qeverisë, por si produkt i aleancës së krimit me pushtetin. Sot kemi kryetarë bashkish, në territorin e të cilëve jo vetëm mblidhet drogë, por kanë edhe pista avioni, që transportojnë drogën, sot kemi anëtarë të kuvendit me rekorde kriminale të dënuar për trafikim droge, dhe ky konglomerat i të dënuarve për drogë, sot të veshur me pushtet, dhe i një qeverie, e cila jo vetëm nuk lufton drogën, por e mohon dhe e minimizon problemin e drogës, ka sjellë në këto pasoja, e kanë evidentuar edhe mediat e huaja, se Shqipëria është kthyer në prodhuesin kryesor të drogës.
Pse është kaq e lehtë të binden fermerët të mbjellin drogë?
E vërteta është se me mijëra shqiptarë nuk kanë pasur alternativë tjetër për shkak të mungesës së politikave sociale, politikave ekonomike, mbështetjes së fshatit. Kështu njerëzit janë vënë para dy alternativave, buka e fëmijëve apo droga e për fat të keq kanë zgjedhur këtë të dytën. Pra, kemi të bëjmë me një problem social, problem politik, janë miliarda euro në duart e krimit të organizuar. Sot krimi i organizuar ka më shumë para se policia, ushtria, prokuroria të marra së bashku dhe pyetja është se çfarë do të bëhet me këto para?
Aludoni me këtë se këto para do të përdoren për të blerë politikën?
Pa dyshim, krimi i organizuar do të investojë për të ruajtur këtë status-quo, për të mbajtur Shqipërinë si ngastrën e vet të drogës, për të mbajtur Shqipërinë jo vetëm si pikën e trafikut të marijuanës shqiptare, por edhe heroinës e kokainës, e trafiqe të tjera, duke përfshirë edhe trafikun e armëve. Mungesa e kontrollit të kufijve dhe territorit është një shqetësim i madh, po ashtu edhe bashkëpunimi i segmentëve të caktuar me përkrahje politike me këta trafikantë. Sot droga është një problem politik, ka asgjësuar zgjedhjet, siç e pamë në Dibër e do të bëjë gjithçka për të asgjësuar ato të vitit të ardhshëm. I domosdoshëm mbetet ndërgjegjësimi i shqiptarëve para këtij rreziku.
Një pamje e zymtë kjo për Shqipërinë. Por cila është alternativa që do të ofroni ju për të bindur shqiptarët, vitin e ardhshëm ka zgjedhje? 
Shqipëria duhet t'i përgjigjet nevojave të njerëzve. Sot Shqipëria është vend i mundësive vetëm për një grup pushtetarësh dhe klientët e tyre që kontrollojnë ekonominë me monopole, me tendera që i marrin vetëm një grusht njerëzish. Platforma jonë është konkrete me zgjidhje konkrete për probleme konkrete. Për fermerët qeveria ime do të ofronte 100 milionë euro subvencione të drejtpërdrejta, familje për familje, pa asnjë kufizim sa i përket sipërfaqes së tokës që punojnë apo numrit të krerëve që mbarështojnë. Për sipërmarrësit një regjim fiskal, më të favorshmin në Ballkan, ne synojmë futjen e taksidarëve, inspektorëve të qeverisë në zyrë, dhe jo si sot, banda që terrorizojnë nga mëngjesi në darkë biznesin, synojmë përmirësim themelor të shërbimeve sociale, e shumë vëmendje shëndetësisë, mbështetje e shtresave në nevojë, që sot marrin ilaçe më të shtrenjta se në Uashington, e të tjera. Ne duam Shqipërinë e mundësive për të gjithë në bazë të punës së ndershme e aftësive.