1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lufta zyrtarisht e përfunduar- Trupat amerikane largohen nga Iraku

Shtatë vjet e gjysëm pas përmbysjes së regjimit të Sadam Hyseinit, ushtria amerikane tërhoqi trupat e fundit luftarake nga Iraku. Brigada e fundit luftarake kaloi kufirin me Kuvajtin në natën duke u gdhirë dita e enjte.

Trupat amerikane largohen nga Iraku

Trupat amerikane largohen nga Iraku

Një natë historike. Pas mbi shtatë vjet e gjysëm trupat e fundit luftarake amerikane largohen nga Iraku. "Erdhi fundi i luftës në Irak!" - njoftuan rreth orës 20 sipas kohës lokale amerikane njëzëri të gjitha stacionet amerikane të lajmeve, të cilat bazoheshin në informatat e reporterëve nga vendi i ngjarjes. Pak minuta më vonë edhe Ministria e Jashtme amerikane njoftoi zyrtarisht për përfundimin e luftës dhe foli për një moment historik në kohën që brigada e fundit me rreth 2.000 ushtarë po kalonte kufirin irakian me Kuvajtin. Në kohën kur autoblindat amerikane arritën kufirin e siguruar me tela gjemborë sipas dëshmitarëve okularë ushtarët dolën nga autoblindat, shpalosën flamurin amerikan dhe u grumbulluan për një fotografi të përbashkët.

Ushtarët largohen krenarë

Sipas informatave të agjencisë së lajmeve AP ishte vetë dëshira e këtyre ushtarëve që të largohen nga Iraku përmes rrugës së rrezikshme tokësore e jo thjesht përmes rrugës ajrore. Ata shprehën dëshirën që luftës së diskutueshme të filluar nga Xhorxh Bushi me 20 mars të vitit 2003 t'i japin fund me kokën e ngritur lart para gazetarëve të grumbulluar për ta përcjellur këtë ngjarje. "Më parë mendon se ke ardhur këtu njeri i formuar. Por pastaj e përjeton se sa shumë të ndryshon kjo luftë", thotë një ushtar i divizionit të dytë të këmbësorisë në momentin kur largohet nga Iraku.

Gruaja e tij nuk e dinte ende se burri i saj pas ca ditësh do të kthehet në shtëpi. "Jo nuk e dija. Edhe pse para dy ditësh ne kemi folur me njëri-tjetrin", sqaron ajo për kanalin televiziv amerikan CNN.

Tërheqja filloi më parë

Në fakt: tërheqja e trupave të fundit luftarake nga Iraku ndodhi disa ditë përpara. Deri më 31 gusht do të përfundojë misioni luftarak në Irak, këtë premtim e kishte përsëritur para pak kohësh presidenti amerikan Barack Obama para veteranëve të luftës. "Dhe kjo është pikërisht ajo çfarë ne do ta bëjmë. Dhe atë me kohë ashtu siç kemi premtuar."

Me tërheqjen e trupave luftarake nga Iraku presidenti Obama përmbush një premtim të rëndësishëm në fushën e politikës së jashtme nga fushata elektorale: domethënë për t'i dhënë fund luftës në Irak në mënyrë të përgjegjshme. Kundërshtimi i luftës në Irak ishte ndryshimi i Obamës nga parardhësi i tij Xhorxh Bushi dhe rivalja e tij në fushatën e brendshme partiake Hillary Clinton, e cila e miratonte këtë luftë. Dhe tërheqja e përpikët e trupave luftarake nga Iraku është tani një sinjal i rëndësishëm për presidentin amerikan para zgjedhjeve të ardhshme të Kongresit. "Deri në fund të këtij muaji ne do të kthejmë nga Iraku në shtëpi 90 mijë ushtarë", ka theksuar presidenti Obama. Dhe në mënyrë që lajmi për suksesin të arrij edhe deri tek elektorati, Obama i shoqëruar nga duartrokitjet e veteranëve e përsëriti se: "Unë dërgojë shumë ushtarë shtesë në Afganistan. Por unë sjell më shumë ushtarë në shtëpi nga Iraku".

Lodhje nga luftërat

Obama e di shumë mirë se amerikanët janë të lodhur nga lufta. 56 mijë ushtarë amerikanë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak edhe pas këtij përfundimi zyrtar të luftës atje. Zyrtarisht, për të trajnuar ushtrinë irakiane. Por de facto në rast nevoje për të ndëryhrë menjëherë në luftë kundër kryengritësve.

Me 535 kryesisht civilë të vrarë muaji i fundit ishte me më së shumti viktima në këto vitet e fundit. Pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve ende nuk është formuar një qeveri funksionale në Irak. Dhe së fundi një atentator kamikaz në Bagdat shkaktoi vdekjen e 50 njerëzve. Ndërkohë që thuhet se ushtari i fundit amerikan duhet të largohet nga Iraku me 1 dhjetor të vitit 2011.

Autor: Ralf Sina/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM