1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lufta për liri në Evropën Lindore nga 1953 deri më 1989

60 vjet më parë, punëtorët e parë gjermanë dolën në rrugë kundër regjimit komunist në RDGJ. Sot 17 Qershori shihet si fillimi i një procesi deri në revolucionin paqësor 46 vjet më vonë.

Në kohën e kryengrtijes Peter Klinkenberg ishte 19 vjeç dhe sapo kishte filluar të jetojë në pjesën perëndimore të Berlinit. "Regjimi stalinist nuk mund të ishte e ardhmja ime, kështu që unë u largova nga Berlini Lindor për të studiuar në Universitetin e Lirë", sqaron ai sot. Por kontaktin me shokët në Lindje ai e mbajti vazhdimisht - si shumë të tjerë edhe ai shpresonte në ndryshime.

Në vitin 1952 në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ) filloi me të madhe shtetëzimi i ndërmarrjeve industriale, shpronësimi i dyqaneve private të shitjes me pakicë dhe kolektivizimi në bujqësi.Gjendja e njerëzve ishte duke u përkeqësuar, "marshimin drejt socializmit" nuk e donin shumë prej tyre. Kësaj duhet t'i shtohet edhe kriza serioze e furnizimit në fillim të viteve 50-të dhe represioni masiv shtetëror. "Ata donin që të çonin në djall regjimin por askush nuk dinte se si", thotë Klinkenberg për të shtuar se: "Ne gjermanët nuk kemi mësuar kurrë se si duhet rezistuar".

Marshimi i tankeve

Kur në mes të qershorit 1953 ai dëgjoi se në Berlinin Lindor së shpejti do të ketë protesta, ai donte të ishte atje. "Në mëngjesin e hershëm të 17 qershorit ne kemi vendosur me disa studentë të tjerë që të mos merrnim pjesë në ligjërata në universitet dhe morrëm trenin për në Berlinin Lindor. Ne e dinim se diçka do të ndodhë."

Pamje nga kryengritja popullore në RDGJ (17 qershor 1953)

Pamje nga kryengritja popullore në RDGJ (17 qershor 1953)

Klinkenberg-ut i kujtohen ende mirë thashethemet e para që qarkulluan në mesin e punëtorëve të uzinës së çelikut Henningsdorf në veri të Berlinit për të proestuar kundër regjimit. "Rreth mesditës tanket e para marshuan përmes bulevardit 'Unter den Linden" pas tyre vraponin ushtarët sovjetikë", kujton dëshmitari okularë. "Ata qëlluan me kallashnikov në ajër dhe njerëzit u detyruan të fshiheshin sepse thërmiat fluturonin gjithandej."

Në mbrëmje studenti u kthye në Berlinin Perëndimor. "Ne kishim frikë se mos do të jetë i bllokuar kufiri i sektorit dhe ne nuk do të arrinim të dilnim jashtë." Vetëm në javët që pasuan   ai e kuptoi dimensionin e kryengritjes. Në mbarë  RDGJ-në në atë kohë deri në një milion njerëz protestuan kundër regjimit komunist dhe sovjetizimit të vendit. Ata kërkuan zgjedhje të lira. Së paku 55 njerëz humbën jetën gjatë kësaj kryengritje - ata u qëlluan për vdekje nga oficerët e policisë dhe ushtarët sovjetikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan. Qindra të tjerë u dënuan me punë të detyruar në Siberi.

Tradita e rezistencës

Çështjen se pse kryengritja e 17 qershorit nuk ka prodhuar një opozitë të fortë në RDGJ,  Peter Klinkenberg e sqaron sidomos me përvojën gjermane të dhunës naziste dhe mungesën e traditës së rezistencës. Përveç kësaj një rol ka luajtur edhe pikëpamja e brendshme gjermane. "Shpirtërisht nga vitet e 60-ta nuk ka pasur ndonjë interesim të madh në Republikën Federale se çfarë po ndodhte në Gjermaninë Lindore. Kjo ishte një përvojë zhgënjyese", thotë ai. Pas 17 qershorit të vitit 1953, gjermanët duket se kishin lëshuar vetveten.

Një gjendje krejt tjetërt paraqitej në vendin fqinj lindor: "Tradita e rezistencës në Poloni filloi në shekullin e 19-të me kryengritjet kundër ndarjes së vendit, vazhdoi në shtetin ilegal gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe përfundoi me lëvizjen Solidarnosc dhe ngjarjet e vitit 1989", thotë historiani Martin Kirsch nga Universiteti Humbold i Berlinit.  Dhe publicisti polak Adam Krzeminski vë në dukje edhe një ndryshim tjetër: shumë njerëz në Gjermaninë Lindore kanë besuar deri në fund të viteve 1980 në një socializëm me një fytyrë njerëzore ndërkohë që polakët e kanë refuzuar tërsisht regjimin duke ndërtuar një shtet të dytë ilegal. Edhe pse kjo ka zgjatur për disa dekada prapëseprapë ai çoi përfundimisht në përmbysjen e sistemit.

Lech Valesa flet në vitin 1980 para punëtorëve në kantierin detar në Gdansk

Lech Valesa flet në vitin 1980 para punëtorëve në kantierin detar në Gdansk

Nga perspektiva e sotme, historianët i shohin revoltat popullore si një proces në një kontekst evropian. Ajo që filloi në vitin 1953, përfundoi në 1989 si një revolucion paqësor në RDGJ, thotë Martin Kirsch dhe numëron fazat: Kryengritja e parë në vitin 1953 e punëtorëve në uzinat e Shkoda-s në Pilsen të Çekosllovakisë së atëhershme, në të njëjtin vit pastaj kryengritja  popullore në RDGJ. Ajo u pasua nga protestat në Hungari në vitin 1956, Pranvera e Pragës në vitin 1968 dhe në vitin 1970 protestat në Poloni. Dhjetë vjet më vonë, pas grevës së vitit1980 në kantierin detar në Gdansk, u themelua sindikata "Solidarnosc", nën udhëheqjen e Lech Valesa.