1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Lufta për demokracinë në Rumani

Dhjetëra mijëra vetë demonstrojnë prej dy javësh në Bukuresht kundër korrupsionit dhe qeverisë social-liberale. Besueshmëria tek politika është tronditur më thellë se mendojnë qeveritarët.

Nga strehët e Bukureshtit varen kërcënueshëm hejet e akullit. Bora dhe ngrica i bëjnë disa rrugë të pakalueshme. Autoritetet pastrojnë vetëm bulevardet kryesore nga bora. Qeveria duket se ka shqetësime të tjera, më të mëdha. Ajo ka humbur shumë nga besimi i votuesve, që solli një revolucion të kadifenjtë, që ka përfshirë të gjithë vendin. Në sheshin Piata Victoriei, sheshi i fotres grumbullohen dhjetëra mijëra vetë darkave për të protestuar paqësisht kundër qeverisë së kryeministrit Sorin Grindeanu dhe planeve të tij për të zbutur ligjet kundër korrupsionit.

Protestë e pandalshme e qytetarëve të zemëruar

Demonstruesit duan të shprehin pakënaqësinë, megjithëse qeveria nën presionin e rrugës i tërhoqi ndërkohë rregulloret e miratuara me nxitim, që do të dekriminalizonin keqpërdorimin e postit dhe do të nxirrnin jashtë loje shtetin ligjor. Partia populiste qeverisëse, PSD dhe kreu i saj i dënuar për manipulim zgjedhor, Liviu Dragnea e larguan fillimisht nga detyra ministrin e Drejtësisë, por besimi nuk është rikthyer. Besueshmëria tek politika është tronditur më thellë se paramendojnë Dragnea e përkrahësit e tij. Protestuesit janë nga të gjitha moshat, të rinj, në moshë të pjekur, aty sheh baballarë me fëmijë në supe, pensionistë, njerëz me karrige invalidi. Gruppe të tëra bashkohen dhe fotografohen nga gazetarët e huaj.

Rumänien Bukarest - Massendemos gegen sozialdemokratische Regierung (DW/C. Stefanescu)

Ioana, Elena dhe Catalin kanë një listë me kërkesa

Lista e gjatë e kërkesave

Ioana, Elena dhe Catalin tregojnë një letër, ku janë renditur tetë kërkesa. Ato i rendisin me krenari pikat: „Asnjë qeveri nuk duhet të nxjerrë më një ligj të tillë. Ato kërkojnë „transparencë përmes „e-government‘", një avovat të popullit me prestigj të vërtetë, „që është aty për njerëzit e thjeshtë". Zyrat publike duhet të depolitizohen, personat, kundër të cilëve janë zhvilluar procese gjyqësore nuk duhet të mbajnë poste publike. Kërkesa tjetër lidhet me heqjen e imunitetit parlamentar. Por a mund të arrihen këto me një demonstratë? „Këtë nuk e dimë, por ne jemi të vendosur të demonstrojmë, sa kohë që e kemi arritur atë që është më e rëndësishme", thotë Catalin. „Ne bëjmë rezistencë."

Thirrjet për një qeveri të re shtohen, smartphonet  ndriçuan të dielën (12.02) sheshin në ngjyrat blu-të verdhë-të kuqe të flamurit rumun. „Hajdutë", „haujdutë", „Dorëheqje", thërrisnin protestuesit me flamuj rumunë, amerikanë.

Shoqëria e përçarë

Mes demonstruesve edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Vlad Voiculescu. Çfarë e shqetëson atë tek qeveria që del bashkë me të tjerët në rrugë dhe a është optimist për protestat? 34 vjeçari thotë se "ligjet e miratuara me shpejtësi ishin test lakmusi, ato zgjuan shumë vetë, sollën një pjekuri politike, dhe në të njëjtën kohë kanë zbuluar fytytën e vërtetë të qeverisë.”

Ndërkohë paralelisht me protestat masive kundër qeverisë, grumbullohen disa qindra vetë, rumunë të moshuar para pallatit presidencial dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit, Klaus Iohannis, sepse ai i mbështet protestat kundër qeverisë. Ata  e bëjnë atë përgjegjës për demonstratat në Piata Victoriei e në të gjithë vendin dhe e akuzojnë për përçarje të shoqërisë. Televizionet e afërt me partinë, PSD e akuzojnë presidentin për tradhti ndaj atdheut dhe shitje të Rumanisë. "Ai duhet të kthehet në Gjermani”, thërrasin disa, duke i kujtuar atij origjinën nga pakica gjermane në Rumani. Para disa ditësh presidenti doli në rrugë dhe kërkoi të bisedojë me ta. Pa sukses. Masa e zemëruar bërtiste, dëgjoheshin parulla, por nuk kishte dëshirë për bisedime. Demokracia e vërtetë ka pamje tjetër.