1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lufta kundër terrorit - pa Turqinë?

Opinioni publik turk kritikon qendrimin e distancuar të Perëndimit përballë Turqisë, kur bëhet fjalë për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ekspertët e argumentojnë këtë me një mungesë besimi ndaj qeverisë turke.

Që prej atentatit kundër revistës satirike franceze, Charlie Hebdo, lufta kundër terrorit ndërkombëtar është më aktuale se kurë. Turqia si partnere e NATO-s luan këtu një rol të rënëdësishëm. Para së gjithash kufijtë e përbashkët me Sirinë dhe Irakun, vende në të cilat Shteti Islamik (IS) përbën një rrezik gjithnjë e më të madh, e bëjnë të domosdoshme një bashkëpunim strategjik me Turqinë.

Por në publikun turk po artikulohen me zë gjithmonë e më të lartë kritikat, se Perëndimi po i kthen krahët Turqisë. "Pse e margjinalizojnë Turqinë?" e titullonte artikullin gazeta Zaman. Ngjashëm shkruante para pak kohësh edhe gazeta Hürriyet: "Turqia nuk duhet të përjashtohet nga aleanca anti-terror".

Turqia e përjashtuar?

Në plan ndërkombëtar, Turqinë e kritikojnë herë pas here se nuk vepron me vendosmërinë e duhur kundër Shtetit Islamik dhe terroristëve të tjerë, të cilët e përdorin Turqinë si vend tranzit. Në vizitën e tij në Gjermani para dy javësh, kryeministri turk Ahmet Davotuglu argumentoi me fakte kundër kritikave. Turqia ka rreth 7000 luftëtarë të huaj në listën e zezë, të cilët kanë lidhje me terrorizmin në Siri dhe në Irak, tha Davotuglu. "2000 prej tyre i kemi kthyer tashmë në atdhe. Ky bashkëpunim do të vazhdojë", siguroi kryeministri i Turqisë. Veç kësaj, Turqia i përcolli në kohën e duhur informacione shërbimit të fshehtë të Francës për bashkëpunëtoren e dyshuar të atentatorëve të Parisit, Hayat Boummedine, tha Davotuglu. "Edhe përpara se Franca t'i kërkonte informacionet", theksoi kryeministri.

"Është një kontradiktë", shkruan Murat Yetkin në rubrikën e tij në gazetëm Hürriyet Daily News. Në fillim të janarit, përfaqësues të 11 vendeve u takuan në Paris për të diskutuar rreziqet e sigurisë, që janë shkallëzuar që prej atentatit ndaj Charlie Hebdo-së, thotë Yetkin. "Por Turqinë, një anëtare të rëndësishme të NATO-s nuk e ftuan në takim", shkruan ai. Yetkin përmend edhe dy konferenca kundër terrorizmit. "Më 12 shkurt në Bruksel dhe më 18 shkurt në Uashington. Turqia ende nuk ka marrë ftesë për konferencat", kritikon gazetari.

Mungesë besimi ndaj qeverisë turke?

"Është ende pak herët që të besosh se Turqia përjashtohet nga konferencat anti-terror," thotë Fethi Acikel, politolog në Universitetin e Ankarasë. Po është e dukshme se ka një mungesë besimi ndaj autoriteteve turke, thotë Acikel në bisedë me DW. "Kjo ka shkakun e vet. Ka pasur sinjale se qeveria turke nuk bën përpjekje të vazhdueshme për të bashkëpunuar sa duhet me BE-në dhe shtete të tjera perëndimore në luftë kundër organizatave terroriste islamike". "Luftëtarë të Frontit Al-Nusra ( një organizatë terroriste në Siri, pjesë e Al Kaidas) dhe udhëheqja e tyre janë stërvitur në provinca të ndryshme turke. Atyre u është dhënë mbështetje logjistike në spitale dhe në vende të tjera, për të luftuar kundër regjimit të Assadit në Siri", thotë politologu.

Edhe luftëtarë të Shtetit Islamik e përdorin Turqinë si një lloj "qielli të sigurtë", përpara se të nisen në Siri ose në Irak për të luftuar kundër regjimit të Assadit, thotë Acikel.

"Ka një shkak të qëlluar se pse Turqia nuk e lufton Shtetin Islamik në Siri ose në Irak. Jo sepse ka simpati për të, por sepse Turqia është në kufi me këto vende dhe me organizatat e atjeshme terroriste", shprehet Mensur Akgün, drejtor i Global Political Trends Center, në Universitetin e Stambollit, Kültür Universität. "Këto janë vende fqinje. Që të konfrontohesh ushtarakisht me këta terrorsitë, kjo do të ishte një ftesë për terrorizmin vetë në Turqi. Në Turqi nuk do të ishim më të sigurtë", thotë Akgün.

Turqia është padyshim e gatshme që të përballet më fort me Shtetin Islamik. "Por nevojitet një strategji e hollësishme e Perëndimit. Si të marshojë Turqia në Irak dhe në Siri thjesht pa strategji", thotë Akgün.