1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Lufta kundër korrupsionit mbetet prioritet në Tiranë

Ani Ruci26 Maj 2008

Me short sot Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, përzgjodhi mbi 160 politikanë dhe zyrtarë të lartë, deklarimet e të cilëve për pasuritë do të verifikohen.

https://p.dw.com/p/E6GO
Fotografi: BilderBox.com

Në listën e gjatë të deklarimeve të mbi 4000 politikanëve, zyrtarëve të lartë, gjykatësve dhe prokurorëve, shorti i sotëm ka përzgjedhur 165 syresh për t'u verifikuar nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Detyrimi për hedhjen çdo vit të këtij shorti në këtë Inspektoriat përcaktohet në ligjin "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike." Shorti për përzgjedhjen e deklarimeve të pasurisë, që do të verifikohen, u bë sot në Tiranë, në prani të përfaqësuesve të sindikatave, medias, shoqërisë civile dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare.

Kush i nënshtrohet verifikimit

Burime nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive thanë për DW se shorti i verifikimit të deklarimit u ka rënë 6 deputetëve dhe një numri të konsiderueshëm gjykatësish dhe prokurorësh. Fatmira Laskaj, Drejtore e ketij Inspektoriati e konsideron bashkëpunimin ndërinstitucional një çelës të suksesit në luftën kundër korrupsionit, dhe bërjes së transparencës së pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. "Për një institucion si Inspektoriati, i përqëndruar në luftën kundër korrupsionit, është shumë e rëndësishme të realizojë një bashkëpunim ndërinstitucional në procedurën dhe kuadrin ligjor të realizojmë në mënyrë të përkryer transparencën e deklarimeve për pasurinë." tha Fatmira Laskaj.

Tirana Parlament
Gjashtë deputetëve të parlamentit do t'u verifikohen pasuritëFotografi: AP



Në Shqipëri kontrolli i plotë për verifikimin e vërtetësisë dhe të saktësisë së të dhënave që figurojnë në deklaratën e pasurive bëhet çdo 2 vjet për Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrat dhe zëvendësministrat. Ndërsa për kryetarët e bashkive, të komunave, nëpunësit civilë të nivelit të lartë drejtues kontrolli bëhet një herë në çdo tre vjet. Por ligji parashikon edhe shmangien nga rregulli i mësipërm. Kontrolli i deklarimeve të pasurisë mund të kryhet sa herë që Inspektori i Përgjithshëm e gjykon të nevojshëm pasi dyshon në saktësinë e të dhënave që përmban deklarimi përkates, dyshim që mbështetet në kontrollin aritmetik apo logjik, që tregon se burimet financiare nuk mbulojnë ose nuk justifikojnë të drejtat pasurore të deklaruesit.

Deklarimi dhe verifikimi i pasurive të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në Shqipëri, të përfaqësuesve të drejtësisë përbën një mekanizëm të rëndësishëm për të luftuar korrupsionin në sferat e larta të politikës dhe drejtësisë të kritikuara nga shtypi i pavarur i Tiranës si mjaft të korruptuara.