1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Lufta informative 2.0 - bots, troll-et dhe populistët

Gjuha krijon realitete! Këtë e dinë populistët e të gjitha ngjyrave dhe kjo po ndihet edhe në Gjermani.

Çfarë kanë të përbashkët atentatorët e Würzburgut, të djathtët e revoltuar në Bautzen, gjermanët e Rusisë që protestuan kundër zhdukjes së 13-vjeçares Lisa dhe mbështetësit e "Lëvizjes Identitare"? Në vështrim të parë jo shumë. Por në të vërtetë, të gjithë ata i marrin informacionet e tyre nga interneti, lidhen, e mbështesin njëri-tjetrin dhe radikalizohen atje.

Hapësira publike në Gjermani po ndryshon në mënyrë rrënjësore - ajo që nis si tweet ose postim në internet, ka kohë që çon praktikisht në dhunë, ka pasoja direkte në kohezionin social në Gjermani dhe në rezultatet e zgjedhjeve.

Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 do ta tregojë: në ndodhemi para një ndryshimi rrënjësor të hapësirës publike në Gjermani. Kur e kemi pasur së fundi kryeartikullin, që ka ngjallur kudo diskutime? Dhe debatet parimore, të cilat ofrojnë orientim politik dhe që ndikojnë vendimet elektorale - a zhvillohen ato ende në parlamente apo në degët lokale të partive? Apo të gjitha këto janë zhvendosur në internet, ku kemi shpesh thjesht një luftë opinionesh, të pamëshirshme, antihumane, pa fakte?

Nuk kemi të bëjmë as me mendime të çorientuara në internet, as me diskutime midis gjoja të dështuarve në Gjermani. Ai që e beson këtë, e ka gabim. Sepse lëvizjet e ndryshme - nga lëvizja ksenofobe e protestës Pegida, deri te "Lëvizja Identitare" ekstremiste e djathtë dhe që në Gjermani vëzhgohet nga organet e mbrojtjes së kushtetutës, deri te agjencia ruse Sputnik ose tek degët e ndryshme rajonale të partisë "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) - krijojnë në rrjetin e internetit lidhje të ngushta. Ata i japin zemër njëra-tjetrës - dhe e bëjnë këtë përtej kufijve të shteteve. Dhe ato po e zgjerojnë ndikimin e tyre në mënyrë të qendrueshme dhe të matshme nëpër platformat më të ndryshme. Interneti krijon histori nga pozicionet e tyre politike, i bashkon motivet dhe konceptet e tyre.

Këto fushata në rrjet krijojnë heronj: fitimtarë të mëdhenj si Trumpin, për shembull. Por ato i informojnë mbështetësit fundamentalistë në interrnet edhe për "veprat heroike" shkatërrimtare të atentatorëve xhihadistë. Më tej ato u japin miliona ndjekësve (followers) dhe anëtarëve të grupeve, që i shpërndajnë këto histori sigurinë, se takojnë njerëz që mendojnë njësoj dhe që më në fund po i dëgjon dikush. Ata kanë ndjesinë e mirë se janë përcaktues të agjendave në grupet e Facebookut, në twitter, në komentet e përdoruesve të faqeve të mëdha të lajmeve në internet.

Politika dhe mediet duhet të trajtojnë temat e vlerave

Ute Schaeffer

Ute Schaeffer

Në agjendën e këtyre aktorëve ekstremistë të djathtë dhe populistëve të djathtë diskutohen tema qendrore për të gjithë njerëzit: censura dhe liria e mendimit, çështja se si zhvillohen proceset vendimmarrëse demokratike, çështja sa e drejtë është Gjermania? Në këtë kuadër i vihet pikëpyetje në shumë drejtime besueshmërisë dhe aftësisë për të vepruar të proceseve dhe institucioneve tona demokratike - dhe vlerave të një shoqërie të hapur dhe tolerante.

Kjo duhet thënë me zë të lartë! Sepse në fushatën elektorale 2017 do të ketë shumë rëndësi si do të përballen partitë dhe mediet në Gjermani me këto tema me përmbajtje shumë shpërthyese vlerash. Ai që beson se në programet elektorale mund t'u bësh bisht temave të tilla, ai këtu ndodhet në rrugë të gabuar!

Të mësosh nga Trumpi, do të thotë të mësosh të fitosh - këtë përfaqësuesit e AfD-së nuk e fshehin në daljet e tyre publike. Siç dihet, Trumpi i përmbahet bindjes: "unë nuk kam nevojë për parti dhe për medie. Unë jam një lëvizje!" E njëjta gjë vlen edhe për jodemokratë si Presidenti Erdogan ose Putini. Të gjithë ata mbështeten tek interneti dhe tek mënyra si funksionon ai: në komunikimin e tij direkt, në rrjetin e krijuar prej tij dhe në shumëfishimin masiv të përmbajtjeve përmes grumbullit.

Gjuha e thjeshtë si faktor suksesi

"Këtë duhet të të lejojnë ta thuash", kërkon rregullisht AfD në deklaratat e saj. Një gjuhë e thjeshtë dhe një komplet i vogël me mesazhe të qarta kontribuojnë për suksesin e saj: koncepte qendrore lufte konstruktohen në internet dhe transportohen pastaj në diskutimin politik: "shtyp i gënjeshtrave", "banda kriminele migrantësh", "tradhëtarë të popullit", "islamizimi", "rrethimi i popullit" - kjo listë me siguri do të vazhdojë në vitin 2017. Një gjuhë e tillë është një faktor vendimtar suksesi për AfD-në.

Cili do të ishte reagimi i përshtatshëm për këtë? Si për politikën, ashtu edhe për mediet vlen: qëndroni të besueshëm! Këtu bën pjesë që të mos anashkalohen as temat dhe as emocionet në internet, as të shpallen ato si të parëndësishme. Që të bëhet e qartë se politika dhe mediet ekzistojnë që të pranojnë temat, të cilat preokupojnë njerëzit -dhe se ua kanë borxh njerëzve që t'u japin llogari për to. Që besnikëria ndaj fakteve do të jetë ajo që do të përbëjë dallimin - më e vonta pas zgjedhjeve! Dhe se gara është e humbur, po t'u bësh bisht këtyre debateve të vështira, por kaq të rëndësishme për të ardhmen tonë sociale dhe politike ose po t'i anashkalosh këto tema. Kjo nuk do të ecë!