1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Lufta elektorale në Shqipëri dhe gjuha e komunikimit

Analistët: Komunikimi mes kandidatëve e qytetarëve në këtë fushatë është më praktik dhe më i moderuar. Por media inkriminohet duke u imponuar të transmetojë materiale të përgatitura nga vetë subjektet politike konkuruese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Tiranë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Tiranë

Kandidatët për pushtetin vendor, politikanët, deputetet, strategët e fushatave elektorale janë të gjithë në terren. Organizojnë takime me kalimtarë të zakonshëm, me mbështetës e simpatizantë, forume diskutimi për problematikën e komunitetit, tubime në vende publike të hapura ose salla të mbyllura. Çdo gjë vendoset në një dekor të dizainuar enkas për fushatë, ku bien menjëherë në sy sloganet, flamujt partiakë, banderolat, billborde gjigande shumëngjyrëshe dhe ku grupe të rinjsh shpërndajnë me shpejtësi për cilindo pjesmarrës fletëpalosje dhe broshura për programet, premtimet dhe objektivat e atyre që garojnë. Në një atmosferë të tillë të ndezuar qytetarët kanë më shumë mundësi të njohin ata për të cilët do të votojnë më 8 maj 2011, të mësojnë idetë e projektet e gjithësecilit kandidat, në mënyrë që ta kenë më "të pjekur" mendimin për vendimin e tyre para kutisë së votimit.

Ylli Rakipi

Ylli Rakipi

Duke vlerësuar tiparet e fushatës së deritanishme elektorale, analisti Ylli Rakipi mendon se komunikimi mes kandidatëve dhe qytetarëve bëhet për aspekte konkrete nga gama e problemeve dhe shqetësimeve që ka komuniteti. Kjo është për t'u përshëndetur, por, shton ai, nuk mungojnë dhe premtime që nuk janë aspak realiste dhe që i bëjnë qesharakë politikanët dhe kandidatët në sy të opinionit. "Unë mendoj se ka premtime që përmbajnë fatura të jashtëzakonshme dhe ata nuk tregojnë se ku do t'i gjejnë këto burime kaq të mëdha. Kjo është një nga anët negative të kësaj fushate, sepse shqiptarët janë përplasur edhe më parë me këtë lloj psikologjie, me këto lloj premtimesh që nuk i kanë çuar asgjëkundi dhe nuk u kanë sjellë asgjë të mirë."

Analisti për çështjet ekonomike, Gjergj Buxhuku, shikon një larmi programesh që paraqesin subjektet politike në këtë fushatë. Sipas tij, kjo varion për njësi të ndryshme administrative, pasi secila ka specifika të problemeve me të cilat përballen qytetarët. Mua më duket një prezantim më cilësor se në fushatat e kaluara nga pjesa më e madhe e kandidatëve, sepse ata duken "me këmbë në tokë" me objektivat që shpallin, thotë Gjergj Buxhuku për DW-në. "Praktikisht kërkohet zgjidhje brenda kompetencave, përgjegjësive dhe të drejtave të cilat ua jep ligji. Nuk kërkohet asgjë më tepër se sa ligji u jep pushteteve vendore. Ky fakt të lë të shpresosh që menaxhimi i pushtetit vendor do të vijë duke u përmirësuar. Pra, shikoj që kemi shumë më pak politikë dhe kemi shumë më tepër menaxhim e administrim në fjalimet e kandidatëve të cilësdo parti."

Gjergj Buxhuku

Gjergj Buxhuku

Ylli Rakipi e quan si një dukuri negative në fushatën elektorale procesin e imponimit që po u bëhet televizioneve për të transmetuar kaseta të montuara nga stafet elektorale të kandidatëve. Është për të të ardhur keq që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vendimet e tij e ligjëron këtë trukim të fushatës në sytë e publikut, thotë Rakipi për DW-në. "Kjo loja e kasetave është një gjë e turpshme, një telenovelë, e cila i përsëritet teleshikuesit shqiptar dhe në këtë mes është e inkrimuar edhe media, e cila luan një rol megativ duke i transmetuar këto kaseta."

Për Gjergj Buxhukun kjo fushatë ka nxjerrë në pah një imperativ për institucionet shqiptare, për legjislativin dhe ekzekutivin, që të nisin të mendojnë dhe të veprojnë për të realizuar një reformë të thellë territoriale dhe administrative. "Ideja është që të zgjerohen njësitë vendore në bazë qarku, ose rrethi dhe funksionarët e tyre duhet që të zgjidhen direkt nga vota e qytetarëve", thotë Buxhuku për DW-në.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora