1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Lufta e përgjakshme në Kajro vazhdon

Policia dhe ushtria qëllojnë me armë zjarri demonstruesit islamistë. Megjithatë ata nuk heqin dorë nga rezistenca.

Dhjetëra tanke kanë rrethuar sheshin Tahrir. Regjimi i ri ushtarak do të pengojë që demonstruesit islamikë të pushtojnë sheshin simbolik në qendër të Kairos. Përkrahësit e Mursit kishin njoftuar se do të organizonin 28 marshime. Pas lutjes të së premtes të gjitha do të takoheshin në sheshin Ramses, tre kilometra me tutje.

Dhe në të vërtetë pas lutjes aty u mblodhën mbi dhjetë mijë vetë. "Islamiste, islamiste" thërrasnin ata me zë të lartë, "ky është zemërimi i myslimanëve, ju keni djegur njerëzit." Fjala është për masakrën e Raba al-Adavija, në të cilën u vranë qindra vetë, në radhë të parë islamistë. Shumë prej tyre u dogjen.

Shumë demonstrues kanë qenë më parë në kampet e protestave

Shumë demonstrues kanë qenë më parë në kampet e protestave

Në zërat e protestuesve dëgjohet zemërim dhe vendosmëri absolute. Adel Badri, një tregtar peshku 50-vjeçar, qëndron ulur në lulishten aty pranë. Pas shpërndarjes së kampit ai ka qenë çdo ditë në Raba: "Një nga miqtë e mi më të ngushtë u vra atje. Trupi i tij i vdekur është djegur. Unë vij nga një fshat në provincën Monofeia dhe nga secili prej fshatrave përreth janë vrarë të paktën dy vetë."

Të gatshëm për të vdekur

Kjo ka qenë e parashikueshme. Që masakra e Rabës do të krijonte një zemërim shumë të madh tek islamistët. Shumë prej tyre janë të gatshëm të vdesin si "martirë". "Gjakun dhe shpirtin tim i flijoj për Islamin", thërret njëri. Lufta kundër policisë dhe ushtrisë është në sytë e tyre luftë për Islamin. Javët apo muajt e adhurimit të martirizimit nga udhëheqja e tyre u ka dhënë atyre guxim të vërtetë

Tani ata nuk duan vetëm kthimin e presidentit të tyre: Duke iu drejtuar policisë dhe ushtrisë ata thërrasin: "Ne do t'jua tregojmë qejfin dhe do t'ju mësojmë si të silleni". Momen, një protestues, shton: "Këta njerëz janë vrasës, ata kanë bërë grusht shteti dhe nuk duan të na lenë të votojmë. Duan të na mbajnë gjithmonë si qytetarë të klasit të dytë. Por ne nuk do ta lejojmë këtë, edhe sikur të vdesim të gjithë."

Xhamitë kthehen në spitale fushore

Menjëherë pas kësaj dëgjohet zhurmë. Protestuesit godasin rrethimet metalike të autostradës aty pranë, në fund të së cilës në anën tjetër kanë zënë pozicion forcat e sigurisë. Të shtënat bien me shpejtësi. Populli vrapon me frikë në drejtim të kundërt. Gjithë turma vihet në lëvizje.

Xhamia e kthyer në spital

Xhamia e kthyer në spital

Ndryshe nga protestat e mëparshme kësaj rradhe nuk qëllohet me predha gazi lotsjellës. Por gjithmonë bien të shtëna dhe disa minuta më vonë, motorçikletat e para dërgojnë të plagosurit e parë në xhaminë aty pranë, që është kthyer në spital fushor. Një burrë me një krah të lidhur lëviz në drejtim të luftimeve dhe thërret me zë të dridhur: "Unë jam plagosur në Rabaa. Tani duhet të më lejohet të vdes si martir."

Në sfond hoxha thërret përmes altoparlantit të xhamisë, se nevojiten mjekë dhe makina transporti dhe të vdekurit duhet të dërgohen në katin e parë. Brenda janë shtrirë të plagosurit në sixhadenë e gjelbërt të xhamisë. Mjekë me bluza të bardha të përgjakura vrapojnë në sallë dhe kujdesen për pacientët.

Kudo në dysheme ka fasho të ndotura. Sheh kryesisht plagë të shkaktuara nga municioni dispersiv. Para hyrjes Adel Badri thotë: "Ministri i Mbrojtjes Al-Asisi do të provokojë një luftë civile në Egjipt, me qëllim që të qëndrojë në pushtet. Ata kanë djegur edhe kishat, që të mund t'ua vënë fajin islamistëve", thotë ai.

Eskalimi i dhunës ka qenë i parashikueshëm

Të plagosurit janë shtrirë në qilimin e xhamisë Fatah

Të plagosurit janë shtrirë në qilimin e xhamisë Fatah

Se çfarë synon me të vërtetë Al-Asisi në fakt me veprimet e tij brutale, është e vështirë të thuhet. Por që dhuna do të përshkallëzohej në të gjithë vendin, nuk ishte e vështirë të parashikohej. Është e vështirë të besohet se ky përshkallëzim nuk ka qenë i dëshiruar prej tij. Dhe dhuna përhapet në këtë ditë pothuajse në të gjitha lagjet e Kajros. Në stacionin e tramvajit "Ghamra" një turmë të rinjsh të varfër, me siguri të paguar, hedhin gurë dhe shashka nga poshtë në një urë. Kalimtarët ikin në panik.

Disa rrugë më tej të tjerë të rinj sulmojnë një burrë të veshur me një veshje të bardhë tradicionale islamike. Ata e zvarrisin atë në anë të rrugës dhe e rrahin, sepse mendojnë se është islamik. Edhe në shumë pjesë të tjera të qytetit zhvillohen beteja të përgjakshme. Në lagjen Garden City kanë hyrë tanket. Herë pas here dëgjohen thirrje me zë të lartë: "Zoti është i madh". Ushtria dhe policia edhe këtu përdorin municionin kundër demonstruesve islamikë. Në rrugët e atjeshme pranë Nilit bien të shtëna për orë të tëra.