1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Luftë verbale mes Iranit dhe Arabisë Saudite

Mbretëria e Arabisë Saudite "do të paguajë një çmim të lartë" paralajmëron Teherani duke nxitur luftën verbale me Arabinë Saudite pas ekzekutimit të klerikut shiit Nimr el-Nimr Baker.

Pas ekzekutimit të klerikut shiit Nimr el-Nimr Baker në Arabinë Saudite lideri shpirtëror i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, e paralajmëroi Arabinë Saudite nga "hakmarrja e Allahut". "Gjaku i derdhur pa justifikim i këtij martiri do të ketë pasoja të shpejta dhe dora e Zotit do të marrë hak mbi udhëheqjen saudite," tha Khamenei para klerikëve në Teheran. "Ky dijetar nuk i ka inkurajuar njerëzit as për veprime të armatosura, as ka bërë plane të fshehta, e vetmja gjë që ai bëri ishte që shprehu publikisht kritika."

Në të njëjtën kohë, Khamenei kritikoi qeveritë perëndimore dhe i akuzoi ato për mosveprimin në këtë rast. "Mbrojtësit e supozuar të lirisë, të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut" heshtën këtë herë, tha Khamenei. "Pse e mbështetur ata që mbështesin lirinë dhe demokracinë, këtë qeveri," pyeti ai.

Protesta në Iran, Irak dhe Bahrain

Para deklaratës së Khameneit një turmë kishte sulmuar ambasadën e Arabisë Saudite në Teheran duke hedhur dhe lëndë djegëse drejt ndërtesës. Prokurori Abas Jafari Dolatabadi tha, sipas agjencisë së lajmeve ISNA se janë arrestuar 40 vetë që ishin futur në përfaqësinë diplomatike. Krahu studentot i milicisë paraushtarake Basixh bëri thirrje për një protestë përpara ambasadës për të dielën pasdite. Po ashtu njoftohet se u sulmua dhe konsullata Arabisë Saudite në qytetin e Mashhadit.

Ministria e Jashtme iraniane e akuzoi të shtunën Arabia Saudite për mbështetjen e "e lëvizjeve terroriste dhe ekstremiste" dhe për ekzekutimin në të njëjtën kohë të kundërshtarëve të brendshëm. Mbretëria e Arabisë Saudite "do të paguajë një çmim të lartë për këtë" paralajmëroi Teherani. Pas kësaj Riadi e akuzoi rivalin e tij rajonal, për ton "agresive" dhe thirri për bisedime ambasadorin iranian. Përveç Iranit, protesta kundër ekzekutimit të al-Nimrsit pati edhe në qytetin shiit të pelegrinazhit Qerbela në Irak dhe në Bahrain, me shumicë popullsie shiite.

Kleriku shiit ishte kundërshtar i vendosur i familjes mbretërore ultra-konservatore sunite në Riad. 56-vjeçari kishte mbështetur gjatë protestave në prag të Pranverës Arabe në vitin 2011 ndarjen e rajoneve lindore Katif dhe Al-Ihsaa, ku jeton shumica prej afërsisht dy milionë shiitë të Arabisë Saudite. Ai u dënua në tetor 2014 me vdekje dhe u ekzekutua të shtunën, së bashku me 46 persona të tjerë.