1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Luftë tutorëve - Ndryshime në ligjin gjerman për prostitucionin

Ligji aktual gjerman për prostitucionin nxit prostitucionin e detyruar mendojnë aktivistët për të drejtat e njeriut.

15 miliardë euro nxjerrin në vit prostitutat në Gjermani. Kjo është shifra zyrtare e Entit Federal gjerman për Statistikat. Qeveria e dikurshme gjermane e përbërë nga socialdemokratët dhe ekologjistët e kishte kuptuar rëndësinë ekonomike të industrisë së seksit dhe nisur nga kjo miratoi në vitin 2002 një ligj për prostitucionin. Që prej kësaj kohe ofrimi i shërbimeve seksuale komerciale nuk përbën më vepër penale në Gjermani. Ligji e përcakton prostitucionin si një shërbim dhe përmirëson kështu situatën ligjore dhe sociale të prostitutave. Ato mund ta padisin tutorin në rast se nuk u bën pagesat dhe në rast se janë në marrëdhënie pune me kontratë gëzojnë edhe sigurimet shoqërore.

Por shifra të sakta se sa prostituta punojnë në total në Gjermani nuk ka. Sipas një statistike zyrtare të policisë së Shtutgartit për vitin 2012 aty punonin si prostituta rreth 3.400 gra. Kritikuesit e ligjit për prostitucionin thonë se mundësinë për t'u regjistruar zyrtarisht si punonjëse apo punonjës në industrinë e seksit nuk e përdor thuajse askush. Sipas Agjencisë Federale të Punësimit në sigururimet shoqërore në Gjermani janë të regjistruar zyrtarisht vetëm 44 vetë nga industria e seksit dhe katër prej tyre janë madje meshkuj. "Problemi pra është se ligji favorizon më tepër tutorët," tha në një intervistë me ARD oficeri i policisë së Augsburgut Helmut Sporer, i cili punon prej 20 vjetësh në sektorin e prostitucionit.

Pre të shfrytëzimit nga tutorët

Neni 3 i Ligjit për Prostitucionin u lejon pronarëve të shtëpive publike një lloj "të drejte të kufizuar për t'u dhënë urdhëra" prostitutave, të cilat punojnë aty jo si të punësuara që presupozon edhe të drejtën e sigurimeve shoqërore të detyrueshme, por gjoja si bashkëpunëtore të lira.

Sipas mendimit të aktivistëve për të drejtat e njeriut kjo është një shkelje e dinjitetit njerëzor, e cila bën që sidomos punëtoret e seksit që vijnë nga Evropa Lindore dhe nuk dinë të drejtat e tyre në Gjermani, të bëhen pre e shfrytëzimit nga ana e tutorëve për prostitucion të detyruar. Ky ligj nxit prostitucionin e detyruar, mendon aktivistja e grave Alice Schwarzer, dhe bën thirrje që ligji për prostitucionin të ndryshohet urgjentisht nga koalicioni të ri.

Koalicioni i ri synon të rishikojë ligjin për prostitucionin

Marrëveshja e koalicionit mes bashkimit konservator CDU/CSU dhe Partisë Socialdemokrate SPD parashikon vërtet ndryshime në Ligjin për Prostitucionin, sidomos të neneve që merren me prostitucionin e detyruar. Në marrëveshjen e koalicionit thuhet se do të përmirësohen me ligj mundësitë e kontrollit nga ana e organeve të rendit.

"Ne do të ndëshkojmë me konsekuencë jo vetëm ata që i shesin njerëzit si mallra dhe t'i detyrojë për prostitucion, por edhe ndaj atyre që shfrytëzojnë gjendjen e vështirë të këtyre viktimave," thotë Erika Steinbach, kryetare e Grupit të Punës për të Drejtat e Njeriut dhe Ndihmën Humanitare të grupit parlamentar të CDU/CSU.