1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Luftë pushteti sipas stilit rumun

Kryeministri rumun Victor Ponta po e ndryshon vendin me themel me shpejtësi të madhe. Vlerat demokratike dhe shteti ligjor humbasin. Një koment nga Robert Schwartz.

default

Aleanca social-liberale nën drejtimin e kryeministrit Victor Ponta, e lidhur për arsye pragmatike, e nisi punën në fillim të majit me synimin e shpallur për të vënë në vijë gabimet e qeverisë pararendëse konservatore të djathtë. Mirëpo, në këto përpjekje Ponta ka vajtur shumë përtej objektivit. U injoruan vendime të gjykatës kushtetuese, u kufizuan të drejta të gjykatës supreme, ombudsmani u zëvendësua me një politikan partie me merita, u hoqën kryetarët e senatit dhe të parlamentit. Gjithashtu u nis një procedurë për shkarkimin nga posti kundër presidentit konservator të djathtë, Traian Basescu.

Madje nga kampi socialist u dëgjuan edhe zëra eksponentësh, se mbetet vetëm drejtësia për t'u marrë dhe pastaj gjithçka është në kontroll. Kushte si në një republikë bananesh, mu në mes të Bashkimit Evropian.

Afera rënduese

Në fakt rregullat e lojës demokratike e lejojnë edhe në shtete të tjera evropiane që në rast ndryshimi të raporteve shumicë/pakicë të ndërrosh kryetarin e parlamentit. Mirëpo, nën petkun e parlamentarizmit demokratik qeveria e re ka nisur me nënshtrimin e të gjitha institucioneve shtetërore. Në këtë kuadër nuk po respektohen as përshtypja ligjore formale. Aleanca social-liberale ndihet e fortë dhe e tregon këtë. Demokracia e re rumune gjendet në rrugën drejt autokracisë së modelit ukrainas.

Këto zhvillime brengosëse kanë të bëjnë me sa duket me dy afera, që rëndojnë mbi aleancën qeveritare: Është njëherë çështja Nastase. Ish-kryeministri socialdemokrat (2000 - 2004) ndodhet për dy vite në burg për financim partie të paligjshëm. Një president i ri nga radhët e partisë së tij mund ta amnistonte.

Pastaj janë akuzat për plagjiaturë kundër kryeministrit Ponta. Ai thuhet të ketë kopjuar më shumë se gjysmën e doktoraturës. Pushtetmbajtësit e rinj kanë vënë në kontrollin e tyre komisionin verifikues përgjegjës (konfirmimi i akuzave prej komisionit të vjetër është anuluar).

BE-ja duhet të ndërhyjë

Për arsye të këtyre akuzave Komisioni Evropian duhet të reagojë. Zhvillimet në periferinë e BE-së së "vjetër" nuk janë vënë re ose janë nënvlerësuar për një kohë tepër të gjatë. Pas ndërhyrjes nga Brukseli për arsye të trukimeve financiare në Greqi ose të zhvendosjes nacionaliste djathtas në Hungari ndërhyrjen e fortë të Brukselit e bën tani të nevojshme minimi sistematik i shtetit ligjor në Rumani. Kush i shpërfill parimet, për të cilat janë angazhuar të gjitha shtetet e BE-së, duhet të sjellë në arsye. Po të mos ndodhë kjo, BE-ja kthehet në një tjetër fuqi burokratike vetëm në dukje.