1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Luftë pa perspektikë në frontin rus të valutës

Përgjigja e Bankës Qendrore Evropiane ndaj shitjeve plot panik të rublës ishte e vendosur. Por pa një ndryshim të politikës së Kremlinit një normë interesi prej 17 për qind nuk do të sjellë asgjë, mendon Andrey Gurkov.

Elvira Nabiullina është profesioniste shumë e zonja dhe e guximshme. Drejtuesja e Bankës Qendrore Rusë e ka dëshmuar në mënyrë bindëse këtë kur natën e së martës (16.12.2014) ngriti në mënyrë drastike normën bazë të interesit nga 10,5% në 17%. Ishte një reagim i shpejtë dhe i vendosur ndaj panikut që përfshiu të hënën tregun rus të valutës. Atje rënia e kursit të rublës që po vazhdon prej muajsh u shndërrua në një shitje pa fre të valutës ruse.

Një recesion i thellë është tani i pashmangshëm

Shtrenjtimi i jashtëzakonshëm i kredive duhet ta mbysë në embrion panikun, i cili mund të çojë shpejt në rënien e gjithë sistemit financiar të Rusisë. Ai gjithashtu duhet të zbusë inflacionin në rritje të shpejtë. Në fund ky hap do të ketë si pasojë një rritje të ndjeshme të normave të interesit për depozitat. Kjo duhet t'i inkurajojë rusët të mbajnë në banka paratë e tyre në vend që t'i shkojnë ato dëm duke shitur rublat vetëm e vetëm që të shpëtojnë kursimet nga një tjetër humbje vlere.

Në të njëjtën kohë një politikë monetare më e ashpër do të mbysë përfundimisht rritjen ekonomike në vend e cila prej një viti është në rënie. Kreditë që tani të shtrenjta do të bëhen shumë më të shtrenjta. Por nëse nuk ka mjete për investime nuk ka asnjë mundësi të kryhen ato dhe kështu nuk ka as rritje të ekonomisë vendase.

Edhe konsumi vitet e kaluara i lartë do të bjerë gjë që do të ndihmojë paksa për të reduktuar trysninë e inflacionit mbi rublën. Veçanërisht rëndë do të preken ata që kanë borxhe pasi d'iu duhen gjithnjë e më shumë kredi të reja për të shlyer detyrimet e vjetra. Një recesion i thellë me rritje të kredive të këqija, insolvencë të firmave dhe bankave, rritje të papunësisë dhe rënie të pagave do të jetë i pashmangshëm në Rusi vitin e ardhshëm.

Zyrtarja e lartë e shtetit jep sinjalin e alarmit

Nëse Elvira Nabiullina është e gatshme t'i pranojë këto atëherë punët duhet të jenë shumë keq me rublën derisa janë të domosdoshme sakrifica kaq të mëdha dhe shumë të dhimbshme për të stabilizuar bazat financiare të shtetit. Shefja e Bankës Qendrore është e para zyrtare e një rangu kaq të lartë në Rusi që e thotë këtë thuajse publikisht. Norma bazë e interesit prej 17 për qind është një sinjal alarmi, një britmë e saj dhe kërkesa për të vepruar pa vonesë.

DW Russische Redaktion Hörfunk Andrey Gurkov

Redaktori i DW Andrey Gurkov

Nabiullina ka dhënë kështu kontributin e saj specifik për kapërcimin e krizës. Dhe në veçanti është meritë e saj që mbështetet në metoda ekonomike dhe të ekonomisë së tregut për zgjidhjen e problemit. Tani e kanë radhën të tjerët - Presidenti, qeveria dhe deputetët e Parlamentit. Nga ata pritet një kthesë radikale nga kursi i deritanishëm politik dhe ekonomik. Brenda vetëm pak muajsh ai ka ashpërsuar në mënyrë të tillë problemet e një vendi të madhe dhe me zhvillim aspak të keq, sa është tronditur i gjithë sistemi i tij financiar.

Tregjet financiare janë gati t'i besojnë Nabiullinas. Këtë e tregon stabilizimi i qartë i rublës mëngjesin e datës 16 dhjetor. Por pjesëmarrësit në treg nuk besojnë se elita politike ruse dhe Presidenti Putin janë të gatshëm për ndryshime radikale në politikën e jashtme, të brendshme dhe ekonomike. Ata nuk besojnë se Kremlini është gati t'i japë fund aventurës ushtarake në Lindje të Ukrainës çka është një kusht i paevitueshëm për të zbutur në mënyrë efektive trysninë e sanksioneve financiare të Perëndimit. Ata nuk besojnë se Moska do të ndërmarrë masa serioze për të përmirësuar klimën e investimeve, për të tërhequr investitorë të huaj. Ose për të luftuar korrupsionin, për të modernizuar ekonominë që ndodhet në një varësi fatale nga çmimi ndërkombëtar i naftës, për të diversifikuar dhe thyer monopolet.

Për këtë arsye vetëm pak orë pasi Banka Qendrore e Rusisë shkoi dëm artilerinë e saj të rëndë, rënia pikatë e rublës kundrejt dollarit dhe euros vazhdoi. Herët ose vonë Rusisë do t'i duhet të fillojë reformat radikale. Por çdo ditë vonesë do ta rrisë edhe më shumë koston e tyre.