1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Luftë kundër pornografisë me fëmijë

Komisioni i BE kërkon bllokimin e faqeve të internetit kundër pornografisë me fëmijë - Qeveria gjermane është për shuarjen e këtyre faqeve

default

Fushatë kundër pornografisë me fëmijë "Mos mëkatoni. As në internet."

Faqet e internetit me pornografi me fëmijë sa vijnë e shtohen, ankohet komisarja e Brendshme e BE-së, Cecilia Malmstrëm. Viktimat janë gjithnjë e më të reja, fotografitë më të qarta dhe më të dhunshme. Paraqitet nevoja urgjente për të mbrojtur më të dobëtit e shoqërisë. Projektpropozimi i komisares Malmstrëm synon, që vendet anëtare të detyrohen për bllokimin e faqeve të tilla të internetit.

"Do të zhvillohen sisteme, të cilat do të bllokojnë faqet e internetit me përmbajtje pornografike të fëmijëve, për shkak se është shumë e vështirë, që ato të pengohen në burim para së gjithash, nëse ofertuesi ndodhet jashtë Bashkimit Evropian. Ky sistem ekziston tashmë në disa vende të ndryshme anëtare të BE-së. Ai funksionon dhe për çdo ditë pengon me mijëra herë, që njerëzitë të kenë qasje në faqet me përmbajtje pornografike të fëmijëve, pavarësisht se a janë ato të dëshirueshme, apo të paqëllimshme."

Belgien EU Cecilia Malmström Entwurf gegen Kinderpornografie

Komisarja e BE për çështjet e brendshme, Cecilia Malmstroe 29 mars 2010.

Malmstrëm dëshiron që vendet anëtare të vendosin vetë se si do të bllokojnë faqet e tilla. Sisteme bllokimi ka për shembull në vendet skandinave, Itali dhe Britaninë e Madhe.

Qeveria gjermane është për shuarjen e faqeve përkatëse.

Por Malmstrëm dyshon hapur se kjo metodë mund të ketë ndikim. Kritikët e projektpropozimit të saj druhen para së gjithash se sulmet shtetërore në internet do të përvidhen dhe përhapen edhe në fusha të tjera dhe mund të kthehen në cenzurë. Komisarja e Brendshme thotë se ajo e merr shumë seriozisht këtë argument. Megjithatë:

"Pornografia me fëmijë nuk ka të bëjë aspak me lirinë e shprehjes së mendimit. Ajo është një krim i neveritshëm. Dhe propozimi ynë vlen vetëm për këtë dhe jo për çështje të tjera. Ka vepra penale në libra, në televizion, në broshura, në video e po ashtu edhe në internet. Interneti nuk është portë e sigurtë për kriminelët dhe ky është një sinjal i qartë për këta kriminelë."

Por ajo dëshiron që me një mesazh t'i drejtohet edhe shoqërisë në përgjithësi, kur thotë se: "Nëse ne nuk veprojmë, atëherë përdoruesit e internetit do t'i konsiderojnë këto si fotografi normale."

Qysh para një viti Komisioni Evropian pati bërë propozime të ngjashme. Atëherë u fol shumë edhe për një vetëkontroll të ekonomisë së internetit. Eurodeputeti socialdemokrat dhe eksperti për çështje të brendshme, Wolfgang Kreissl-Dërfler ,thotë se nga vetëkontrolli nuk mund të pritet shumë:

Symbolbild Kinderpornographie im Internet

Simbol për pornografinë me fëmijë në internet

"Kryesisht një gjë të tillë mund ta harrojmë. Në qoftë se nuk ka presion, atëherë ata nuk kontrollojnë për shkak se kjo u kushton kohë dhe para, për një gjë të tillë ata duhet të punësojnë njerëz shtesë. Njerëzit janë të këtillë. Aty ku, nuk ka një masë presioni dhe kontrolli, nuk ndërrmirret asgjë."

Megjithatë pikërisht në Parlamentin Evropian mendimet për projektpropozimin e Malmstrëmit janë të ndara. Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së duhet të konsultohen tani për projektprozimin. Që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Lisbonës për vendimet në Këshillin e Ministrave, kur bëhet fjalë për çështje juridike, mjafton një shumicë e kualifikuar. Më nuk është e nevojshme që vendimet të jenë unanime. Gjermania me qëndrimin e saj refuzues për bllokimin e faqeve të internetit mund të mbivotohet.

Autor: Christoph Hasselbach/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 30.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MhGV
  • Data 30.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MhGV