1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Luftë kundër lakmisë për përfitim

Rreth 40 organizata të lëvizjes kritike ndaj bankave "Occupy" i penguan punonjësit e bankave që të futen në zyrat e tyre. Një numër i madh policësh u përpoqën që t'i largojnë demonstruesit.

E gjelbra kundër laramanes. Dhe midis barrikadave. Mbi 5000 policë nga e gjithë Gjermania e rrethuan plotësisht lagjen e bankave të Frankfurtit. Me jelekë antiplumb, me gjymtyrë të mbrojtur me koraca plastike të forta dhe me helmeta speciale, ata presin pas kangjellave të dyfishta. Në orën 6 të mëngjesit donin të afroheshin aktivistët nën moton "Blockupy" dhe të bllokonin hyrjet për në bankat më të rëndësishme. Por në këtë orë nuk duket askush.

Policia është armatosur

Për gjithë natën pritën policët dhe forca të tjera të sigurisë pas gardheve të mbrojtjes. Të gjithë shpresojnë që asnjë nga aktivistët të mos arrijë t'i kapërcejë kangjellat.

Pak pas orës shtatë duken njerëzit e parë në afërsi të zonës së ndaluar. Me hapa të shpejtë ata ecin nëpër rrugët bosh. Nga xhepat nxirren telefona celularë. Këmbehen vështrime pyetëse dhe të pasigurta. Shumica kapitullojnë dhe nisen sërish në rrugën e shtëpisë. Kjo nuk të çudit, sepse hyrjet e bankave janë bllokuar me dërrasa. Këtë bankat e kanë bërë vetë, nga droja për sulmin e pritur. Në banka nuk gjen sot thuajse askënd. Këtë të premten, edhe në Bankën Qendrore Evropiane punon vetëm një ekip emergjence.

Qetësi para furtunës?

Në lagjen e bankave është qetësi. Vetëm paradite, disa kolona me automjete policie dhe me sirena kalojnë nëpër territorin e panairit. Atje është mbledhur një grup prej rreth 50 "demonstruesish blockupy" me pankarta.

Qytetin e tyre me çadra para BQE e kanë larguar prej ditësh me forcë nga sheshi. Nuk zgjat më shumë se pesë minuta dhe demonstruesit rrethohen nga policia. Ata nuk i lejojnë të ecin më tej.

Fillojnë të dëgjohen të thirrura "buuu" nga demonstruesit. Por ata qendrojnë paqësorë. Edhe forcat e policisë. Gazetarë dhe kameranë afrohen me nxitim dhe nisin intervistat e tyre. A nuk ka dështuar aksioni i tyre meqenëse lagjia e bankave u bllokua, i pyesin. "Jo, absolutisht jo", thotë njëra nga demonstrueset.

Policia e ka kryer më së miri punën e tyre, për t'i mbajtur bankierët larg nga vendet e punës, deklarojnë shumë demonstrues me cinizëm. Por policëve përreth kjo nuk u duket zbavitëse. Kalimtarë të rastit tundin kokën me mosbesim dhe e pyesin grupin e demonstruesve, nëse beson se mund ta ndryshojë me disa aksione mënyrën e të menduarit të menaxherëve të bankave ose sistemin bankar. "Ky është natyrisht një proces i ngadaltë", deklaron një protestues. Por ka rëndësi që të tërhiqet vëmendja që ekzagjerimet e botës financiare nuk duhet të pranohen kështu nga qytetarët. Bankierët e sulmuar në këtë mënyrë nuk mësojnë gjë për demonstratat. Protestat e lajmëruara në vazhdim do të kërkojnë në fundjavë angazhimin e mëtejshëm të policisë.

Autor: Wolfgang Dick / Auron Dodi

Redaktoi: Pandeli Pani