1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Luftë interneti në Rusi

Pak javë para zgjedhjeve presidenciale në Rusi ka shpërthyer një luftë e piratëve të internetit, hakerëve. Faqe në internet të medieve kritike ndaj qeverisë bllokohen dhe hapen kutitë postare të emaileve.

Maska Guy-Fawkes - shenjë dalluese e grupit “Anonymous“

Maska Guy-Fawkes - shenjë dalluese e grupit “Anonymous“

Gazeta e përditshme moskovite "Kommersant" flet për "skandalin më të madh politik të 12 viteve të fundit". Nën sulmet masive të piratëve të internetit ndaj kësaj gazete në mars 2008 besohet se qendron organizata e rinisë besnike ndaj Kremlinit "Nashi" ("Tanët") Indikacione për këtë, thotë "Kommersant", ka në emailet e drejtuesit të "Nashit", Wassilij Jakemenko dhe zëdhënëses së tij të shtypit, Kristina Potupçik.

Piratë të internetit, apo siç thirren ndryshe, hakerë, të cilët paraqiten si degë të grupit me veprimtari ndërkombëtare "Anonymous" i hapën kutitë postare të emaileve të Jakemenkos dhe Potuptschikut dhe i botuan në internet para pak ditësh emailet. Shtëpia botuese "Kommersant" kërkoi pastaj nga ministria e Brendshme ruse që t'i verifikojë informacionet delikate. Dëshmitë do të mjaftonin për të nisur një proces penal, shkruan Demjan Kudrjawzew, drejtor i përgjithshëm i shtëpisë botuese në blogun e tij te LiveJournal.

Organizata e rinisë Nashi:anëtarë

Organizata e rinisë "Nashi": anëtarë

"Naschi" i hedh poshtë të gjitha akuzat dhe e kërcënon "Kommersant"-in me një aktpadije për shpifje. Kjo organizatë rinie financohet me taksa dhe ka disa vite që mbështet Vladimir Putinin. Kryeministri rus konsiderohet si favoriti në zgjedhjen e presidentit të Rusisë më 4 mars.

Interneti si fushë beteje

Por skandali i hakerëve hedh një hije jo vetëm mbi Putinin. Ai bën të qartë edhe sa i rëndësishëm është bërë interneti për politikën në Rusi. Mediet madje flasin për një "luftë kibernetike" midis hakerëve të afërt me Kremlinin dhe hakerëve opozitarë.

Thuajse asnjë javë nuk kalon ku të mos ketë sulme. Kështu, grupi "Anonymous" bllokoi në datat 8 dhe 9 shkurt faqet e internetit të partisë së Kremlinit "Rusia e bashkuar". Më parë, persona të panjohur patën sulmuar faqe të disa partive opozitare. Gjithnjë e më shumë interneti përdoret edhe për fushata kundër opozitarëve. Telefonat privatë të tyre përgjohen dhe bisedat publikohen në internet. Njëri nga viktimat ishte kohët e fundit edhe ish-zëvendëskryeministri Boris Nemzow.

Boris Nemzov

Boris Nemzov

Difektet më masive deri tani faqeve të internetit u shkaktuan ditën e zgjedhjeve parlamentare, më 4 dhjetor 2011. Faqe të disa medieve kritike ndaj regjimit, midis tyre gazeta "Kommersant", por edhe faqja e internetit të një organizate të pavarur vëzhguesish në zgjedhje për orë të tëra u nxorrën jashtë pune. Këto sulme hakerësh, thotë kryeredaktori i stacionit radiofonik me ndikim "Echo Moskwy", Alexej Wenediktow i vënë edhe më tej pikëpyetje legjitimitetit të zgjedhjeve në Duma. "Radiostacioni ynë synohet të pengohet që të mos raportojë për shkeljet në zgjedhje", thotë Wenediktow.

Sulmet kushtojnë shumë

Nxjerrja para përgjegjësisë e atyre që qëndrojnë pas sulmeve të hakerëve është shumë e vështirë, pohojnë autoritetet ruse. Sipas vlerësimit të njohësve të fushës, hakerët janë me të vërtetë shumë më të përparuar se policia nga pikëpamja teknike.

Në shumicën e rasteve bëhet fjalë për sulme DDos. Kjo shkurtesë do të thotë "Distributed Denial of Service", një koncept në anglisht i fushës për sabotimin e kompjuterave. Ai përshkruan një proces, në të cilin prej disa kompjuterave njëkohësisht i dërgohen mijëra kërkesa një serveri, duke e mbingarkuar atë. Sipas ekspertëve, këto sulme kundër "Kommersant"-it mendohet se kanë kushtuar disa dhjetëra mijëra euro.

Autor: Roman Goncharenko/ Auron Dodi

Redaktoi: Elert Ajazaj